Përgjigjja e Haradinajt ndaj Apostolovës, veprim i guximshëm politik!

Përgjigjja e Haradinajt ndaj Apostolovës, veprim i guximshëm politik!
  • 26 January 2018 - 08:41

Varësia e tepruar ndaj "miqve" ndërkombëtarë, humbje e sovranitetit politik!

SHKRUAN: FLORIM ZEQA 

Në Kosovën e pasluftës, si pasojë e egos së pakufishme për pushtet të liderëve partiakë, ndërkombëtarët me lehtësi i kanë realizuar dhe po i realizojnë lëvizjet e figurave në tabelën politike kosovare. Servilët dhe puthadorët e ndërkombëtarëve e kanë të garantuar pushtetin në gjysmështetin e Kosovës. Ndërsa atdhetarëve dhe mbrojtësve të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit u përgatiten sfida të mundimshme dhe të pakapërdishme për kohën dhe rrethanat në të cilat jetojmë. Mungesa e një konsensusi nacional mes forcave politike shqiptare ka prodhuar efekte tepër negative në rrafshin politik dhe diplomatik të shtetit tonë. Qëndrueshmëria dhe konsistimi i partive në vijat e tyre programore do të bënte të pamundur lëvizjet e padëshiruara politike në raport me ndërkombëtarët, siç janë: Gjykata Speciale, Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave serbe në veri të vendit. Vënia shpresave çdoherë tek "miqtë" ndërkombëtarë dhe lënia e fatit të vendit çdoherë në duart e ndërkombë- tarëve për zgjidhjen e problemeve të brendshme politike ka çuar deri të krijimi i një shtrese politike servile, e cila nga varësia e tepruar e ka humbur sovranitetin politik, ekonomik dhe financiar të vendit. Pra, si gjithnjë vendimet madhore politike në vendin tonë dhe për vendin tonë i marrin "miqtë" ndërkombëtarë,...ndërsa qeveritë tona janë marrë vetëm me implementimin e atyre vendimeve!

Sfida e pafundme

Jam për respektim të stafit diplomatik ndërkombëtar në vendin tonë, por jo edhe për servilizim të klasës politike ndaj tyre. Në veçanti liderët shtetërorë duhet të sillen si liderë të një vendi të pavarur, në të kundërtën fjala pavarësi e dalë nga goja e tyre mbetet vetëm mashtrim dhe hipokrizi. Qeveria nuk u jep llogari ambasadorëve të huaj, por vetëm Parlamentit dhe deputetëve, politikan i mirë dhe i përgjegjshëm llogaritet ai lider partiak i cili u qëndron besnikë parimeve dhe që rrugëtimin e tij e bazon në "staza" të gjata e jo në caqe të shkurtra. Qëndrimi i fundit i kryeministrit Haradinaj ndaj deklaratës së shefes së Zyrës së BEsë në Kosovë, Nataliya Apostolova, se "Demarkacioni me Malin e Zi dhe Gjykata Speciale e përcaktojnë të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE)" më bëri përshtypje të jashtëzakonshme, i cili më bëri të ndihem krenar me kryeministrin e vendit tim. Pasi kundërshtimi i zonjës Apostolova nga ana e kryeministrit Haradinaj është më se i drejtë dhe atë për dy arsye; e para), për faktin se BE-ja është institucion që nuk e ka njohur ende pavarësinë e vendit tonë, dhe e dyta) është fakti se znj. Nataliya Apostolova është në cilësinë e ambasadores së BEsë në Kosovë dhe asgjë më shumë se kaq. Edhe në këtë rast po dëshmohet se politika, përveçse art i së mundshmes, është sfidë e pafundme, e cila përveç njohurive dhe argumenteve kërkon guxim dhe qëndrueshmëri të lartë në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore. Është i pamohueshëm fakti, se sikur të mos kishte qenë Ramush Haradinaj me ia hedh në fytyrë hartat e falsifikuara Murat Mehës, ndoshta çështja e Demarkacionit me Malin e Zi do të kishte kaluar në heshtje edhe përkundër protestave të opozitës së bashkuar,...dhe prapë do të kishim mbetur pa liberalizim të vizave, pasi kushti themeltar i vënë nga BE-ja për liberalizim të vizave është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e jo demarkacioni.

Thirrje deputetëve shqiptarë

Ishte veprim sa i guximshëm po aq edhe energjik i zotit Ramush Haradinajt që bëri të zgjohet ndërgjegjja e disa prej deputetëve të përgjumur në pushtet dhe opinionit të fjetur publik. Reagimi i guximshëm i Haradinajt nuk ishte kundërshtim vetëm ndaj Murat Mehës dhe komisionit qeveritar, por ishte kundërshtim ndaj qasjes së gabuar qeveritare dhe mbështetësve të tyre ndërkombëtar. Kur ndaj dukurive negative dhe të dëmshme për vendin nuk merren parasysh faktet, duhet reaguar edhe forcërisht nëse e kërkon nevoja për të mbrojtur të vërtetën, në të kundërtën e vërteta rrezikon të mbytet në heshtje. Nga ai reagim i guximshëm i Ramush Haradinajt në tryezë me kryetarin e komisionit shtetëror për demarkacion, zotin Murat Meha filluan të gjitha kundërshtitë e mëpastajme, jo vetëm në kampin opozitar, por edhe nga radhët e deputetëve të pozitës. Uroj që edhe kundërshtimi i fundit i kryeministrit Haradinaj ndaj deklaratës së znj. Apostova të jetë vërtetë akt patriotik i paramenduar mirë e jo turbulencë politike e çastit! Të nderuar deputet shqiptar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, para se të votoni për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Gjykatën Speciale, vëni gishtin kokës, mendoni pak më thellë për situatën delikate dhe shumë të rrezikshme para së cilës ndodhet shteti i Kosovës dhe popullata e saj. Lëreni mënjanë interesat personale, favoret dhe benifitet, qofshin edhe miliona euro që ju ofrojnë të tjerët në këmbim të votës për "Specialen" apo Demarkacionin. Mos i shikoni liderët tuaj partiakë, ngase disa prej tyre kanë hyrë në "SENSO UNICO" (rrugë pa krye),...edhe po të dëshironin, ata nuk mund të kthehen dot mbrapa, ngase janë në dorën e djallit, në dorën e agjenturave të ndryshme për shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Deputetë të nderuar, liderët tuaj partiakë (shtetërorë) duke e ditur që vetë nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, synojnë që përmes jush t'i realizojnë premtimet që ua kanë dhënë liderëve serbomalazias në marrëveshjet e fshehta me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare,...me kushtin e vetëm që ta shpëtojnë lëkurën e tyre nga akuzat e rënda për vepra kriminale dhe afera të shumta korruptive. Andaj, ju deputetë, ju zëri më besnik i qytetarit, mos bini pre e marrëveshjeve të fshehta të liderëve të korruptuar,...qëndroni besnik votës së popullit, atdheut dhe amanetit të dëshmorëve për ruajtjen dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit tuaj. Në të kundërtën, përveç aktit të tradhtisë, brez pas brezi do t'u ndjekë mallkimi i gjakut të dëshmorëve, heronjve dhe martirëve, vëllezërve dhe motrave shqiptare që dhanë më të shtrenjtën -jetën e tyre për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Më mirë të merrni bekimin e popullit sesa mallkimin e tij!

(Kosova Sot)