Në Shqipëri e Kosovë shteti "ka vdekur

Në Shqipëri e Kosovë shteti
  • 27 January 2018 - 08:18

Ligjin e bën dhe e sundon e paligjshmja

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI 

Aty ku ligjin e bën dhe e sundon e paligjshmja, e palejuara, papërgjegjshmëria, antiligji dhe antishteti; aty ku sundon kusaria, vjedhja dhe krimi e korrupsioni i organizuar i pushtetit,i drejtësisë dhe i politikës; aty ku sundon kusaria, vjedhja dhe krimi i organizuar i tyre; aty ku populli shtypet, varfërohet; aty ku politika, pushteti e drejtësia vjedhin pushtetin dhe plaçkitin e i grabisin shtetit dhe kombit pasuritë, pronën, dinjitetin dhe krenarinë; aty ku madje politika, pushteti dhe drejtësia i shkatërrojnë popullit të vet shëndetin, lumturinë, shpirtin dhe shpresën dhe i detyrojnë njerëzit që të marrin rrugën e eksodit; aty ku pra asfiksohet drejtësia, aty këto ndodhin sepse shteti nuk funksionon dhe kur diçka nuk funksionon, ajo vdes. Atdheu dhe shteti për të cilin shqiptarët kanë sakrifikuar më shumë se çdo komb tjetër janë djepi dhe shtëpia e madhe e kombit, por kur njerëzit prej padrejtësive të pushtetit, të politikës dhe të drejtësisë ikin, largohen dhe e braktisin shtetin e tyre atëherë shteti mbetet si shtëpia pa njerëz, mbetet si shtëpi e vetëm këtyre hajdutëve, kusarëve dhe grabitqarëve, të cilëve nuk u dhimbset as kombi, as shteti dhe as atdheu dhe që kanë arritur deri atje saqë edhe kanë bërë matrapazllëqe edhe me trojet shqiptare, duke ua shitur apo falur të huajve për interesat e tyre personale politike e pushteti. Shteti është së pari edhe atdheu i patriotëve, i njerëzve të lirë, punë- torë dhe të ndershëm, i intelektualëve, i rinisë dhe vendi ku kultivohen vlerat e larta njerëzore, por pikërisht për këta nuk po ka vend as në Shqipëri dhe as në Kosovë dhe pikërisht këta janë ata të cilët vuajnë më së shumti dhe po këta janë të parët që detyrohen të largohen nga atdheu prej mosdurimit dhe prej përndjekjes e dëbimit që bën mbi ta padrejtësia. Drejtësia është shpirti i shtetit. Prandaj kur në shtet s'ka drejtësi atëherë ai shtet asfiksohet nga padrejtësia.  

Anëtarët e shoqërisë mbesin dhe rriten jetimë

Politika dhe pushteti në Shqipëri dhe në Kosovë kurrë nuk ndërtuan marrëdhënie të ndershme e të sinqerta as me publikun, as me të vërtetën dhe as me drejtësinë, as me moralin, as me ligjin, por ato gjithmonë si politika ashtu edhe pushteti i cilësdo partie e regjimi patën konsensus, mirëkuptimin dhe marrëdhënie me krimin, mashtrimin, hipokrizinë, korrupsionin dhe me tradhtinë. Kur një qenie të gjallë nuk i funksionojnë më organet jetësore të saj, atëherë ajo vdes. Dhe po kështu kur një shteti nuk i funksionojnë institucionet e tij ligjore të cilat janë dhe quhen publike, dhe sidomos kur në atë shtet dhe në institucionet e tij nuk funksionon drejtësia, ai shtet nuk funksionon më, pra ai shtet vdes përderisa funksionon keq dhe mbrapsht. Shteti nuk vdes, pra nuk pushon së ekzistuari vetëm kur e humb pavarësinë dhe kur pushtohet nga i huaji, por edhe kur nga politikanët dhe nga pushtetarët e tij ai bëhet pre e grabitjes së autoritetit, e pushtetit dhe e pasurive të tij; shteti i cili nuk mbron qytetarët e tij, të drejtat e tyre, sigurinë dhe pronën e njerëzve ai shtet është i falimentuar, i kapur dhe i paralizuar nga padrejtësia. Dhe me "vdekjen" apo me paralizimin e shtetit anëtaret e shoqërisë së atij shteti mbesin dhe rriten jetim. A nuk janë jetim shqiptarët, të cilët largohen nga Shqipëria prej keqtrajtimeve që u bëhen atyre nga njerka; nga shtriga politikë, pushtet dhe drejtësi përderisa shqiptarët largohen nga atdheu prej krimit, vjedhjes, pasigurisë dhe prej korrupsionit të tyre. Njerëzit largohen dhe nuk jetojnë në shkretëtirë; largohen kur kërcënohen nga dhuna e terrori dhe largohen nga padrejtësitë, skamja e varfëria që atyre u vijnë nga pushteti dhe politika e keqe e korrupsionit, e varfërisë, e vjedhjes ,e papunësisë dhe e papërgjegjshme. 

Ilaçi për shërimin e shoqërisë erdhi nga SHBA-ja dhe ky ilaç është VETTING-u

Shteti shqiptar është dhe funksionon si një shtet-hije pasi nuk mban as rregull, nuk i zbaton as ligjet si duhet dhe njëlloj për të gjithë shtetasit e vet; shtet i cili nuk kontrollon, nuk modifikon dhe as nuk ndreq e as nuk përmirëson jetën, mirëqenien, shëndetin, arsimimin dhe as sigurinë e jetës e as të pronës, as sigurinë për punë dhe as atë ekonomike dhe as kënaqësinë e as qetësinë shpirtërore të njerëzve, të atyre të cilët kanë nevojë për shtetin dhe që e mbajnë atë. Kur interesi i shtetit nuk ka si interes të tij interesin e shoqërisë dhe të kombit, pra kur shteti nuk është shërbëtor i shoqërisë dhe kur shteti është pronë e një grupi njerëzish, atëherë ai shtet nuk ekziston dhe nuk funksionon më si shtet, por funksionon si antishtet. Pse dhe nga kush paralizohet shteti? Shtet pushon së funksionuari ose funksionon së prapthi kur ai paralizohet dhe "vritet" nga politika e pushteti, dhe nga krimi, hajnia, korrupsioni dhe tradhtia e tyre. Këto viruse e infektuan dhe e sëmurën rëndë shtetin shqiptar. Dhe jo vetëm se "vdiq" prej tyre shteti, por edhe u infektua edhe vetë shoqëria po prej tyre, sepse as ajo nuk funksionon normalisht, por madje as nuk po ka takat për të reaguar kundër këtyre viruseve epidemike. Dhe ilaçi për shërimin e shoqërisë erdhi nga SHBA-të dhe ky ilaç është VETTING-u, si antivirusi kundër kriminalizimit të politikës dhe të drejtë- sisë, kundër korrupsionit, antiligjit dhe antishtetit; VETTIN-u i drejtësisë, i cili duhet dhe do ta rilindë dhe ta ngjallë shtetin shqiptar.

(Kosova Sot)