Koha për t'ia treguar vendin Kim Jong Unit

Koha për t'ia treguar vendin Kim Jong Unit
  • 03 February 2018 - 10:54

CAKTIMI I KUSHTEVE SIPAS KËRKESAVE AMERIKANE

Departamenti i Thesarit duhet që ta caktojë ritmin e vet të shpalljes së sanksioneve

Shkruan: Ted Cruz 

Vendimi i nëntorit i presidentit Trump për ta cilësuar Korenë Veriore si sponsore të terrorizmit - si reagim ndaj legjislacionit të cilin unë e paraqita, e i cili u miratua në Kongres vitin e kaluar - ishte më shumë sesa një veprim simbolik. Administrata ia ka dalë që ta krijojë një 'thyerje' vendimtare nga dështimet politike të administratave të kaluara. Tani ka ardhur koha për ta ndërmarrë iniciativën, për t'ia treguar vendin Kim Jong Unit dhe për t'i caktuar kushtet sipas kërkesave amerikane. Në të kaluarën, Uashingtoni i konsideronte provat bërthamore dhe raketore të Koresë Veriore më shumë si problem disiplinor, duke hezituar edhe për vendosjen e sanksioneve. Në kundërshtim me pretendimet e ish-presidentit Barack Obama, Koreja Veriore nuk ishte vendi më i sanksionuar në botë, por, në fakt, i teti me radhë. Sikur që mësuan Kim - e para tij edhe i ati i tij - kjo qasje vetëm sa i përforconte për ta çuar përpara hapin bërthamor të vendit të tyre, sipas dëshirave të tyre. Kjo politikë e zbutjes vazhdimisht e mbante SHBA-në dy hapa prapa Koresë veriore dhe, ne duhet ta ndryshojmë këtë kurs. Ajo që pret populli amerikan, si dhe që iu duhet aleatëve tonë, është një lidership i guximshëm i cili do ta detyronte Kimin që të reagonte ndaj kushteve dhe 'tajmingut' tonë. Amerika duhet të përdorë të gjitha elementet e fuqisë nacionale, për t'ia ndryshuar kahun kësaj dinamike, por në rend të parë, sanksionet e ashpra ekonomike.

Kim e di se regjimi i tij është i brishtë

Koreja Veriore është një shtet mafioz, i cili qëllimet e veta ilegale i financon përmes kompanive inaktive, plaçkitjeve kibernetike të bankave dhe eksportit të armëve. Sikur edhe çdo mafi, ajo ka nevojë për partnerë. Muajin e kaluar, Instituti për shkencë dhe siguri ndërkombëtare kishte identifikuar 49 vende përgjegjëse për mundësimin e shkeljes së sanksioneve. Kjo është një e dhënë tronditëse, e cila bëhet edhe më shqetë- suese nga diversiteti gjeografik i vendeve shkelëse. Nga Eurazia dhe Lindja e Mesme, e deri në Afrikë dhe Amerikën latine, regjimet zullumqare, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Iranin dhe Kubën, si dhe qeveritë me kontroll të dobët të eksporteve, kanë financuar ambiciet bërthamore të Koresë veriore. Gama e operacioneve të Kimit me të vërtetë është impresive, por edhe e brishtë. Sikur që tha në dhjetor Qendra për studime të përparuara shkencore, Koreja Veriore mbështetet te qasja ndaj valutës së fortë për të mbijetuar dhe është e gatshme që të bëjë gjithçka për ta siguruar atë. Raporti po ashtu identifikoi pikat e dobëta të operacioneve të Penjanit që varen nga dollarët e SHBA-së dhe që janë të ndjeshme ndaj ndërprerjes - duke përfshirë edhe entitetet e korporatave për të cilat raporti thotë se ofrojnë para për regjimin dhe janë të brishta jo vetëm nga sanksionet direkte, por edhe ndaj masave indirekte. Kim e di se regjimi i tij është i brishtë, por deri më tani, ai ia ka dalë që vendosja e sanksioneve të përcjellin testet e tij bërthamore, duke i dhënë atij kohë që të përshtatet me sanksionet e reja. Këto veprime po ashtu ia kanë mundësuar atij që ta ndërmarrë iniciativën diplomatike, sikur që dëshmohet nga propozimi i tij për bisedime bilaterale me Korenë Jugore. Heqja e përkohshme e sanksioneve ndaj Koresë veriore, për të marrë pjesë në Olimpiadë, një ide e cila në fillim doli nga këto bisedime, do të ishte gabim i madh. Derisa SHBA-ja dhe bota mirëpresin atletët e Koresë veriore që të marrin pjesë në skenën globale, kjo nuk nënkupton që të shpërblehet regjimi. Bërja e lëshimeve në politikën tonë të sanksioneve, pa ndonjë kërkesë, apo lëshim, do të na kthente te politikat e dështuara të cilat Trump me të drejtë ka filluar që t'i zhbëjë. 

Është koha që Koreja Veriore të frikësohet nga veprimet e ardhshme të Amerikës

Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, kishte të drejtë kur javën e kaluar riafirmoi mbështetjen e tij ndaj sanksioneve, por vetëm vazhdimi i sanksioneve nuk mjafton. Në vend të pritjes së testit të ri, apo të lëvizjes më të fundit nga Penjani, Uashingtoni duhet që menjëherë të fillojë imponimin e sanksioneve si ndaj Koresë veriore, po ashtu edhe ndaj entiteteve të palës së tretë. Departamenti i Thesarit duhet që ta caktojë ritmin e vet të shpalljes së sanksioneve dhe ta detyrojë Kimin që të reagojë ndaj kampanjës tonë. Ne duhet të sanksionojmë pikat kyçe, si dhe të ndëshkojmë bankat që shkelin sanksionet - sidomos bankat kineze. Edhe pse ia pranoj presidentit Trump meritat që presidenti kinez Xi Jinping ofron një bashkëpunim të kufizuar, njoftimet më të fundit flasin për anijet kineze që thyejnë sanksionet, duke shitur naftë në Korenë Veriore, duke konfirmuar kështu dyshimet e mia rreth realizimit të premtimeve të Pekinit. Kemi shpenzuar gati tri dekada duke e pyetur veten se cili do të jetë veprimi tjetër i Koresë veriore. Është koha që Koreja Veriore të frikësohet nga veprimet e ardhshme të Amerikës. 

(Kosova Sot)