Një bashkëpunim më i ngushtë anglo-francez pas Brexit-it

Një bashkëpunim më i ngushtë anglo-francez pas Brexit-it
  • 05 February 2018 - 10:36

DY VENDET KANË INTERESA DHE PËRGJEGJËSI TË PËRBASHKËTA

Brexiti nuk do ta ndryshojë faktin se Britania dhe Franca kanë interesa të përbashkëta në rendin ndërkombëtar

Shkruan: Peter Ricketts 

Britania dhe Franca janë dy vende evropiane me interesa dhe përgjegjësi globale, ku shumë prej tyre i kanë të përbashkëta. Është bërë një progres i madh gjatë viteve të fundit në ndërtimin e një partneriteti anglo-francez rreth mbrojtjes dhe sigurisë. Brexiti nuk do ta dobësojë këtë mundësi. Por, do ta ndryshojë kontekstin. Samiti Britani-Francë në Sandhurst, më 18 janar, është një mundësi për të futur një energji të re politike në këtë marrëdhënie të rëndësishme, për ta çuar atë përtej turbulencës së viteve të Brexitit. Dy liderët duhet të bëjnë përkushtime specifike në pesë fusha. Së pari, bashkëpunimin bërthamor. Si dy fuqitë bërthamore të Evropës, Britania dhe Franca kanë pasur politika të ngjashme të përmbajtjes bërthamore për më shumë se gjysmë shekulli. Tani ato duhet ta përshpejtojnë punën në modernizimin e këtyre politikave në dritën e ndryshimeve rapide të ambientit strategjik, me një Rusi më agresive, me daljen e Koresë Veriore si fuqi potenciale bërthamore dhe me pasiguritë e krijuara nga presidenti Donald Trump rreth përkushtimit afatgjatë amerikan ndaj garancive të përbashkëta të sigurisë së NATO-s. Të dy vendet po ashtu janë të përkushtuara që ta ndajnë një qendër të përbashkët, në Francë, për testimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë të arsenalit të tyre bërthamor, duke simuluar efektet e një shpërthimi bërthamor. Marrëveshja e vitit 2010 ishte një manifestim i fuqishëm i besimit në partneritetin afatgjatë (marrëveshja siguron qasjen britanike për vjet) dhe iu kurseu para të dyja palëve, duke mbrojtur informacionet sekrete të të dyjave. Dy liderët po ashtu duhet të shkojnë më tej në këtë drejtim, duke identifikuar ide të reja për ndarjen (përdorimin e përbashkët) të qendrave bërthamore dhe për zvogëlimin e shpenzimeve. 

Bashkëpunimi në raketat e përparuara ka qenë një rrëfim i vërtetë i suksesit

Së dyti, bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes. Britania dhe Franca kanë industritë më të mëdha të mbrojtjes në Evropë, me një histori të gjatë të bashkëpunimit në projektet e përbashkëta. Të dyja palët u pajtuan në "Lancaster House" për të ndjekur një gamë programesh të reja. Vëmendja ishte përqendruar te një sistem luftarak ajror, pa ekuipazh, për vitet 2030. Një konzorcium i udhëhequr nga sistemet "BAE" dhe "DASSAULT", është duke punuar në një kontratë me vlerë 2 miliardë dollarë nga të dy qeveritë, për të prodhuar prototipa deri në fillim të viteve 2020 për testim operacional. Dy qeveritë duhet të vazhdojnë që ta shohin këtë program deri në fund të epokës së demonstrimit, në mënyrë që dy industritë të përparojnë në teknologjinë ajrore pa njerëz. Bashkëpunimi në raketat e përparuara ka qenë një rrëfim i vërtetë i suksesit. Samiti duhet që të apelojë përdorimin e këtij modeli edhe në sektorët e tjerë. Me buxhetet nën presion në tërë Evropën, pajisjet efikase të mbrojtjes janë në interes të të gjithëve. Britania dhe Franca duhet të punojnë së bashku për të evituar një fond të përbashkët evropian të mbrojtjes që të bëhet pengesë ndaj bashkëpunimit midis industrive britanike dhe franceze të mbrojtjes. Fusha e tretë janë operacionet e përbashkëta midis dy forcave të armatosura. Edhe këtu, Britania dhe Franca janë unike në Evropë në aspektin e forcave të madhësisë, aftësisë, dhe përvojës për të udhëhequr operacione të konsiderueshme luftarake. Që nga "Lancaster House", dy ushtritë kanë zhvilluar një forcë të përbashkët, një tërësi njësitesh nga të tri shërbimet, të trajnuara për të operuar së bashku në një gamë skenarësh, deri te luftimet e intensitetit të lartë. Dy liderët duhet të fillojnë përdorimin e kësaj aftësie, ku janë në pyetje interesat e të dyja vendeve, për shembull si një kontribut i përbashkët ndaj misionit paqësor të OKBsë, NATO-s, apo BE-së. 

Agjencitë e sigurisë

Së katërti, kundërterrorizmi: Britania dhe Franca ballafaqohen me të njëjtin rrezik nga terrorizmi islamik. Agjencitë e sigurisë dhe të inteligjencës punojnë së afërmi së bashku. Por, një bashkëpunim efektiv i zbatimit të ligjit varet nga shumë marrëveshje të bazuara te të dhënat e përbashkëta të BE-së (shenjat e gishtave, ADN, etj), nga instrumentet sikur fletë-arrestimet evropiane, si dhe nga agjencitë, sikur që është "Europol". Samiti duhet që të arrijë marrëveshjen rreth bashkëpunimit të Britanisë dhe Francës në një klauzolë në marrëveshjen për daljen e Britanisë nga BE-ja, duke thënë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej. Në fund, politika e jashtme. Brexiti nuk do ta ndryshojë faktin se Britania dhe Franca kanë interesa të përbashkëta në rendin ndërkombëtar të bazuar te rregullat dhe përgjegjësi të përbashkëta për ta mbrojtur atë, si anëtare të përhershme të KS të OKB-së. Por, presidenti Emmanuel Macron e ka bërë të qartë se prioritet kryesor i tij është rikthimi i rolit ndërkombëtar të BE-së. Prandaj, nëse Britania dëshiron që të ushtrojë ndikim në politikën e jashtme në partneritet me Francën, ajo do të ketë nevojë për iniciativa diplomatike, si dhe vullnetin politik për t'i çuar ato përpara. Samiti i kësaj jave do të jetë vend i mirë për të filluar.

(Autori ishte ambasador britanik në Francë në periudhën 2012-16).

(Kosova Sot)