Me inate personale nuk është shekulli ynë

Me inate personale nuk është shekulli ynë
  • 06 February 2018 - 08:37

Shteti pa zot shtëpie

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA 

Një kohë të mundimshme, një shekull e më tepër kemi pritur, duke me e ekzagjeruar këtë shkrim me etapat e të gjitha periudhave tjera të të kaluarës. Vetëm në dy shekujt e fundit janë asgjësuar qindra e mijëra herë dëshirat dhe entuziazmi për liri. Janë sakrifikuar personalitete e grupe të panumërta. Janë shkatërruar e plaçkitur prona familjare e shoqërore të pallogaritshme. Janë groposur ëndrra të pa realizueshme e të pa evidentuara të fëmijëve dhe të të rinjve shqiptarë. Brenda këtyre shekujve nuk ka pasur zot shpie në Kosovë, ku pjesa më e madhe ishte shqiptare. Gjatë gjithë kësaj kohe i kemi shërbyer të huajit dhe jemi përpjekur herë-herë, si servilë apo vasalë që të shkrihemi si njerëz shumë të "ndërgjegjshëm" për interesa personale. Kemi menduar si qytetarë që të arrijmë nivelin e qeveritarëve të huaj, që e kanë mashtruar këtë popull. Asnjëherë nuk kanë arritur as ata më besnikët që të jenë në emër të shqiptarit e për shqiptarët. Janë kolonizuar tokat tona nga fqinjët nga të katër anët, sigurisht me ndihmën e "kopilit" nga brenda. Dhe me ndihmën e shumë "kopilëve", janë dëmtuar familje të tëra në mese tona. Janë spiunuar e dëmtuar shpirtërisht të gjithë ata që kanë qenë për një çlirim kombëtar, për një gjuhë e për arsimim të këtij populli. Kjo është përcjellë që nga koha e Perandorisë Osmani dhe asnjëherë nuk është tëhuajësuar. Ky popull më së paku ka faj. Janë gjetur gjithmonë njerëz për kompromise...e na e kemi menduar krejt ndryshe kësaj here. Kjo gjeneratë e shumë të tjera si më parë do ta paguajnë shtrenjtë këtë rregullim shtetëror. Do të duhej të gjenden njerëz sakrifice për këtë vend. Njerëz që do të punonin vërtet si përgjegjës të këtij populli! 

Marrëveshjet historike, në kurriz të shqiptarëve

Shqiptarët pa zot shtëpie?! Gjithnjë janë nëpërkëmbur. Kemi thënë se një pjesë të fajit, në mos më të madhin, e bartin vetë shqiptarët. Pretendimet e evropianëve se, duhet që gjithmonë të vendosin paqe në Ballkanin Perëndimor, duke i sakrifikuar (pickuar) shqiptarët, janë të kamotshme: Kjo ishte që nga kohët e Krizës Lindore (me 1878, me 1913, me 1945) e deri më sot. Të gjitha luftërat që janë bërë për çlirim kombë- tar të shqiptarëve, ata janë mashtruar dhe kanë mbetur në një gjendje lufte me fqinjët. Diplomacia evropiane i ka ditur pasojat që do t'i ketë ky popull kurdoherë. Por, frikë nga këto pasoja të këtyre krahinave shqiptare nuk kanë pasur të tjerët. Fati i tyre shekullor i nënshkruar nga të tjerët. Shqiptarët të ndarë në disa provinca nën sundimin e të tjerëve, nuk kanë mundur asnjëherë të organizohen si duhet për të përballuar tiraninë nga i huaji. Homogjenizimi i tyre mbetet pezull me parulla. Në instancën e fundit, ata nuk akordoheshin për egoizmat e tyre në kohën e duhur. Qëllonin njerëz me interes personal e grupor. Edhe në këtë kohë aktualiteti shqiptarëve të Kosovës u ka kushtua shtrenjtë, pra një tagër i shumëfishtë. Nga një atdhetar me zë, shpejt shndërroheshin në kompromisaxhinj. 

Ku s'ka demokraci, s'ka liri

Gazeta "Kosova Sot", realisht është një Tribunë e mendimit publik për të gjitha çështjet që i përkasin politikës shqiptare në këto kohë. Në këtë gazetë publikohen opinionet dhe analizat e personaliteteve me përgatitje arsimore të profileve të ndryshme. Këta mendimtarë kanë një ndjeshmëri gati të veçantë e dije solide nga ata të politikës aktuale, natyrisht duke i përcjellë mirë zhvillimet e brendshme si dhe ato të jashtme, në marrëdhënie me shqiptarët. Falë kësaj gazete, më vjen mirë që ndodhen shqiptarë që, e vlerësojnë drejt gjendjen politike e pa anime. Janë disa prej autorëve që kanë ndihmuar mjaft në ndriçimin dhe bëjnë thirrje të çdoditshme për korrigjime të disa grupeve të partive në pushtet, që të mënjanojnë sjelljet diskredituese në udhëheqjen e përgjithshme të shqiptarëve në tokat e tyre, andej e këndej.

As respekt të traditës, e as zbatim ligji

Tradita e jonë është shumëdimensionale dhe e shumë kategorive. Të gjitha ato që ngjyrosin kulturën shqiptare për një individualitet nacional që, gjithsesi do të duhej të ruhej, por në një masë, vetëm për sferën kulturore dhe ato që janë me karakter pozitiv. Tradita e jonë është autoktone. Po pjesa më e madhe e atyre elementeve duhet të jenë të zëvendësuara me ligje bashkëkohore, sidomos ato të Kanunit, e që të mbeten si artefakte muzeore, duke i hedhur jashtë përdorimit. Janë të vjetruara në këtë shekull edhe për ne. Si të tilla nuk mund zbatohen në vend të ligjit për përdorim në ditën e sotme. Pajtimi i gjaqeve mund të bëhet në mes shqiptarëve si dhe marrëveshjet tjera, kjo është pozitive, por ligji e bën të veten. Sigurisht që duhet ruajtur besën në mes veti si kategori e veçantë te shqiptarët. Është njësi etike e trashëguar mjaft me rëndësi. Ajo sot është tretë dhe është zëvendësuar me mashtrim e demagogji. Aty ku nuk ka demokraci, ka shtypje. Atje e aty ku nuk ka gjyqësi me ligj, ka tradhti. Pabesia nuk ka qenë traditë e jonë në mes veti dhe me të tjerët...Se janë keqinterpretuar dhe keqpërdorur si besa e solidariteti, këtu s'ka dilemë, qoftë në mes individëve, qoftë me karakter institucional shtetëror. Rrjedha e të gjitha të ligave vjen nga grupe që quhen parti, me një veprimtari e zhvillim nga lideri e suitë rreth tij. Kjo ka marrë përmasa dhe është shndërruar në një vend, i cili di të prodhojë vetëm krime, nepotizëm e korrupsion - fushë e këtyre kategorive të sotme. E para, pabesia në mes veti e interesi individual, e dyta mungesë e respektit të atdheut dhe popullit, pa përgjegjësi të cilit i takojnë; e treta mungesa e zbatimit të ligjit për eliminimin e dëmtuesve politik dhe ekonomik. Nuk vjedhin të gjithë shqiptarët, nuk janë as kriminelë të gjithë, por ndodhen dhe kanë ndodhur të tillët. Tash na duken po ata pengesë e zhvillimit dhe rritjes së këtij shteti të ri. 

Mësimet janë nga "shteti amë"

Fatkeqësisht, duke dashur një homogjenizim të shqiptarëve, grupet politike, ata që e morën në dorë qeverisjen, që nga fillimi, vepruan për interesa të tyre. Shqipërinë e kemi quajtur "shteti amë". Asaj dhe përfaqësuesve të saj i kemi besuar. Ata e mënjanuan këtë mendim dhe plane tjera me interes kombëtar. Këto dalin gjatë kohës së luftës dhe vijojnë edhe sot. Duke qenë se, brezat shqiptare ishin të edukuar nga një teori dhe praktikë shtetërore të një politike moniste - tiranie, nuk kishin marrë më shumë njohuri për ideologji të reja që të fusin në praktikë. Të gjithë sa lidheshin me njerëz të klasës sunduese, drakonizmin e kishin në gjak. Komandën me kamxhikun e lëviznin kah një sistem i njëjtë i të kaluarës, në mos edhe më keq, madje edhe eliminonin kundërshtarë. Nisma, thamë, ishte nga vendi i quajtur "amë", me udhëheqës të vetëquajtur "demokratë" dhe vijoi përgjatë gjithë trojeve shqiptare. Ajo që u ngul dhe mbizotëroi si shumë e dëmshme ishte, jo veç për shqiptarët e Shqipërisë, por edhe për ata të Kosovës. Të gjitha vendet u përpoqën të na mëkëmbin, por "krimbi" ishte në brendësinë e këtij trupi që quhet politikë e pluralizmit shqiptar. Si rrjedhojë del e njëjta veprimtari historike parashekullore. Kjo është përmendur dhe është shkruar me emër e mbiemër, për atë që ka kaluar dhe për këtë të sotmen. Të gjitha dramatizimet e dualizmit që bëhen në pluralizmin e sotëm shqiptar, nuk janë për ngritjen e cilësisë kombëtare në ekonomi, siguri, politikë, arsimim e kulturë, e as për marrëdhënie me të tjerët, por për propagandë para opinionit publik. Liderët e dobët të shqiptarëve. Thamë, që të gjitha mësimet vijnë nga "shteti amë". Vetë shteti u dha drejtim qytetarëve sipas recetës së tij. U morën me të gjitha të këqijat që as është menduar. Secili dëshironte të uzurpojë, të plaçkitë, të vjedh diç për shtëpinë e familjen e vet. Sa më shpejt të pasurohet, si nga bahçja e babës. Këtë pasuri ua përgatitën edhe rretheve të "akrabasë". Një numër i vogël në krahasim me banorët e vendit. Zhvillimi dhe investimi në vendet periferike ka mbetur pa u hetuar sa e si duhet. Duke manifestuar duele me grindje partiake politike për interesa të ngushta, gjithnjë manipuluese me gjëra improvizuese, e herë-herë duke ia hedhur fajin të tjerëve, madje edhe miqve të deridjeshëm, vendin e lanë në një mjerim. Këta janë pakica, sundimtarët që helmuan pjesën vitale të popullsisë. Të gjitha sjelljet e tilla janë importuar në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Dhe për inati të njëri-tjetrit, pëson shteti dhe populli sërish. 

Vlera e njeriut të sotëm, vjedhja dhe mashtrimi

Pasioni është si një sëmundje e pashërueshme deri në varr: karriera, shkrimtaria, politika, vjedhja, krimi, gënjeshtra e mashtrimi, amoraliteti, gjuetia, kumari, etj. Shqiptarët krejt të këqijat nuk i kanë pasur traditë. Shumica kanë qenë larg spektakleve të llojeve të ndryshme teatrale - tragjikomike, por edhe janë edukuar në një frymë të veçantë. Ose, veprimtarët e të keqes ndër ne ishin individ e raste të izoluara. Por sot e kemi bërë dukuri piraterinë, mashtrimin, pabesinë, krimin...sot nëse nuk je një hajdut i zhdërvjelltë, një gënjeshtari rryer, nuk vlen gjë, nuk të flet kush në rrugë. Sepse të gjithë si duket janë mërsyer të veprojnë me këto mjete. Atë që e ka ndie në kurriz qytetari i jonë është kleptomania dhe korrupsioni që u shtrinë në të gjitha segmentet shoqërore, sa çelë e mbyllë sytë. Dukej si ëndërr. Në ekonomi u tradhtua gjithë klasa punëtore me privatizimin; në arsim u shpërdorua dija, analfabetët blen dhe morën letra me hatër e me dhunë për t'i "shërbyer" me padije këtij populli. Edhe kjo ishte një ëndërr e tmerrshme. U krijua amulli edhe nëpër universitete. Shëndetësinë e përfshiu nepotizmi, ryshfeti dhe plaç- ka. Në drejtësi pos ryshfetit, nuk funksionon ligji, sepse, po ta futnim në veprim ligjin, do të duhej që nga figurat në krye të shtetit të fillohet për përgjegjësi. Këto figura me vulën e pushtetarit "patriot" i kanë emëruar vetë kuadrat në shkallët gjyqësore dhe prokurori. Gjykatave dhe prokurorive nuk mund t'u hidhet barra. Ata kanë mbetur ta dëgjojnë padronin e tyre, çka u thotë bëjnë. Ata nuk kanë çka e konsultojnë ligjin për asnjë vepër kriminale. Krimet vijnë së larti. Përgjegjës kryesor për të gjitha të mirat, të themi kushtimisht, e për të gjitha të ligat rrjedhin në mënyrë serike nga Kryetari i Republikës, Kryetari i Qeverisë dhe Kryetari i Kuvendit të Republikës. Themi kështu, sepse me dashjen dhe vullnetin politik të këtyre tri figurave kanë mundur që të funksionojnë të gjithë resorët shtetërorë, duke filluar nga drejtësia, pastaj rendi, arsimi, shëndetësia e deri te nëpunësi i librit amë në bashkësitë lokale. Jemi të vetëdijshëm se nuk ka çdoherë e çdo gjë ideale. Megjithatë, jo kështu si jemi dhe kështu si mendohet të bëhet shteti. Por, këto tri institucione me rëndësi, sikur nuk kanë pasur e nuk kanë një plan për të ecë në rrugë zhvillimi. Sikur gjithnjë janë marrë me vetveten, herë-herë, haptas duke keqpërdorur edhe buxhetin. Provincat e vogla me përfaqësues të vocërr janë në kundërshtim të thellë shpirtërisht. Nuk e lëshojnë rrugën për askënd tjetër. Dijen e kanë zero. Humbja është e pallogaritshme për popull.

Nuk treguam dhe nuk po tregojmë zell dhe pjekuri

Nëse ky shekull ishte shpallur i shqiptarëve, duhet të turpërohemi të gjithë si pjesëtarë të këtij kombi. Secili në vetvete duhet të mendojë pak më thellë. Edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni e Mal të Zi, personat që kanë udhëhequr, atë kohë, duhet ta ndiejnë për barrë përgjegjësinë dhe transparencën. Që në start është dashur ta forcojmë arsimin me kuadro të zgjedhura. Po kështu është dashur të veprojmë me të gjithë resorët qeveritar e deri te drejtori i një shkolle fillore, i një çerdheje, etj. Shekulli i shqiptarëve, pa një arsimim solid, pa një shëndetësi të mirë, pa një gjyqësi të pavarur dhe pa institucionin e përgjegjësisë dhe dorëheqjes, nuk do të jetë shekulli ynë. Se, çka është vepruar, për shembull, me kuadrot nëpër konsullata dhe ambasada, me njerëz pa kurrfarë bagazhi, si thuhet, në vende të jashtme, duke menduar se kësaj e atij ia kemi borxh (...) edhe pse s' është e sigurt puna e një njeriu gjysmak me kulturën e tij më parë. Personi duhet të ketë një fond bukur të gjerë të të mësuarit të historisë së popujve të botës, e me siguri që do të duhej ta njihte më së miri atë të popullit të vet. Të ketë një kod moral e autoritet ndër mese të ndryshme. Të shohin e dëgjojnë diç me vlerë të tjerët nga përfaqësuesit tanë. Të jemi pasqyrë për të mirë, jo kështu, herë lindje herë perëndim. Personi i ambasadës të lëvizë në drejtime të ndryshme, duke bërë lidhje kulturore, miqësie, sportive, etj. Të ketë integritet personal dhe autoritet këtu, në mesin ku jeton dhe vepron. Po, pengesë e personaliteteve të zgjedhura me meritë është mënyra arbitrare, dhe jo vetëm për MPJ, por edhe e kuadrove të tjera në vend. Për shumëçka faji është i joni. A janë gabime rasti, apo vërtet ka diçka të pabesueshme, për këtë historia do ta verifikojë pak më mirë pas nesh. Duke dashur që të mos jemi imazhi më i keq, reagimet duhet t'i bëjmë ashtu si i dëgjojmë, si i shohim e ndiejmë. 

(Kosova Sot)