Pse nuk protestojnë qytetarët në Tiranë kundër Marrëveshjes së detit me Greqinë!?

Pse nuk protestojnë qytetarët në Tiranë kundër Marrëveshjes së detit me Greqinë!?
  • 06 February 2018 - 08:46

I falen shtetit grek qindra km2 sipërfaqe detare të kanalit shqiptar

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI 

Shqiptarët në Shqipëri nuk reagojnë dhe nuk protestojnë masivisht kundër Marrëveshjes së detit me Greqinë, sipas së cilës dëmtohen shumë rëndë territori shqiptar, duke iu falur shtetit grek qindra km2 sipërfaqe detare të kanalit shqiptar, i cili gjendet mes ishullit të Korfuzit dhe Shqipërisë, dëmtohen interesat e mëdha ekonomike si vendndodhje gjeostrategjike dhe e rezervave të mëdha të naftës dhe të gazit, sepse qytetarët shqiptarë protestojnë vetëm kur ata i thërret partia, interesi i partive politike për pushtet. Qytetarët në Shqipëri protestojnë gjithnjë vetëm kur i thërrasin partitë, p.sh. Edi Rama e Salija, Monika dhe Lulija. Për ta, për politikanët dhe pushtetin e tyre, për interesat dhe krimin e korrupsionin e tyre është djegur e rrënuar Shqipëria është bërë hataja dhe tragjedia, si në vitet 1991-92, në vitet 1997-98, në janarin 2011, dhe sapo dhe kur thërret pra partia, shkatërrohet e rrënohet edhe Shqipëria. 

Grabitja e burimeve

Pra, atdheu për qytetarët në Shqipëri është partia, sepse shumica e shqiptarëve kanë rënë në kurthin e partive politike dhe të lidershipeve të tyre, të cilët të parën kanë partinë dhe jo Shqipërinë. Elita politike shqiptare të parën ka partinë, sepse nga partia atyre u vjen dhe u buron pushteti me të cilin abuzojnë, vjedhin, pasurohen dhe tradhtojnë dhe se partia është streha e cila i mbron ata, mbron korrupsionin, hajdutërinë dhe tradhtinë e tyre nga drejtësia dhe nga ligji. Prandaj, nuk protestojnë për detin shqiptarët, sepse ata nuk i ka "ftuar" në protestë as Partia Socialiste, as Partia Demokratike dhe as LSI-ja, sepse detin Greqisë ia kanë falur këto të tria, pra tradhtia dhe interesi i pushtetit të tyre. Por nuk u falet kjo shqiptarëve, të cilët nuk protestojnë kur i thërret Shqipëria. Kur e nënshkruan Marrëveshjen me Greqinë Partia Demokratike, qeveria e saj bënte sikur e kundërshtonin "patriotët" politikanë të Partisë Socialiste e Ramës dhe të LSI-së së Metës; kur qeverisi më pas në vitet 2009-2013 PD me LSI-në "papritmas" heshti dhe u dakordua me tradhtinë Ilir Meta dhe LSI-ja; dhe sot kur Marrëveshjen e përkrah tani qeveria dhe "rilindja" e Ramës, për çudi bëjnë sikur kundërshtojnë PD e Salia dhe Monika e LSI-ja. Qytetarët shqiptarë nuk protestojnë edhe për arsye të tjera p.sh. pse të protestojnë për detin, për ujin, kur Shqipëria është vendi më i pasur në Evropë me burime ujore, por qytetarët e varfër e blejnë ujin më shtrenjtë se qumështin; pse të protestojnë për detin për rezervat e gazit dhe të naftës që ka aty ku detin ia japin Greqisë, kur Shqipëria ka më shumë se çdo vend tjetër në Ballkan dhe Evropë naftë dhe gaz, por çmimi i energjisë dhe i karburanteve në Shqipëri është ndër më të lartët në Botë dhe për energjinë elektrike, të cilën nuk kanë mundësi ta paguajnë shqiptarët e varfër ata dënohen edhe me burg. Pse të protestojnë kur burimet e naftës politikanët shqiptarë ua kanë falur koncensionarëve të huaj dhe ku punëtorët shqiptarë shfrytëzohen si skllevër prej tyre dhe kur banorët e zonave naftëmbajtëse u janë rrënuar shtëpitë dhe e kanë problem mbijetesën. Po kështu Shqipëria është ndër vendet më të pasura në botë me minerale, por në ato zona ku ato burime ndodhen e grabiten, banorët e atyre zonave janë më të varfrit ekonomikisht në Shqipëri. 

Të rrëmbyer nga partitë

Për çfarë të protestojnë shqiptarët në Shqipëri, kur ata vetëm sa kërkojnë e synojnë që të largohen nga Shqipëria në kërkim të një atdheu të dytë, sepse shqiptarëve ua kanë bërë skëterrë jetën varfëria, papunësia, pasiguria, krimi, padrejtësia dhe korrupsioni i këtyre partive, por të cilave çuditërisht u binden dhe i dëgjojnë akoma dhe u shkojnë pas kur ato i thërrasin për vota, për pushtet, ku me pushtetin ato i vjedhin, i grabisin, i mashtrojnë dhe i manipulojnë qytetarët dhe Shqipërinë, duke i detyruar shqiptarët që të marrin arratinë dhe eksodin. Shqiptarët nuk protestojnë për detin, për mirëqenien, për drejtësinë, për integrimin, pra nuk protestojnë për Shqipërinë, sepse ato shqiptarëve ua kanë rrëmbyer partitë, ato ua kanë rrëmbyer, kapur dhe pronë- suar politika e krimit, e korrupsionit dhe e tradhtisë. Qytetarët nuk reagojnë, sepse janë edhe ata të kapur dhe të tradhtuar nga politika, të cilën e kanë mbi krye dhe kur pllakos në shtet, në shoqëri dhe kur së pari pllakos në politikë, në pushtet, në ekonomi dhe sidomos dhe në drejtësi korrupsioni, egoizmi, hajnia dhe tradhtia duket sikur me to është pajtuar edhe populli. Pra, së pari shqiptarët duhet të protestojnë për t'u çliruar nga prangat e krimit, të korrupsionit dhe të tradhtisë së politikanëve, pushtetarëve, matrapazëve, hajdutëve, drejtësisë dhe prej partive politike dhe të elitës politike të tyre, prej të cilëve po ndodh boshatisja e Shqipërisë prej shqiptarëve, ndodhin tradhtitë dhe shitja e territoreve dhe e interesave kombëtare, po ndodh kanabistanizimi i Shqipërisë, instalohet kultuti i parasë së pisët, imazhi i keq ndërkombëtar për shqiptarët dhe mosintegrimi i Shqipërisë. Kur në Shqipëri shqiptarët prej egoizmit të tyre dhe kur prej politikës dhe prej politikanëve të tyre gjithnjë krijojnë probleme të mëdha ndër vete e që bëhen problem edhe te ndërkombëtarët për ngatërresat e përçarjet, për vjedhjen, për korrupsionin dhe për drogën, për padrejtësinë, për varfërinë e papunësinë, për eksodin dhe për krimin, atëherë përfitojnë të tjerët, joshqiptarët dhe armiqtë e tyre.

(Kosova Sot)