Demaçi, njeriu i lavdisë

Demaçi, njeriu i lavdisë
  • 07 February 2018 - 08:07

Duke e krahasuar Adem Demaçin me personalitetet e rralla historike, autorë të ndryshëm atë e quajtën: Anteu shqiptar, Zeusi shqiptar, Krishti shqiptar, Prometheu shqiptar, Mesia shqiptar, Drajfusi shqiptar, Mendela shqiptar, Marathonamaku shqiptar etj.

Selatin Novosella: Adem Demaçi, duke qenë i lindur në kohën e Aleksandër Karagjorgjeviqit në vitin 1936, duke filluar veprimtarinë atdhetare - politike në kohën e Aleksandër Rankoviqit në vitin 1958, duke arritur kulmin e veprimtarisë në kohën e Josip Broz Titos, si kryetar i organizatës "Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve" në vitin 1964 dhe, duke përjetuar çlirimin e Kosovës, si përfaqësues i Përgjithshëm Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kohën e Slobodan Milosheviqit në vitin 1999, është ndër personalitetet e rralla më me fat në historinë më të re të Kosovës.

Në vend të hyrjes

Me Adem Demaçin jam takuar për herë të parë në vjeshtën e vitit 1963 në një orë letrare në Shkollën Normale të Prishtinës. Atë e prezantoi Zeqir Gërvalla, miku i Adem Demaçit dhe kryetar i grupit letrar "Migjeni" të kësaj shkolle. Pra, po bëhen më shumë se gjysmë shekulli që, në vazhdimësi, isha dhe jam pranë Bacës Adem. Kështu, në vitin 1964 isha anëtar i organizatës atdhetare të formuar dhe të udhëhequr nga ai, i "Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve". Prej vitit 1969 e deri në vitin 1973 isha së bashku në Burgun e Pozharevcit, ku Baca po e vuante dënimin e dytë 15-vjeçar. Pastaj, në vitin 1975 jam dënuar bashkë me Bacën në gjykimin e tij të tretë, së bashku edhe me dëshmorët Rexhep Mala, Isa Kastrati dhe 15 veprimtarët e tjerë. Edhe gjatë viteve të '90-ta të shekullit të kaluar, gjatë aktiviteteve në subjektet politike të asaj kohe, kishim angazhime të përbashkëta. Ndërsa, pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, me Adem Demaçin jam përditë bashkë! Çka do të thotë kjo? Kjo, thënë shkurtazi, nënkupton se nga ky vit grumbullova, sistemova, analizova çdo libër, revistë, gazetë, dokument, faksimile, fotografi dhe poezi, që bënte fjalë për Jetën dhe Veprën e Adem Demaçit. Kështu, gjatë këtyre viteve në Arkivin tim kam sistemuar mbi 10 mijë faqe me dokumente gjyqësore nga të tri gjykimet e Bacës (1958, 1964, 1975), programet politike, dorëshkrimet, intervistat, fjalimet, analizat, opinionet, polemikat dhe reagimet e tij. Nga ky material, deri tash kam botuar librat kushtuar Jetës dhe Veprës së Bacës: "Adem Demaçi në gjykimin e parë - 1958", "Adem Demaçi në gjykimin e dytë - 1964", "Adem Demaçi në gjykimin e tretë - 1975", "Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve - Sipas dokumenteve arkivore", "Demaçi - Metaforë lirie" (libër me mendime dhe vlerësime të rreth 100 personaliteteve të ndryshme për Adem Demaçin), "Demaçi - Aromë atdheu" (libër me 80 poezi të poetëve të ndryshëm kushtuar Adem Demaçit) dhe "Viti i Adem Demaçit" (botuar me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit).

Simbol i bashkimit

Duke e njohur nga afër rrugën e jashtëzakonshme jetësore të Bacës, nga njëra anë, duke e pasur parasysh tërë bagazhin e madh të shkrimeve të Bacës, nga ana e dytë dhe, nga ana e tretë, duke e pasur parasysh krejt atë që është thënë për Bacën, kam vendosur që, me këtë shkrim, të prezantoj një pjesë të mendimeve dhe vlerësimeve të 200 personaliteteve për Bacën. Për Adem Demaçin kanë shprehur mendimet e tyre presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë, kryetarë komunash, historianë, diplomatë, ministra, rektorë universitetesh, ushtarakë, akademikë, shkrimtarë, poetë, kritikë letrarë, analistë, publicistë, bashkëveprimtarë, bashkëvuajtës etj. Për Adem Demaçin nuk kanë folur vetëm personalitetet e shquara shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare por edhe personalitete amerikane, angleze, suedeze, franceze, belge, gjermane, bullgare, serbe, kroate, sllovene, boshnjake etj. Autorë të panumërt, që kanë shkruar për Adem Demaçin kanë zgjedhur fjalët më të bukura, krahasimet më të fuqishme, epitetet më domethënëse dhe metaforat monumetale për të. Për Adem Demaçin thuhet se është simbol i bashkimit, simbol i lirisë, simbol i qëndresës, simbol i guximit, simbol i vetëflijimit, simbol i sakrificës, simbol i durimit, simbol i fitores, simbol i besimit, simbol i ngadhënjimit, simbol i shpresës, simbol i krenarisë, simbol i shpë- timit etj. Për Adem Demaçin, po ashtu, është thënë se është legjendë e gjallë, hero i gjallë, aromë atdheu, metaforë lirie, strateg i rrallë, vizionar largpamës, projektues lirie, frymëzues brezash, krenari kombëtare, nderi i kombit, bashkues brezash, humanist i madh, i panënshtruar, i durueshëm, figurë unike kombëtare, martir i kombit, histori e gjallë, ideator i Lëvizjes Kombëtare, udhërrëfyes lirie, artikulues i ëndrrave të shqiptarëve, personalitet i pazëvendësueshëm, sfidues i madh, korife, yll polar, idhull i brezave, zë i ndërgjegjes kombëtare, flamurtar i Lëvizjes Kombëtare, inspirues i ideve çlirimtare, emër që flet vet, vullkan i pashuar, feniks shqiptar, përmendore e gjallë, burrë me palcë Shqipërie, figurë e spikatur, burrë legjendar, libër i hapur, luftëtar i pathyeshëm, i burgosuri numër një në Jugosllavi, zë i fuqishëm i UÇK-së, pajtues i rrymave politike, udhëheqës shpirtëror, flamurtar në beteja, emblemë kombëtare, titan i pathyeshëm, ikonë e nacionalizmit, zë i guximit, zë i shpresës, zë i forcës, zë i sakrificës etj.

Autor i spikatur

Duke e krahasuar Adem Demaçin me personalitetet e rralla historike, autorë të ndryshëm atë e quajtën: Anteu shqiptar, Zeusi shqiptar, Krishti shqiptar, Prometheu shqiptar, Mesia shqiptar, Drajfusi shqiptar, Mendela shqiptar, Marathonamaku shqiptar etj. Kritikë dhe studiues të letërsisë thanë për Adem Demaçin se ai është: autor i spikatur, letrar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, krijues kulminant në letërsi, rast unik në letërsinë shqipe, model i tregimtarit modern, shkrimtar i terrorizuar, shkrimtar i dalluar i zhanrit romanesk, mjeshtër i rrallë i artit letrar, fenomen i rrallë në letërsi, autor i mesazheve të drejtpërdrejta, etj. Ndonëse ky libër mbanë nëntitullin "Mendime të zgjedhura për Adem Demaçin", megjithatë, këtu do të prezantohen edhe disa mendime, qëndrime, vlerësime dhe analiza të Adem Demaçit për ngjarje dhe procese të veçanta, që janë zhvilluar në Kosovë dhe rreth saj. Duke i prezantuar këto vlerësime të Adem Demaçit, besoj se portreti i tij do të prezantohet më i plotë. Përkitazi me renditjen e këtyre mendimeve të zgjedhura për Adem Demaçin, gjatë tërë kohës së grumbullimit të tyre, që ka zgjatur me vite të tëra, kam pasur dilemat se si të radhiten ato? Herë-herë mendoja që ato të radhiten sipas rëndësisë së personaliteteve që i kanë shprehur ato mendime, herë mendoja që radhitja të bëhet sipas kohës kur janë thënë ato mendime, herë mendoja që të radhiten sipas tematikës që përfshihet në ato mendime (siç janë tematika politike, kombëtare, letrare, publicistike, humanitare, filiozofike, etike etj.). Megjithatë, në fund, vendosa që mendimet të prezantohen sipas abc-së. 

SHKRUAN: SELATIN NOVOSELLA

(Kosova Sot)