Zgjidhja e mesme për imigrantët

Zgjidhja e mesme për imigrantët
  • 07 February 2018 - 08:12

Shkruan: Fareed Zakaria 

Çështja qendrore, e cila e ushqen populizmin në botë, është imigracioni

Emmanuel Macron aktualisht është lideri më i admiruar botëror në mesin e liberalëve, centristëve dhe kozmopolitëve. Ai ia doli që ta fitonte presidencën franceze, të ndërmerrte reforma dhe të mbetet relativisht i popullarizuar - duke u deklaruar pozitivisht rreth tregut të lirë, BE-së, globalizimit dhe tregtisë. Ai e ka bërë këtë përballë një vale të rritjes së populizmit. Cili është sekreti i tij? Një zonë kyçe në lidhje me të, është imigrimi. Të martën, Macron deklaroi edhe një herë se qeveria e tij do të jetë më e ashpër ndaj imigrimit, duke dëbuar ata të cilëve iu refuzohet kërkesa për azil. Ai insistoi se nuk do të lejonte më ndonjë "xhungël" tjetër, duke iu referuar kampeve të shumta të refugjatëve, të cilat ishin spastruar masivisht në vitin 2016. Macron është duke u kritikuar nga e majta dhe është duke marrë urime nga kundërshtarja e tij në zgjedhjet presidenciale, liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Humbja e Merkelit

Macron ka qenë një politikan tepër mendjemprehtë dhe ka gjasa që të bëhet njëri ndër presidentët madhështorë të Republikës së pestë. Ai merr erë nga ai që quhet vullnet i popullit, edhe atë jo vetëm brenda kufijve të vendit të tij. Në Gjermani, Angela Merkel ka përjetuar rënien e mbështetjes së saj, dikur të lartë, nga publiku, rreth një çështjeje të madhe qendrore: vendimit të saj të vitit 2015 për të pranuar më shumë se 1 milion refugjatë, kryesisht nga Siria. Në zgjedhjet e fundit gjermane, në të cilat Merkel e humbi shumicën dhe partia e krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, mori mjaft vota për të hyrë në parlament për herë të parë, ku anketat e opinionit publik tregojnë se 90% të votuesve duan që, personat që iu refuzohet kërkesa për azil, të nxirren më shpejt nga vendi, derisa 71% prej tyre duan që ta kufizojnë numrin e përgjithshëm të refugjatëve. Çështja qendrore e cila e ushqen populizmin në botë, është imigracioni. Për këtë shkak kemi ende populizëm të krahut të djathtë në vendet sikur Gjermania, Holanda dhe Suedia, ku rritja ekonomike është e fuqishme, prodhimtaria është e fortë dhe pabarazia nuk ka pasur rritje dramatike. Donald Trump mposhti 16 kandidatë të talentuar republikanë, për shkak se i mundi në një fushë të veçantë: imigracionin. "Gjëja që baza ime dëshiron më së shumti është muri", kishte deklaruar Trump për "Associated Press". Ndërkohë, demokratët vazhdojnë që të lëvizin kah e majta në ekonomi, duke besuar se kjo do t'i bëjë ata populistë më kredibilë. Por, anketat tregojnë se publiku tanimë është me ta në çështjet ekonomike. Aty ku dallojnë ata dhe, veçanërisht me votuesit e bardhë të klasës punëtore, është çështja e imigrimit. Megjithatë, partia është tani më ekstreme në këtë temë, sesa që ka qenë ndonjëherë. Qëndrimet të cilat i morën dhjetëra senatorë demokratë rreth imigrimit 10 vjet më parë, tani refuzohen nga gati çdo lider partiak. Shumica prej tyre, atëherë, do të pajtoheshin se përzierja aktuale e imigrimit është tepër e orientuar kah bashkimi familjar, dhe ka nevojë që të joshë më shumë imigrantë me aftësi profesionale. Tani, askush nuk pranon që të flasë rreth kësaj çështjeje. Partia tani mbështetë 'qytetet azil', duke sugjeruar se autoritetet lokale duhet të injorojnë ligjet federale, apo edhe të mos iu binden atyre, derisa ato përpiqen që ta zbatojnë ligjin. Paramendoni sikur këtë gjë ta bënin kryebashkiakët republikanë në lidhje me ligjet të cilat nuk iu pëlqejnë në lidhje me armët dhe abortin. Sot është vështirë që të jesh i moderuar në lidhje me ndonjë çështje, në rend të parë rreth imigrimit. Trump e diskuton këtë çështje në mënyra të cilat mua më duken raciste. Fraksione të Partisë republikane janë bërë të shëmtuara dhe shpirtkëqija në ton dhe karakter, duke poshtëruar imigrantët dhe duke inkurajuar nativizmin dhe paragjykimet. Bërja e kompromiseve me këtë lloj të qëndrimeve, duket e pashije, bile edhe jo morale. 

Pjesa më e madhe e imigrantëve vijnë nga kulturat që janë të largëta dhe të ndryshme

Freed Zakaria: Por, megjithatë kjo është njëra ndër çështjet që kërkon 'zgjidhje të ndërmjetme'. Edward M. Kennedy ishte njëri ndër senatorët më liberalë në vend. Senatori John McCain është një konservator i ashpër. Por, përkundër kësaj, ata ishin në gjendje që të pajtoheshin rreth disa kompromiseve në mes të viteve 2000, të cilat do ta zgjidhnin në një masë të madhe bllokadën e çështjes së imigrimit në Amerikë, si dhe zemërimin që e shoqëron këtë. Kanadaja dikur kishte forca të forta nativiste brenda vetes. Por, qyshkur sistemi i saj i imigrimit anoi kah ai i bazuar te aftësitë e imigrantëve, të shoqëruar nga përpjekje të forta për ta reklamuar diversitetin, multikulturalizmin dhe asimilimin, ajo ka më pak zëra të tillë. Dhe, kjo përkundër faktit se Kanadaja tani ka një përqindje substancialisht më të lartë të banorëve që kanë lindur jashtë, sesa SHBA-ja. Shkalla dhe shpejtësia e imigracionit përgjatë dekadave të fundit, është një çështje reale. Vetëm që nga viti 1990, përqindja e njerëzve në Amerikë, që kanë lindur jashtë shtetit, është rritur nga 9?deri 15%. Ky numër gati është dyfishuar në Gjermani dhe në Holandë dhe gati është trefishuar në Danimarkë. Pjesa më e madhe e imigrantëve vijnë nga kulturat që janë të largëta dhe të ndryshme. Shoqëritë mund të përjetojnë ndryshime të mëdha për një gjeneratë. Nëse politikanët tradicionalë nuk i njohin këto realitete dhe insistojnë se, ata që flasin rreth tyre, janë racistë, atëherë ata vetëm sa do të bëjnë që njerëzit të përqafojnë racistët e vërtetë - ku ka shumë sish. 

 

(Kosova Sot)