Rikthimi jo i sigurt i naftës

Rikthimi jo i sigurt i naftës
  • 08 February 2018 - 07:46

RRITJA EKONOMIKE GLOBALE ËSHTË DUKE U SHFAQUR KUDO

Çmimet e naftës janë rritur mbi 60 dollarë për barelë 

Shkruan: MOHAMED A. EL-ERIAN 

Prodhuesit duhet t'i rezistojnë tundimit për të përdorë të ardhurat më të larta të tyre, për rritjen e shpenzimeve. Dhe, ata duhet të veprojnë me të shpejtë për ta forcuar disiplinën e tyre kolektive, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga një situatë, e cila do të mohonte të arriturat e viteve të fundit.

Derisa rritja ekonomike globale është duke u shfaqur kudo, prodhuesit e naftës janë duke u bërë gjithnjë e më me shpresë se, rimëkëmbja impresive e çmimeve do të vazhdojë. Por, nëse dëshirohet që të realizohen këto shpresa, jo vetëm që prodhuesit do të duhet të kontrollojnë atë që munden (duke mbajtur disiplinën e prodhimit); ajo që gjendet jashtë kontrollit të tyre po ashtu duhet të shkojë në favorin e tyre. Vetëm pak më shumë se tri vjet më parë, nafta (WTI) shitej me një çmim më të lartë se 100 dollarë për barelë. Por, duke filluar nga viti 2016, çmimet ranë në rreth 30 dollarë për barelë, për shkak të rënies së kërkesës, furnizimit alternativ (sidomos nga nafta dhe gazi argjilor i SHBA-së), dhe një paradigme të re të prodhimit të OPEC-ut, sipas të cilës karteli, i udhëhequr nga Arabia Saudite, pushoi së qeni një "prodhues jo stabil". Pas kolapsit pasues të të ardhurave nga eksporti dhe të atyre buxhetore, OPEC miratoi një qasje të re, të bazuar te një marrëveshje e modernizuar e prodhimit, me dy tipare kryesore: një fleksibilitet më të madh për vendet që ballafaqohen me kushte shumë komplekse të brendshme (sikur që është Libia) dhe përfshirja e prodhuesve jo anëtarë të OPEC-ut, sidomos Rusisë. Së bashku, vendet anëtare të OPEC-ut dhe vendeve jo anëtare të OPEC-ut, arritën një marrëveshje rreth një themeli, nga i cili do të mund të ngriheshin çmimet e naftës. Me rritjen e ekonomisë globale dhe me paraqitjen e pasigurive gjeopolitike, çmimet e naftës janë rritur mbi 60 dollarë për barelë. 

Rreziqet për uljen e çmimit të naftës

Faza aktuale e rritjes globale është sidomos e mirë për çmimin e naftës, meqë është e sinkronizuar, reale dhe gjithnjë e më shumë vetëforcuese. Ajo është duke u fuqizuar nga një rimëkëmbje e njëkohshme në ekonomitë me rëndësi sistematike në Evropë, Japoni, SHBA dhe në vendet me zhvillim të hovshëm. Dhe, një gjë e tillë është bazuar te fitimet e qëndrueshme në aktivitetin ekonomik, në vend se vetëm te inxhinieringu financiar. Duke pasur parasysh këto tipare, rritja e tashme globale ka filluar që të gjenerojë një rreth magjik midis konsumimit, investimit dhe tregtisë. Dhe, kjo dinamikë mund ta arrijë një momentum edhe më të madh, sidomos nëse masat e fundit pro rritjes në SHBA dhe në Evropë do të përforcohen nga reformat strukturore, nga një menaxhment më i balancuar dhe nga koordinimi i përmirësuar i politikës ndërkombëtare. Në fakt, rreziqet për uljen e çmimit të naftës kanë kaluar nga ana e kërkesës, te ana e ofertës. Çmimet më të larta të naftës janë të prira që të dëmtojnë disiplinën prodhuese në OPEC, sidomos nga anëtarët (sikur Nigeria dhe Venezuela), të cilat në të kaluarën janë ngutur që të siguronin fitime sa më të mëdha, për të zbutur rrethanat e vështira buxhetore, në dëm të vendeve të tjera (sikur Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe). Kjo tendencë e vështirëson më shumë koordinimin me prodhuesit jo anëtarë të OPEC-ut. Nëse kësaj i shtohet rritja e prodhimit nga burimet alternative, atëherë efektet e dobishme të kërkesës janë të kompensuara, në mos edhe tepër të kënaqura.

Kundërvënia e prodhuesve argjilorë

Me disa modifikime të vogla të marrëveshjes aktuale, vendet anëtare të OPEC-ut duhet të jenë në gjendje që ta mbajnë disiplinën e tyre kolektive të produksionit, duke supozuar se nuk do të mungojë vullneti. Ata mund ta kenë më të vështirë që të sundojnë në vendet jo anëtare të OPEC-ut. Por edhe kjo mund të arrihet me anë të negociatave. Kur flitet për faktorët ndaj të cilëve prodhuesit e naftës kanë më pak kontroll, atëherë perspektiva është më pak shpresëdhënëse. Zhvleftësimi i dollarit amerikan në vitin 2017, ka ndihmuar në rritjen e çmimeve të naftës, por ato kanë të ngjarë që të ndalen, e më pas edhe të bien. Nëse dëshirojmë që ta parandalojmë një zhvillim të tillë, atëherë Evropa dhe Japonia duhet të vazhdojnë të tejkalojnë pritjet e tregut. Për më tepër, Banka qendrore evropiane dhe Banka e Japonisë duhet ta forcojnë politikën monetare, duke përfshirë edhe përshpejtimin e zvogëlimit të blerjes së tyre të aseteve të mëdha, më shpejt sesa që pret tregu. Përfundimisht, aty është edhe sfida që vjen nga rritja e prodhimtarisë argjilore. Dhe, prodhuesit tradicionalë të naftës nuk mund të bëjnë shumë për t'iu kundërvënë prodhuesve argjilorë. Duke pasur parasysh këtë, prodhuesit e naftës do të bënin mirë sikur ta trajtonin rritjen e fundit të çmimeve të naftës si fat të përkohshëm, e jo si gjendje të përhershme të gjërave, apo si një trend i cili ka të ngjarë që të përforcohet në vitet në vijim. Kjo d.m.th. se prodhuesit duhet t'i rezistojnë tundimit për të përdorë të ardhurat më të larta të tyre, për rritjen e shpenzimeve. Dhe, ata duhet të veprojnë me të shpejtë për ta forcuar disiplinën e tyre kolektive, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga një situatë e cila do të mohonte të arriturat e viteve të fundit.

(Mohamed A. El-Erian është këshilltar kryesor ekonomik në "Allianz")