Adem Demaçi - Hero i gjallë i Kosovës

Adem Demaçi - Hero i gjallë i Kosovës
  • 09 February 2018 - 09:11

Libri "Mendime të zgjedhura për Adem Demaçin" i autorit Selatin Novosella (3)

SHKRUAN: SELATIN NOVOSELLA

Mendime të zgjedhura për Adem Demaçin

1. ASHK:

Dëshmitarët kundër Adem Demaçit Sipas dokumenteve të Arkivit Shtetëror të Kosovës, në gjykimin e parë të Adem Demaçit, në vitin 1959, dëshmojnë këta dëshmitarë: Din Mehmeti, Syleman Drini, Fahredin Gunga, Ali Aliu, Zekiria Cana, Avdi Avdiu, Anton Pashku, Shefqet Popova, Shemsi Osmani, Ismet Bytyçi, Mehmet Ahmeti, Ruzhdi Xhaferi, Rafael Sopi dhe Sabit Ratkoceri.

2. Avni Dehari: (Veprimtar i çështjes kombëtare)

Lum ai popull që ka një Adem Demaç Lum ai popull që e ka një Adem Demaç dhe mjerë ai popull që nuk di ta shfrytë- zojë kapitalin politik dhe patriotik të Adem Demaçit. Ne, shqiptarët, jemi popull fatlum, që na ka rënë hise ta kemi Adem Demaçin, veprën dhe personalitetin e të cilit e respektojnë dhe admirojnë shumë personalitete dhe popuj të tjerë, edhe pse më herët se ne i kanë zgjidhur problemet me të cilat po ballafaqohemi.

3. Avni Rudaku: (Kritik letrar)

Portreti unikat i Adem Demaçit në librin "Adem Demaçi - Biografi" Në librin e Shkëlzen Gashit "Adem Demaçi - Biografi", portreti i Adem Demaçit na del me cilësi hiperpozitive, kombëtariste, personalitet tej-unik, vizionar, obsesivo-shqiptarist, i palëkundur në regjimin e tmerrshëm për idetë e tij, me cilësi të rralla të guximit të asaj kohe të mosguximit, me aftësi të jashtëzakonshme për mbijetesë dhe për të gjetur shpresë për të jetuar, me ndërtim personaliteti që nuk mund të shumëzohet lehtë as me klonimin e mjekësisë bshkëkohore.

4. Bamir Topi: (President i Republikës së Shqipërisë)

Adem Demaçi - Hero i gjallë i Kosovës Unë sot ndihem krenar që, në emër të Shtetit shqiptar, të nderoj me dekoratën më të lartë "NDERI I KOMBIT" një emër qëndrese dhe disidence, një intelektual atdhetar të shquar, shkrimtarin dhe veprimtarin e të drejtave të njeriut, "Mandelën e Kosovës" dhe heroin e gjallë të Kosovës, Adem Demaçin. Miku im Adem, jemi me fat që ju kemi sot midis nesh.

5. Baron Krespo: (Kryetar i Parlamentit Evropian)

Çmimi Sakharov Adem Demaçit iu dha me vota të fshehta Komisioni politik, në bazë të letrës së 8 nëntorit 1991, ia ka përcjellë propozimin Byrosë së zgjeruar, ku, në mbledhjen e kësaj byroje më 21 nëntor 1991 ka vendosur, me vota të fshehta, që Çmimi Sakharov për vitin 1991 t'ia japin Adem Demaçit.

6. Bedri Selmani: (Afarist)

Adem Demaçi nuk e pranoi paqen në robëri Adem Demaçi është tribun shpirtëror i çështjes kombëtare, i cili në lutën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë simbol dhe përfaqësues ideologjik i kësaj ushtrie. Ai, ndër të parët nga ne, e kuptoi se nuk ka "paqe në robëri" dhe tërë këtë e arsyetoi duke vepruar në kauzën se të gjitha ato kombe që kanë pranuar "paqen në robëri", janë dy herë të robëruar, moralisht dhe ekonomikisht.

7. Begzad Baliu: (Profesor i Universitetit të Prishtinës)

.Adem Demaçi - personalitet i veçantë Adem Demaçi është i veçantë, së paku për tri arsye: e para, ai ishte i burgosur politik në ish-Jugosllavi, por jo disident i formatit të të burgosurve politikë të popujve tjerë; e dyta, ai ishte veprimtar politik që drejtonte një organizatë ilegale të Lëvizjes çlirimtare; dhe, e treta, ai ishte njeriu kryengritës me prirje të veçanta letrare.

8. Behare Rexhepi: (Veprimtare e çështjes kombëtare)

Adem Demaçi - sinonim i lirisë Në tërë diasporën shqiptare, emri i Adem Demaçit ishte bërë sinonim i lirisë. Emri i Demaçit ishte bërë referencë kyçe për kërkesat e shqiptarëve që iu drejtoheshin institucioneve botërore.

9. Bedri Islami: (Kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës)

Emri i Adem Demaçi ishte emër shprese Shumë prej të burgosurve politikë, që ishin, tashmë, në radhët drejtuese të Lëvizjes Ilegale apo të strukturave drejtuese të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin qenë me vite shokë të burgut të Adem Demaçit. Ai e kishte ndarë atë copë qelie dhe dhimbjen e burgimit me Fehmi Lladrovcin, Xhavit Halitin, Azem Sylën, Sejdi Gegën, Hasan Ukëhaxhajn, Ali Ahmetin, Shaban Mujën etj. Me shumë prej tyre, ose më saktë, me të gjithë ata e kishte ruajtur miqësinë edhe pas daljes nga burgu dhe, ndoshta në vete e kishte ndjerë se koha e tyre kishte shkuar para kohës së tij. Megjithatë, vetë emri i Demaçit, në fillimin e vitit 1998, ishte një emër shprese. Idealistët po shkonin drejt shpresës.

10. Beqir Musliu: (Shkrimtar) Adem Demaçi në tabanin tonë kombëtar e shkruajti emrin shqiptar Adem Demaçi personifikon emrin tim dhe tëndin, ai është Ne, i shumëzuar në mijëra, miliona dhe në bazament të tabanit tonë kombëtar e shkruajti emrin tonë të madh, emrin shqiptar. Legjenda e gjallë ecë me këmbët e veta dhe futet në katakomb për të vdekur për qenien tonë shqiptare.

11. Besnik Mustafaj:

(Shkrimtar) Adem Demaçi - i panënshtruari i durueshëm Nuk besoj se ka shqiptar që nuk vihet në mendime, kudo që të ndodhet në botë, kur sheh se Adem Demaçi ka marrë vendimin për t'u mbyllur në grevë urie. Jeta dhe vepra e tij dëshmojnë më së miri, tashmë, jo vetëm guximin e tij, jo vetëm përkushtimin e tij, por edhe maturinë e tij. Adem Demaçi ka qenë dhe është i panënshtruari i durueshëm.

12. Branko Horvat:

(Ekonomist -kandidat për çmimin NOBEL) Adem Demaçi kishte për qëllim ta fitonte të drejtën për vetëvendosje për viset e banuara me shqiptarë në Jugosllavi Shkrimtari Adem Demaçi, i cili në vitin 1963 themeloi organizatën "Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve", kishte për qëllim ta fitonte të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shqiptarë në Jugosllavi. Është në burg, me ndërprerje, më tepër se 23 vite.

13. Bujar Dugolli:

(Kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës) Baca Adem Demaçi na tha studentëve: "Bravo, ju studentët e keni dhënë provimin!" Më 21 gusht 1997 e vizituam Adem Demaçin në selinë e Partisë Parlamentare të Kosovës, të cilën atyre ditëve e udhëhiqte Baca. Pritja ishte shumë e ngohtë. Adem Demaçi na përgëzoi për vendimin tonë në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës për organizimin e Protestës së ardhshme të 1 Tetotit 1997. Baca Adem na tha: "Ju, si Union, si studentë e keni dhënë provimin. Bravo ju qoftë"!

14. Daniel Leuwers:

Adem Demaçi - pasardhës i figurave eminente dhe të jashtëzakonshme si Nelson Mendela, Dupçeku dhe Hang Suu Ki Adem Demaçi është bartës i një çështjeje të madhe kombëtare e që kishte përfunduar me pavarësinë e vendit të tij, për çka kishte punuar dhe aq shumë e kishte dashur. Fati ka dashur që lufta e Adem Demaçit për t'i mbrojtur të drejtat më elementare të shqiptarëve të Kosovës, që ka qëndruar mbi 28 vite burg të rëndë, ka fituar. 

EMRI I ADEM DEMAÇI ISHTE EMËR SHPRESE

(Kosova Sot)