Largimi i të infiltruarve, shpëtim për LDK-në

Largimi i të infiltruarve, shpëtim për LDK-në
  • 10 February 2018 - 07:50

Klasa politike, e kapur nga klanet mafioze

Shkruan:  Florim Zeqa 

 

Përderisa klani "Pronto" e degradoi shtetin dhe vetë PDK-në, klani "Coca Cola Zero" e shkatërroi grupimin më të fuqishëm opozitar-VV-në. Ngjashëm dhe paralelisht me këto dy klane është duke vepruar edhe klani "RIINVEST", i cili është i angazhuar për rrënimin në themel të LDK-së rugoviane, këtyre tri shkronjave të arta të epokës së lavdishme të rezistencës popullore kundër pushtuesve serbosllavë

Slogani politik "LIDHJA", i lansuar në prag të fushatës së zgjedhjeve lokale të 19 nëntorit 2017 nga klani "RIINVEST" ishte paralajmërimi më i keq për rrënimin e tri shkronjave të arta të epokës rugoviane-LDK. Si për nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja "Lidhja" ishte gjithçka tjetër pos jo LDK, pra ishte slogan; i grupeve të interesit, i lidhjeve klanore, lidhjeve familjare, lidhje e urithëve të nëntokës kriminale dhe lidhje e të infiltruarve politikë në LDK. Në fakt, "Lidhja" është tradhtia e parë publike dhe loja më djallëzore që u shndërrua në maskaradë mashtruese për elektoratin rugovian. Propaganda e uzurpatorëve dhe puçistëve të LDK-së kundër zërave kritikë është e vrazhdë dhe e pakompromis. Neve që mbajtëm dhe vazhdojmë të mbajmë në thumb të kritikave rrënuesit e frymës rugoviane në LDK, po na etiketojnë me terma të ndryshëm, nga "përçarës deri në armiq të LDK-së". Në fakt, është e kundërta e saj, përçarës dhe armiq të LDK-së, respektivisht të frymës rugoviane në LDK janë grupet e interesit brenda saj, karrieristët dhe lakmitarët e pushtetit, sahanlëpirësit dhe urithët e nëntokës së LDKsë. I quajta pikërisht kështu, sepse urithët e nëntokës, të rreshtuar pas liderit të partisë, i forcuan lidhjet kriminale me nëntokat e partive të inkriminuara rivale të LDK-së për arritjen e ambicieve personale për pushtet, punësimin e familjarëve të tyre nëpër institucionet e kapura shtetërore e deri tek privilegjet tjera, të dhuruara nga sundimtarët e nëntokës kriminale. Shpërfaqja më e keqe e të Infiltruarve në LDK po ndodh nga deputetët e saj në seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës me rikthimin e sloganit "KAPËSIT E SHTETIT" pas heshtjes trevjeçare në qeverisje me kapësit e shtetit! Kjo formë e hipokrizisë politike nga të infiltruarit e SHIK-ut në LDK, përsëritet sa herë që këta të fundit kalojnë në opozitë, për t'u harruar në çastin e ribashkimit në qeverisjen e vendi.

Unifikimi i elektoratit rugovian, imperativ kohor

Deshi apo nuk deshi, i pëlqeu apo jo lidershipit aktual, kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm zemërimi i elektoratit rugovian të LDK-së është në prag të shpërthimit vullkanik. Unifikimi i elektoratit rugovian për të larguar të Infiltruarit, këta uzurpatorët e frymës rugoviane nga LDK-ja, përveçse një proces natyral, është edhe i vetmi shpëtim ashtu siç ishte unifikimi i popullatës shqiptare në vitet e '90-ta për ta larguar okupatorin serb nga Kosova. Pas 28 vjetëve të ekzistencës së LDK-së si ishsubjekt politik i traditës unifikuese të shqiptarëve të Kosovës, ka ardhur koha që elektorati besnik i frymës rugoviane të bashkohet si një trup i vetëm për largimin sa më parë nga kreu i këtij subjekti e të infiltruarve dhe jo vetëm kaq, largimin edhe të sejmenëve, që me devotshmëri ua mbajtën "zhagun" të infiltruarve, këtyre shkatërrimtare të frymës rugoviane në LDK. Një unifikim i elektoratit rugovian do t'i ndihmonte e gjithë skenën politike kosovare, ngase aq tmerrshëm është bastarduar skena politike kosovare, saqë i ngjet një degradimi fatal për qytetarët e pashpresë në shtetin e Kosovës. Sot secili prej qytetarëve të vendit e mendon në mënyrën e vet largimin e pa kthim nga vendi i lindjes. Përderisa klani "Pronto" e degradoi shtetin dhe vetë PDK-në, klani "Coca Cola Zero" e shkatërroi grupimin më të fuqishëm opozitar-VV-në. Ngjashëm dhe paralelisht me këto dy klane është duke vepruar edhe klani "RIINVEST", i cli është i angazhuar për rrënimin në themel të LDK-së rugoviane, këtyre tri shkronjave të arta të epokës së lavdishme të rezistencës popullore kundër pushtuesve serbosllav. Klasa politike e kapur nga klanet mafioze aq keq e ka katandisur Kosovën, saqë jo vetëm popullata vendore, por edhe mërgimtarët viteve të fundit gjithnjë e më pak janë duke e vizituar Kosovën. Është tepër e dhimbshme, kur dëgjon mërgimtarët e dëshpëruar, me shpirt të thyer dhe zemër të plagosur, të thonë; "nuk do të kthehem më asnjëherë në Kosovë", shkaku i zhgënjimit në partitë politike dhe politikanët e korruptuar kosovarë, pa dallim pozitë dhe opozitë, në një shtet pa pikë perspektive dhe shtet tërësisht në duart e krimit të organizuar e mafio-oligarkisë kriminale. Kështu qytetarët e Kosovës të vetmen shpresë për një jetë më të mirë po e kërkojnë duke gjetur mënyra për të ikur sa më shpejt e sa më larg Kosovës , duke ikur nga ky shtet i kapur nga mafiopolitikanë e mafio- oligarkët ekonomikë. Shpresa e vetme për ndaljen e këtij trendi negativ ka mbetur subjekti më i vjetër në skenën politike kosovare, subjekti model i ndarjes nga sistemi totalitar jo vetëm në Kosovë, por në mbarë rajonin e trazuar të Ballkanit

Përderisa klani "Pronto" e degradoi shtetin dhe vetë PDK-në, klani "Coca Cola Zero" e shkatërroi grupimin më të fuqishëm opozitar-VV-në. Ngjashëm dhe paralelisht me këto dy klane është duke vepruar edhe klani "RIINVEST", i cili është i angazhuar për rrënimin në themel të LDK-së rugoviane, këtyre tri shkronjave të arta të epokës së lavdishme të rezistencës popullore kundër pushtuesve serbosllavë

 

Thirrje nga shpirti

Të nderuar vëllezër dhe motra, elektorat besnik i LDK-së! Ne veprimtarët e viteve të 90-ta, nuk e kemi të lehtë të pajtohemi me realitetin e pasluftës, e në veçanti të këtyre viteve të paspavarësisë. Ne, që nuk jemi mësuar t'i themi të zezës e bardhë, nuk mund t'i themi as sot, as nesër dhe asnjëherë. Ju, që më njihni nga aktiviteti politik i viteve të 90-ta, miq të nderuar mërgimtarë dhe ju të tjerë që më njihni vetëm përmes shkrimeve, besoj se keni arritur mjaftueshëm të më kuptoni për angazhimin tim indirekt politik në shërbim të popullit dhe vendit të cilit i takoj. Përkrahja ime e vazhdueshme për LDK-në post-rugoviane, nuk ka qenë përkrahje ndaj një lideri të caktuar, nuk është sot dhe nuk do të jetë as në të ardhmen, sikurse që edhe kritikat nuk kanë të bëjnë kundër një individi të caktuar, por kundër një orientimi të gabuar politik. Pas shkuarjes në amshim të liderit të LDK-së dhe presidentit historik të Kosovës, nga njëra palë zgjedhje në tjetrën kemi pasur rënie drastike të elektoratit në zgjedhje. Humbjet e vazhdueshme të LDK-së në zgjedhje nuk janë produkt i "ngritjes" së partive të tjera, por janë rezultat i mosdaljes së elektoratit rugovian në zgjedhje, si pasojë e humbjes së besimit në lidershipin partiak. Keqmenaxhimi, orientimet e gabuara politike dhe lidhjet e koalicioneve të panatyrshme me rivalët politikë ishin fatale për LDK-në. Koalicioni i fundit me PDK-në i vitit 2014 dhe dalja nga shtrati politik rugovian i LDK-së në zgjedhjet e fundit lokale përmes sloganit me "Lidhja", të këtij slogani me prapavijë të errët politike nga ana e klanit "RIINVEST", i vërteton të gjitha shqetësimet tona për tendencën e tjetërsimit të tri shkronjave të arta "LDK", të cilat për shqiptarët e Kosovës së viteve të '90-ta ishin shpresë e besë, unitet e rezistencë kundër pushtuesit serb. Vetëm me unifikimi e gjakut të pastër dardan, me bashkimin e shpirtrave dhe zemrave rreth vizionit rugovian është e mundur nxjerrja e LDK-së nga kthetrat e uzurpatorëve, puçistëve dhe urithëve të nëntokës kriminale, si një kusht i vetëm për kthimin e besës dhe shpresës për jetë në trojet tona etnike. Secili që ndjen veten rugovist duhet të gjykojë me arsye të pastër dhe mendje të shëndoshë. Të mos mashtrohet nga lakmia për pushtet dhe privilegje personale dhe as të mos rrëmbehet nga zemërimi i çastit. LDK-ja është shtëpi e madhe dhe e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Kosovës, parti e besës dhe shpresës, e traditës dhe vlerave kombëtare. Ne, ashtu siç jemi kalimtarë në këtë bote, të tillë duhet të mbetemi edhe në shtëpinë tonë të përbashkët në LDK, kontributi ynë modest personal le të jetë një pikë ujë në oqean,...në interesin e forcimit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të partisë konform nevojave dhe kërkesave të kohës. Të mendojmë për gjeneratat që vijnë pas nesh, t'u lëmë në dorë një trashëgimi të shëndoshë, një vizion të pastër politik, ku secili të ndjehet i barabartë dhe i dinjitetshëm në shtëpinë rugoviane. Të mos mbetemi peng i një fije të hollë ndarëse (rreth liderit të partisë), por të unifikohemi rreth 99 fijeve të tjera që na bashkojnë, rreth një qëllimi dhe vizioni të përbashkët, për ndërtimin e një shteti ligjor dhe demokratik ashtu siç e kishte projektuar arkitekti i shtetit tonë, presidenti historik Ibrahim Rugova.

LDK-JA ËSHTË SHTËPI E MADHE DHE E PËRBASHKËT E TË GJITHË QYTETARËVE TË KOSOVËS

(Kosova Sot)