Pa SHBA-në, Kosova nuk ka ardhmëri

Pa SHBA-në, Kosova nuk ka ardhmëri
  • 11 February 2018 - 10:34

Grabitja e tokave shqiptare (4)

SHKRUAN: PROF.DR.HAKIF BAJRAMI

Aleksandër Vuçiqi më 24 korrik 2017, lansoi opsionin për "Zgjidhjen përfundimtare-opsionin e fundit", për Kosovën. Këtë propozim, Presidenti i Serbisë e lansoi nën ndikimin e triumfalizmit politik, duke moralizuar se: "fëmijëve tanë nuk mund t` u lëmë më dilema në jetën e tyre", sepse kështu e mëson mafia ruso-klerofashiste. Dhe, menjëherë në Beograd u lajmërua KOS-i me "mesjetarizmin" e saj. Më 31 tetor 2017 "Opsioni i fundit", u zëvendësua me "Forumin e Sigurisë". Ky forum më 13 nëntor 2017 i tuboi në Beograd 22 institucione ku dominonin 50 punonjës shkencorë, të cilëve iu bashkëngjiten edhe 40 juristë-diplomatë të njohur serbianë e të tjerë. Në tubim vërehej prania e ngjizur SerbiRusi, ku fjalën kritike e pritnin nga KOSi, Akademia, Institutet, Universitet dhe Shoqëria civile. Kjo e fundit u paraqit në shkallë konkrete me një broshurë-program, prej 75 faqesh, prej së cilës në të ardhmen do të mund të nxirret një përfundim agresiv, kuptohet kundër Republikës Kosovës. Si 'Opsion të fundit", shumë studiues aty paraqitën zgjidhjet për ardhmërinë e Kosovës dhe Serbisë përmes : Konfederatës; Unionit real; Staus quos; Union personal, duke aluduar në dinasti-kralevinë, dhe, askund duke mos e përmendë se Kosova së pari duhet të fshihet nga Kushtetuta e Serbisë, e pastaj të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur nga 17 shkurti 2008. Pra, së pari duhet të ndodhë pranimi i dyanshëm e pastaj fillon dialogu në mes dy shteteve të barabarta. Pra, si është vepruar deri më tash në Bruksel, pa flamur (në bisedime të BE e gjetiu), me fusnotë, duke u na tradhtuar ngadalë pala e Kosovës por sigurt, sikurse vepronin titistët për një gjysmë shekulli.

Qëllimi final i Vuçiqit dhe Daçiqit (rusëve) është për ta devijuar rreshtimin e Kosovës

Askush nga të pranishmit në Beograd, më 13 XI 2017, nuk e tha shkoqur se si do të quhej ai shtet i "konfederatës, unionit, apo statusit më shumë autonomi e më pak republikë", ku Beogradi si në kaluarën në shkallë monstruoze do ta ndrydhte çdo liri dhe progres në Kosovë, duke i vënë në plan të parë dy manastire, të cilat janë ndërtuar në themele të kishave shqiptare ( Graçanica më 930, dhe Deçani më 972 të erës sonë), por prej mjeshtërve shqiptarë, dhe prej taksave të tyre deri në 85%(shiko dok. Sveta Gora në Greqi, në AS, e veçantë). Qëllimi final i Vuçiqit dhe Daçiqit (rusëve) është për ta devijuar rreshtimin e Kosovës kah SHBA, kah BE, OKB, UNESCO, INTERPOL, etj. organizata që i shërbejnë globalizmit dhe në një shkallë drejtësisë universale Perëndimore. Së këndejmi, sa më shpejtë që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, aq më shumë "Republika e Klintonit dhe e Bushit", do të pavarësohet nga Shqipëria, dhe kahja e shigjetës do të kthehet jo kah Danubi, por kah Durrësi, çuditërisht e natyrshme dhe pashmangshëm e pritur. Sikur me këtë dioptri politike del se më mirë është që nuk na kanë pranuar Lindorët, deri sa shteti më i ri në Evropë të forcohet. Por, disi filozofia politike më thotë se Rruga e Kombit e ka vulosë çdo ëndërr tradhtie ndaj shqiptarëve përgjithmonë, kuptohet duke mos u shkëputur kurrë për jetë e mot, nga vizioni i: Villsonit, Trumanit, Bushit plak, Klintonit, Bushit të Ri dhe të tjerë që vijnë. Pra, pa SHBAnë, Kosova nuk ka ardhmëri, edhe pse faktori i brendshëm është vendimtar, dhe duhet të jetë më stabil se kurrë, për faktorizim kah bashkimi kombëtar, kah SHBA dhe BE, andej kah e kemi vendin gjithmonë.

Gjenocidi klasik kundër shqiptarëve

Po si do të duken bisedimet apo nuk do të kishte bisedime fare, pa u njohur Serbia dhe Kosova ndër veti, pa i paguar Serbia dëmet e luftës dhe pa u kërkuar falje shqiptarëve, sepse mbi 1 milionë i ka deportuar jashtë Kosovës (gjenocid klasik), pa i kompensuar Serbia sikurse nazistët (Nirenberg e tutje…) viktimat njerëzore dhe materiale, nuk ka shërim të plagëve që mendojnë, flasin dhe akuzojnë një komb të fashizuar serbianë më 1989-1999. Si duket serbianët kanë harruar se si bënin gara deputetët në Kuvendin e Serbisë se cili ka qenë më aktiv në krime në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë. Faktet kanë mbetur. Rreth 17000 padi janë kundër kriminelëve serbianë në Kosovë. Por asnjë, ama asnjë nuk është proceduar në gjykata. Ky realitet nuk mund të abortohet, dhe çdo provë për të na tradhtuar sërish Kosovën, me titizëm, do të shkojë në mbeturinat e monstrumizimit politik, që ndjek KOS-i dhe Rusia, për ta zgjeruar perandorinë post-komuniste dhe postmilosheviqiste, pansllaviste, duke përdorur disa çarqe dhe shtete si satelitë, për të gjetur ndonjë "shtet guvernator", e që sipas Rusisë do të ishte prapë Serbia robëruese e Kosovës. Po, Serbia nuk e dinë se gjatë viteve 1981- 1999 pas shumë pësimeve të shqiptarëve, e ka humbur luftën; Serbia sikur nuk e di se në GJND më 2010 ka marrë autogol; Serbia si duket nuk do të pranojë se në BH dhe Kosovë ka bërë gjenocid; Serbia sikur e ka harruar se më 31 mars 1998, KS OKB e ka kërcënuar me zbatimin e Kaptinës VII të Kartës së OKB (nenet 39-43), e që do të thotë bombardim nëse eskalon me krime monstruoze, si veproi në tërë Kosovën; Serbia ende mendon se do të pijë ujë filozofia e saj dhe e KOS-it se "askujt nuk duhet të i vjen keq që i terrorizojmë shqiptarët (1878-1999), se duam të i civilizojmë, sepse nuk dinë të krijojnë shtet, sepse këtë obligim ndaj tyre mund ta kryej vetëm "populli i qiellit"-serbianët; se "serbianët vetëm me armatimin e Shoqatës gjuetarëve do të marshojnë deri në Tiranë dhe Durrës" e gjepura tjera serbiane neofashiste. Për fat të keq dhe të mirë te Serbët gjithmonë i kemi dy popuj: ata që mësojnë se shqiptarët nuk mund të civilizohen dhe ata që vërtetojnë se shqiptarët janë popull i shkëlqyeshëm dhe fqinjë të mirë. Ja se çka shkruante "Nedelna Dalmacija" më 25 shkurt 1990: "Shqiptarët e Kosovës janë tash shembull eklatant ku shteti "mëson" shkollën e terrorit politik tash e dhjetë vjet. Pas luftës (1918) nuk kemi pasur problem, sepse mbreti Aleksandër secilit kolonist ia jepte pushkën me 130 fishekë dhe kishim të drejtë t'i vrasim dhe kështu do të duhej të veprohej edhe sot," do të konkludojë një pop serbian. Ndërsa, Vasa Çubriloviqi dikur programer për shfarosjen e shqiptarëve më 7-8 mars 1987, në "Borba" do të deklarojë: "Duke marrë parasysh rrethanat e ndryshuara historike, konsideroj se populli shqiptar do ta realizojë rrugën e bashkimit të vet, mirëpo jo në çfarëdo varianti të Shqipërisë së Madhe, por në një mënyrë tjetër specifike: me ndërtimin e përbashkët të federatës socialiste ballkanike, me popujt e tjerë, dikur në shekullin XXI". Tani shtrohet pyetja. Sa herë kanë dështuar idetë për federata ballkanike (kanë dështuar më :1858; 1921-1923; 1930-1943; më 1947, dhe çka po ndodh sot (2017) në BE, çka ndodhi me eurokomunizmin(vitet e 60-ta të shekullit XX), çka ndodhi me BE-në dhe Brexit-in; si cilësohet sot globalizmi? Jo, shtetet nacionale janë zgjidhja e ardhmërisë, duke respektuar fqinjësitë deri në maksimum. Koha e diktatit ka kaluar. Prandaj, Vuçiqi po provon që përmes titizmit të përpunuar t` i tradhtojë shqiptarët sërish. Kujdes politikanë shqiptarë, me çfarë niveli të diturisë hyni në bisedime me Beogradin. Shikoni si keni biseduar deri me tash në Bruksel, pa shenja të shtetësisë, sepse "pleqnari" ishte hilexhi, prandaj nuk ka bisedime pa SHBAnë. Po, edhe Serbia do të insistojë që në Bruksel të jetë Rusia, por "malli i saj është me afat të skaduar". Kujdes, askënd nuk e bën partia apo pozita largpamës pa ekipi profesional shkencor. Më nuk na ka faj askush nëse tradhtohemi sërish, sikurse më 1945 dhe 1989. Faji nuk është jetim, mbetet i nivelit kombëtar të diturisë, plus forcës sonë bashkuese. Serbia ndaj Kosovës e ka filluar një luftë të re speciale, finalja e së cilës nuk dihet se ku do të përfundojë. Ata që provojnë bajraktarizëm pa dituri, do ta marrin në qafë sërish këtë popull të urtë, punëtor dhe të BESËS. Fund.

(Kosova Sot)