Koha për ta zgjidhur lëmshin në Siri

Koha për ta zgjidhur lëmshin në Siri
  • 14 February 2018 - 10:50

ESKALIMI I LUFTËS 

E mërkura ishte ditë e çuditshme dhe e frikshme në Siri, bile edhe sipas standardeve të Lindjes së Mesme

Shkruan: David Ignatius 

Amerika dhe Turqia janë duke shkuar me hapa të ngadalshëm drejt konfrontimit të tyre, qyshkur SHBA-ja vendosi ta shkatërronte ISIS-in, tri vjet e gjysmë më parë. Partnerët e vetëm sirianë, të aftë për ta kryer këtë punë, ishin kurdët, të cilët veten e quanin Forcat Demokratike Siriane (SDF)

Në pasditen e hershme, komandantët ushtarakë amerikanë, me ndjenjën e të qenit fitimtarë ndaj ISIS-it, ishin duke qëndruar në një pikë vrojtimi dhe ankoheshin ndaj sulmeve që ishin duke u kryer kundër partnerëve të tyre kurdë, sirianë nga një forcë rebele, që mbështetet nga Turqia, aleatja jonë në NATO. Dhe, disa orë më pas, rreth 100 milje në juglindje, trupat tokësore, që mbështesin regjimin sirian të Bashar al-Assadit, sulmuan një qendër të luftëtarëve kurdë të Sirisë dhe partnerët e tyre nga Forcat speciale amerikane të operimit, pesë milje në lindje të Eufratit dhe, me gjasë, afër fushave siriane të naftës. Koalicioni i udhëhequr nga amerikanët u përgjigj ashpër me anë të sulmeve ajrore. Ushtria amerikane nuk dha asnjë detaj, por forcat ruse e kanë mbështetur regjimin sirian në zonën "Deir al-Zour". Të shtënat vazhduan deri natën vonë dhe mund të paraqesin një eskalim të konsiderueshëm të luftës këtu.  

Linjat e qarta të ndarjes

Leksioni i të së mërkurës, në të dy frontet, është se kjo fushëbetejë është tepër e ngarkuar dhe është duke rrëshqitur në mënyrë të rrezikshme afër një konflikti shumë më të gjerë. Amerika dhe Turqia janë duke shkuar me hapa të ngadalshëm drejt konfrontimit të tyre, qyshkur SHBA-ja vendosi ta shkatërronte ISIS-in, tri vjet e gjysmë më parë. Partnerët e vetëm sirianë, të aftë për ta kryer këtë punë, ishin kurdët, të cilët veten e quanin Forcat demokratike siriane (SDF). Turqia ishte e zemëruar, duke thënë se ky grup kurd ishte 'terrorist'. Por, Ankaraja kurrë nuk qe në gjendje që ta ofronte një alternativë për mposhtjen e ISIS-it, kështu që SHBA-ja vazhdoi. Kur rusët u kyçën në këtë konflikt, në vitin 2015, SHBA-ja u përpoq që të caktonte linja të qarta të ndarjes. Por, kjo u tregua të ishte një punë delikate dhe e pasigurt. Këto kontakte ruse janë më me rëndësi tani, sesa ndonjëherë më parë. Si mundet SHBA-ja ta zgjidhë këtë lëmsh, në mënyrë që të mbarojë punë kundër ISIS-it? Amerika ka nevojë për "dialog" dhe "deeskalim" të shpejtë me Turqinë, thotë gjenerallejtënant Paul Funk, komandant i forcave amerikane në Siri dhe Irak. Kampanja kundër ISIS-it është 'duke u ngadalësuar', thotë ai dhe, ky qetësim i gjendjes mund t'ua bëjë të mundur këtyre njerëzve që të ikin në Turqi, e më pas edhe në Evropë. Rreth 40 milje më larg, në perëndim, gjendet zona kurde, e quajtur Afrin, të cilën avionët turq dhe artileria turke janë duke e sulmuar që nga muaji i kaluar. 

Asgjë në Lindjen e Mesme nuk është në tërësi ashtu sikur që duket

Forcat speciale amerikane kanë bërë mrekulli këtu, duke bashkëpunuar me SDF, duke dëmtuar kontrollin e ISIS-it ndaj Sirisë lindore. Por, ne jemi duke iu afruar asaj që mund të bëjë fuqia ushtarake. Hapi tjetër kërkon diplomaci. Është inkurajues fakti që këshilltari i sigurisë kombëtare, H. R. McMaster, do të shkojë në Ankara, këtë fundjavë. Ai do të bënte mirë sikur ta trajtonte krizën me Turqinë si një mundësi dhe të fillojë diskutimet pa zhurmë të cilat eventualisht do të mund të çonin deri te një dakordim të interesave amerikane dhe atyre turke. Manbij ilustron sesi beteja kundër ISIS-it ishte fituar nga SHBA-ja dhe partnerët e saj të SDFsë dhe si duket rimëkëmbja post ISIS. Trotuaret e rrugës "Jalla" në qendër të qytetit ishin aq të ngarkuara me blerës të mërkurën, sa që ishte më lehtë të ecje në rrugë. Në një tezgë të vogël, duke shitur kolonjë burrash, Fawaz al-Khannem kujton sesi parfumi i preferuar i luftëtarëve të ISIS-it ishte një parfum me misk i quajtur "Sulltan". Tani aty gratë blejnë fustane me ngjyra të ndryshme, me xixa, por edhe xhinsi të shqyera. Ndoshta pika më e ndritur në këtë qytet të çliruar, është një shkollë e vajzave, ku janë kthyer nxënëset, pas viteve të tëra gjatë të cilave ishin në arrati nga ISIS. Derisa i ndërpresim në mes të orës së frëngjishtes, nxënëset e klasave të larta flasin rreth planeve të tyre. Ato janë të grimuara dhe janë të veshura me rroba me ngjyra të ndryshme. Një vajzë me emrin Aisha bartë një mbulesë ngjyrë rozë. Asgjë në Lindjen e Mesme nuk është në tërësi ashtu sikur që duket. Çdo fitore hapë derën për një problem të ri, por asnjë pengesë nuk është aq e pakapërcyeshme sa që sugjeron retorika luftënxitëse. Të mërkurën, derisa forcat e mbështetura nga Turqia sulmonin një pikë kontrolli të SDF-së, disa kamionë ishin mbledhur për të kaluar nga Manbij në zonën e kontrolluar nga turqit. Regjimi sirian lejoi protestuesit kurdë që të kalonin nëpër territorin e kontrolluar nga ta, për të shkuar në Afrin; më vonë, po atë ditë, forcat pro regjimit sulmuan kurdët gjetiu. Në ndërkohë, derisa politikanët turq hungërinin ndaj Amerikës, ushtritë turke dhe amerikane vazhdonin me bashkëpunimin e tyre të rregullt. Forcat e kurdëve të Sirisë kanë qenë partnerë të guximshëm të Amerikës, por edhe një partner i papërshtatshëm. Heqja dorë nga ta do të ishte një gabim i madh, por gabim do të ishte edhe të lejohet acarimi i këtij konflikti. Ushtria amerikane e bëri punën e saj në Siri. Tani ka ardhur koha e diplomacisë së përkushtuar. 

(Kosova Sot)