Reshat Murati, simbol atdhedashurie dhe humanizmi - Opinione - Kosova Sot
Reshat Murati, simbol atdhedashurie dhe humanizmi

Reshat Murati, simbol atdhedashurie dhe humanizmi

Në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës 

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Puna vlerëmadhe dhe fotografitë e shkrepura me dorën e tij, janë një thesar i çmuar për gjurmuesit dhe shënjuesit e historiografisë së mërgatës tonë

Historia e mërgimit të shqiptarëve drejt shteteve europerëndimore është e gjatë dhe e dhimbshme. Fluksi i largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike varion prej situatave politike në rrethanat e okupimit klasik serb. Fillimi i viteve të '90-ta shënon fluksin më të madh të migrimit të shqiptarëve si pasojë e largimit nga puna dhe si produkt i dhunës sistematike të regjimit fashisoid të Milosheviqit ndaj shqiptarëve. Edhe pse larg vendlindjes, shqiptarët me shpirte të thyer dhe zemër të plagosur, me mall për vendlindje dhe urrejtje ndaj armikut shekullor që u vlonte si vullkan në shpirtrat e tyre filluan organizimin në forma të ndryshme; klube, shoqata organizata dhe parti politike. Njëri nga bashkatdhetarët e viteve të '90 që emigroi në Gjermani është edhe Reshat Murati nga Peja, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, humanist dhe aktivist i dalluar i LDK-së. Kështu, Reshati me t'u vendosur në Viersen ( Gjermani ) kyçet në Aktivin e LDK-së me seli në këtë qytet, i zgjedhur më pas me votat e bashkatdhetarëve në postin e Sekretarit të Përgjithshëm në këtë Aktiv të LDK-së i cili udhëhiqej nga kryetari z. Hilmi N. Gashi. Ky aktiv asokohe numëronte rreth 300 anëtarë të rregullt që përkohësisht punonin dhe vepronin në Viersen të Gjermanisë, qytet ky që shtrihet për rreth kufirit me Holandën dhe asokohe numëronte mbi 200 mijë banorë. Prioritet i Kryesisë së Aktivit të LDK-së në Viersen ishte organizimi dhe mobilizimi bashkatdhetarëve për pjesë- marrje masive në demonstrata, internacionalizimin dhe sensibilizimin e autoriteteve vendore (gjermane) me gjendjen dhe realitetin mbi Kosovën e pushtuar, pastaj hapjen e shkollës për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, grumbullimin e mjeteve për financimin e fondit të Republikës së Kosovës, grumbullimin e ndihmave dhe mjeteve financiare për familjet e rrezikuara ekonomikisht në Kosovë përmes Fondit Humanitar me seli në Achen, si dhe përgatitja e oficerëve dhe nënoficerëve dhe vullnetarëve për luftën e drejt të UÇK-së, si dhe dërgimin e sigurt të tyre në Shqipëri.

Aktivist i palodhshëm

Në vazhdën e organizimit të protestave dhe demonstratave të bashkëkombësve nga Aktivi i Viersenit, si gjithnjë Reshat Murati ishte i renditur në radhët e para. Vlen të përmendet pjesëmarrja e tij në këto demonstrata:Disseldorf, Bon, Bruksel, Denhag, Zhenevë, Bernë dhe në Paris të Francës. Lidhur me internacionalizimin dhe sensibilizimin e autoriteteve gjermane për gjendjen aktuale në Kosove, Aktivi i LDK-së i Viersenit ka organizuar disa mbrëmje informative, në të cilat merrnin pjesë qindra qytetarë gjerman, në mesin e të cilëve kishte personalitete të shquara si: profesor, doktor shkencash, jurist, akademik, kryetar bashkie, etj,...përmes të cilëve pala gjermane gjithnjë informohej me kohë dhe saktësisht çfarë po ndodhte në Kosovë. Kryesia e Aktivit të LDK-së në Viersen ishte e kyçur direkt me Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), të udhëhequr gjatë asaj kohe nga veprimtari Enver Maloku. Vlen për të theksuar se me të gjitha materialet ishte i ngarkuar sekretari i Aktivit, veprimtari besnik i çështjes kombëtare Reshat Murati. Punë e madhe dhe me vlerë ishte bërë edhe me hapjen e paraleles së Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, ku falë punës së palodhshme të Reshat Muratit për një kohë relativisht të shkurtër ishin grumbulluar të gjitha të dhënat e fëmijëve në Viersen e rrethinë si dhe kërkesa me shkrim, e cila u paraqit para Ministrisë për Arsim në Gjermani. Kështu në saje të seriozitetit dhe besueshmërisë që autoritetet gjermane kishin krijuar ndaj Resaht Muratit kërkesa ishte pranuar pa asnjë hezitim dhe sot e asaj dite vazhdon së vepruari Shkolla Shqipe në Viersen. Rreth grumbullimit të mjeteve financiare për fondin e Republikës së Kosovës, fillimisht u formuan komisionet rajonale dhe lokale në Viersen e rrethinë, pjesë e së cilave ishte edhe Reshat Murati. Ky komision fillojë së vepruari nga fillimi i muajit maj të vitit 1992, ku Reshat Murati ishte anëtarë i komisionit lokal dhe kryetar i komisionit të 3 %, i cili për detyrë kishte shpërndarjen e fletëpagesave si dhe marrjen e tyre pas kryerjes së pagesës si dhe përgatitjen e numrit të parapaguesve si dhe nxjerrjen e shumës mujore, gjegjësisht bilancin financiar mujor, respektivisht sa mjete janë grumbulluar nga bashkatdhetarët me emër e mbiemër, si dhe cilët ishin ata që nuk i kanë kryer obligimet rreth vendimit Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil. Lidhur me grumbullimin e mjeteve për ndihmë familjeve të rrezikuara në Kosovë, në kuadër të Aktivit të LDK-së në Viersen, u furnizuan me artikuj ushqimor dhe gjëra tjera elementare për jetë bashkëkombësit tonë në Kosovë. Vlen për t'u theksuar se Aktivi i LDK-së në Viersen, për nderë të festave kombëtare ka organizuar koncerte dhe ka ftuar mysafirë si nga Kosova po ashtu edhe nga Shqipëria dhe Ilirida, sidomos për festat e nëntorit, si dhe në akademi përkujtimore dhe përvjetorë të ndryshëm. Në përudhen e luftës çlirimtare, gjegjë- sisht në vitet 1998/99, Aktivi i LDK-së në Viersen organizoj tubime me pjesëmarrjen e të gjithë atyre që shprehen dëshirën të marrin pjesë drejtpërdrejt në luftën e UÇK-së në Kosovë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës u bë rekrutimi dhe organizimi i oficerëve e nënoficerëve dhe ushtarëve vullnetarë për të qenë pjesë e luftës çlirimtare, të cilët përmes kanaleve të sigurta janë dërguar deri në Shqipëri, ku nga aty u janë bashkangjitur shtabeve të luftës, të cilat më pas i kanë dërguar në vijat e frontit. Përveç kësaj, shtabet e luftës janë pajisur dhe forcuar me mjete logjistike dhe gjëra të tjera të nevojshme ushtarake.

Enciklopedi e gjallë e aktiviteteve të mërgatës në Diasporë

Pas përfundimit të luftës çlirimtare, organizimi i mërgatës ndryshon në formë dhe përmbajtje. Kryesisht aktivitetet e mërgatës janë të përqendruara në organizimin e aktiviteteve kulturore, në shënimin e festave kombëtare dhe shtetërore, si dhe organizimin e evenimenteve të tjera kulturoresportive. Edhe përkundër gjendjes jo të mirë shëndetësore, Reshat Muratin e gjen kudo në aktivitetet e mërgatës, si në Gjermani ashtu edhe shtetet e tjera, si: Zvicër, Belgjikë, Holand, Austri, etj. Reshat Murati ka bashkëpunim të shkëlqyer me shumë shoqata në Gjermani dhe Zvicër, duke mos kursyer asgjë nga vetja për begatimin e aktiviteteve dhe aspektit publicitar të tyre. Ashtu sikurse para lufte, edhe pas saj, Reshat Murati i prirë nga pasioni për fotografinë dhe nga dëshira për të fokusuar çdo eveniment të mërgatës, me blicin e Aparatit të tij fotografik ka shënuar pothuajse çdo ngjarje dhe aktivitet të mërgatës në shtetet europerëndimore. Më mirë se çdo fjalë dhe çdo varg flasin fotografitë e shkrepura nga aparati i tij, përmes të cilave Reshat Murati është shndërruar në enciklopedi të gjallë të mërgatës sonë. Puna vlerëmadhe dhe fotografitë e shkrepura me dorën e tij, janë një thesar i çmuar për gjurmuesit dhe shënjuesit e historiografisë së mërgatës tonë. Në këtë përvjetor jubilar të pavarësisë së shtetit tonë, duke e përgëzuar Reshat Muratin për punën vlerëmadhe kombëtare, i urojmë shëndet e jetëgjatësi, suksese të mëtejme në profesionin e tij prej fotografi dhe veprimtari të shquar të çështjes kombëtare. 

PAS PËRFUNDIMIT TË LUFTËS ÇLIRIMTARE, ORGANIZIMI I MËRGATËS NDRYSHOI NË FORMË DHE PËRMBAJTJE

(Kosova Sot)

23 orë e 29 minuta më parë
15/12/18