Berisha, Thaçi, Rama, Mustafa, Meta dhe "elita" aktuale politike, bëjuni shqiptarëve një të mirë historike, largohuni! - Opinione - Kosova Sot
Berisha, Thaçi, Rama, Mustafa, Meta dhe "elita" aktuale politike, bëjuni shqiptarëve një të mirë historike, largohuni!

Berisha, Thaçi, Rama, Mustafa, Meta dhe "elita" aktuale politike, bëjuni shqiptarëve një të mirë historike, largohuni!

Për demokraci dhe ndërtim të shtetit ligjor

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI 

Është koha që shqiptarët të veprojnë për ta larguar elitën politike dhe për ta dëbuar atë nga politika, nga pushteti, nga autoriteti i pamerituar dhe i korruptuar i tyre. Duhet larguar dhe dëbuar kjo "elitë" politike, në mënyrë që shqiptarët të moslargohen nga atdheu prej arrogancës, prej korrupsionit, prej të padurueshmes dhe prej padrejtësive 

Duke parë, duke dëgjuar e duke vështruar; duke parë dhe duke prekur realitetin gjithdimensional të politikës, të drejtësisë, të mosintegrimit, të moszhvillimit, të mosmirëqënies, të papunësisë ,të varfërisë, të korrupsionit, të drogës dhe të eksodit që vijnë si pasojë e mosqarkullimit të elitave politike, patriotike ,demokratike dhe intelektuale dhe e kalbjes, e gërryerjes dhe e kriminalizimit të sistemit, e vetmja shpresë te shqiptarët për ndryshimin është largimi nga politika i kësaj elite politike kudoshqiptare si autorja e këtij realiteti dështak dhe mjeran në Shqipëri dhe në Kosovë. Sikur 5% të ishin të vërteta akuzat e ndërsjella të politikanëve shqiptarë kundër njëritjetrit, akuzat publike të opinionit qytetar, intelektual dhe mediatik si dhe këshillimet, ankimet, konstatimet dhe akuzat e ndërkombëtarëve për këta drejtuesit kryesorë të politikës shqiptare si dhe për politikanët shqiptarë në përgjithësi , vetëm ky 5% -ësh do të kishte qenë tepër mjaftueshëm të paktën moralisht që politikanët shqiptarë të tillë minimalisht duhet të largoheshin nga politika. MT: Degradimi i politikanit Kur pushteti dhe pangopësia me të, politikanit ia errëson pamjen dhe ky verbim nuk e lejon atë që ta vështrojë realitetin; kur pangopësia e mbërthen me grykësinë për të rrëmbyer të gjitha: autoritet, pushtet, famë e pasuri nxitimthi; dhe kur si realitet politikani njeh dështimin, kotësinë dhe dukjen e panevojshme kudo e në çdo vend dhe kurdoherë e në çdo kohë, për t'u paraqitur si shpëtimtar, madje edhe atëherë kur ai bën zullumin dhe tradhtinë, korrupsionin dhe krimin,dhe kur vetëm te pushteti ai gjen kënaqësinë, këtij politikani dështak: "triumfi dhe lavdia" e tij kthehen në mjerim, dramë e fatkeqësi për popullin e tij. Ky politikan i rrëmbyer nga marrëzia, pangopësia dhe nga urrejtja e mizoria nuk di se çfarë bën me pushtetin e tij, dhe për zullumet, korrupsionin dhe për pabesitë e tij atë e mbërthen frika dhe ankthi,dhe kjo frikë dhe ky ankth nuk e lë atë që të largohet nga politika dhe as nga pushteti, sepse vetëm te pushteti ai ka besim dhe siguri për pandëshkueshmërinë. Është koha që shqiptarët të veprojnë për ta larguar elitën politike dhe për ta dëbuar atë nga politika, nga pushteti, nga autoriteti i pamerituar dhe i korruptuar i tyre. Duhet larguar dhe dëbuar kjo "elitë" politike në mënyrë që shqiptarët të moslargohen nga atdheu prej arrogancës, prej korrupsionit, prej të padurueshmes dhe prej padrejtësive që atyre u vijnë nga këta dhe nga kjo elitë e keqe politike që ka mbërthyer dhe grabitur gjithçka. Koha e demokracisë nuk mund të bllokohet dhe as të pengohet nga rrangallat dhe vjetërsirat politike dështake, si: Berisha, Thaçi, Rama, Mustafa e Meta dhe shumë të tjerë të përjetshëm të politikës, jo vetëm për faktin se janë "lodhur", "plakur" dhe konsumuar, por edhe sepse janë bërë tepër të pabesueshëm dhe të neveritshëm e të gërditshëm jo vetëm te opinioni i gjerë publik dhe kombëtar shqiptar por edhe te aleatët e shqiptarëve,te SHBA-ja dhe te BE-ja. Këta, dhe kjo elitë politike, apo ky establishment politik si në Shqipëri dhe në Kosovë nuk janë lodhur dhe plakur as nuk janë thinjur nga shqetësimet dhe as nga puna e përkushtimi i tyre për shtetin, për shqiptarët, për mirëqenien ,për drejtësinë dhe për integrimin e Shqipërisë e Kosovës, por janë lodhur dhe plakur si dhe janë konsumuar prej korrupsionit, prej hajnive dhe prej mashtrimeve e gënjeshtrave të keqqeverisjeve të tyre të cilat realisht kanë qenë "arritjet" dhe "realizimet më të mëdha" të kësaj elite politike shqiptare për 27 vjet në Shqipëri dhe për 19 vjet në Kosovë.

Shqiptarët vuajnë nga padrejtësia

Këta dhe elita politike rreth tyre janë shteruar dhe nuk kanë më as vizion, as alternativa dhe janë shterpëzuar dhe nuk prodhojnë më as besim dhe as ide; kjo "elita" politike partiake e parlamentare, kjo "elita" qeverisëse dhe administrative injorantësh e mbajnë peng shtetin dhe shoqërinë shqiptare, e mbajnë peng zhvillimin dhe integrimin , e mbajnë peng ligjin dhe drejtësinë. Prej kësaj elite politike shqiptarët vuajnë nga mjerimi, papunësia, nga korrupsioni dhe nga padrejtësia dhe prandaj vetëm sa largohen nga atdheu. Një gjë e di besoj me siguri, atë se për këto se çfarë shkrova shkurtimisht më sipër janë dakord shumica e qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, pasi prej atyre këto edhe i dëgjon dhe prej atyre edhe i mësojmë këto të vërteta,dhe këto i dinë mirë edhe ndërkombëtarët. Këtë e them me siguri, sepse shqiptarët i dinë shumë mirë të gjitha të vërtetat. Dhe, këto të vërteta i dinë shumë mirë edhe aleati i madh i shqiptarëve, që është SHBA-ja, dhe SHBA gjithnjë edhe ua ka thënë drejtpërsë- drejti shqiptarëve të vërtetat, sepse: demokracia, politika e qeveria amerikane gjithmonë thonë të vërtetën. Kurse politika dhe "demokracia" në Shqipëri dhe në Kosovë nuk thonë e nuk punojnë për të vërtetën, sepse politika dhe qeverisjet e pushtetet shqiptare punojnë vetëm për veten e tyre dhe për pasojë dhe si rrjedhojë punojnë pandershmërisht kundër demokracisë, kundër interesit publik dhe e fshehin dhe manipulojnë me të vërtetën dhe me realitetin. E vërteta më e madhe sot te shqiptarët, te të dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, janë: politika e keqe dhe e kriminalizuar, korrupsioni dhe drejtësia( padrejtësia). Dhe, po kështu dihet se autorët dhe shkaktarët kryesorë të këtij realiteti janë ata që janë cituar në titullin e këtij shkrimi si dhe strukturimet dhe keqfunksionimi i infrastrukturës dhe i superstrukturës politike, administrative dhe juridike i kësaj elite politike të sotme të cilat e keqmenaxhojnë ligjin, shtetin, politikën, demokracinë dhe drejtësinë, këta të cilët e kanë kapur të tashmen dhe e mbajnë të tashmen dhe të ardhmen peng të së kaluarës. Por ajo që nuk kuptohet është kjo: se si ka mundësi që shqiptarët e dinë të vërtetën por nuk arrijnë për ta realizuar dhe për të arritur te ajo? Dhe, cila është arritja e munguar? Është ndërtimi i shtetit ligjor me standarde moderne, sundimi i ligjit, konstruktivizmi dhe funksionimi konstitucionalist i shtetit, triumfi i patriotizmit real si dhe realizimi i proceduralizmit të vërtetë demokratik. Shqiptarë veproni tani nëse doni ta ndihmoni veten, veproni tani dhe mbështeteni fort zbatimin e VETTING-ut, sepse shqiptarët dhe vetëm shqiptarët më shumë se kushdo tjetër në Evropë kanë nevojë për VETTING-un, për drejtësinë dhe për ndihmën e SHBA-ve. Shqiptarët vuajnë nga padrejtësia ,pra shqiptarët kanë nevojë për drejtësinë, por ama edhe drejtësia ka nevojë për mbështetje nga njerëzit kombëtarë dhe nga shoqëria patriotike të cilët e duan drejtësinë, lirinë, atdheun dhe shtetin e tyre. Berisha, Thaçi, Rama , Mustafa e Meta dhe shumë politikanë të tjerë, bëjuni një "të mirë" shqiptarëve që juve t'u mbetet si diçka "e mirë" në Histori, largohuni nga skena politike! Vetëm kështu, nëse largoheni, ju do të kontribuonit për t'i dhënë lirinë demokracisë, patriotizmit,shtetit ligjor, progresit ,mirëqenies dhe integrimit të shqiptarëve.

E VËRTETA MË E MADHE SOT TE SHQIPTARËT, TE TË DY SHTETET SHQIPTARE, SHQIPËRIA DHE KOSOVA, JANË: POLITIKA E KEQE DHE E KRIMINALIZUAR

(Kosova Sot)

10 orë e 33 minuta më parë
11/12/18