Optimizmi dhe Lindja e Mesme

Optimizmi dhe Lindja e Mesme
  • 18 February 2018 - 07:59

KRIJIMI I NJË BALANCE MË STABILE TË PUSHTETIT

SHBA-ja dhe Turqia, shtete të NATO-s, mund të luftojnë kundër njëra-tjetrës

Shkruan: Fareed Zakaria

Ka shumë shkaqe të cilat sot mund të na bëjnë të ndihemi optimistë. Në secilën pjesë të botës ekonomia është në rritje dhe varfëria, luftërat dhe sëmundjet janë duke u tkurrur. Por, më pas, e kemi situatën në Lindjen e Mesme

Siria mbetet një vend në kolaps; më shumë se 5 milionë njerëz janë larguar nga ky vend. Jemeni tani është vendi me urinë më të madhe dhe, lufta atje nuk duket se do të marrë fund së shpejti. Iraku, derisa mezi e ka marrë veten disi nga lufta e vet civile dhe lufta kundër ISIS-it, vlerëson se i nevojiten rreth 100 miliardë dollarë për t'u rindërtuar - para të cilat ai nuk i ka. Dhe, rreziku për një konflikt më të madh në regjion duket më se i pranishëm. Tani jemi duke parë luftimet midis Turqisë dhe aleatëve të amerikanëve në regjion dhe këmbim të zjarrit midis Izraelit dhe Sirisë. Së fundmi, sulmet ajrore amerikane vranë me gjasë disa dhjetëra mercenarë rusë në Siri, një eskalacion shqetësues nga kundërshtitë e ish Luftës së ftohtë. Duke u marrë me këtë situatë të paqëndrueshme, administrata Trump kryesisht duket e paangazhuar. Strategjia e saj, nëse mund të quhet e tillë, ka nënkuptuar intensifikimin e qëndrimit antiiranian, duke nën kontraktuar politikën e jashtme ndaj Izraelit dhe Arabisë saudite. Por, ngjarjet më të fundit e bëjnë të qartë se kjo nuk është duke funksionuar. Në numrin më të ri të revistës "Foreign Affairs", shkencëtari i Lindjes së mesme, Vali Nasr, apelon një të rimenduar fundamental të politikës amerikane ndaj Iranit. Administrata është duke vepruar duke u bazuar te supozimi se, jostabiliteti në Lindjen e Mesme, është pasojë e një Irani të ngritur që kërkon ta përhapë ideologjinë e tij. Irani shpesh përshkruhet në korridoret e Uashingtonit si "më i interesuar që të jetë kauzë, sesa vend". Strategjia e Iranit Nasr thekson se ky pretendim është i gabueshëm. Jostabiliteti i sotshëm në Lindjen e Mesme nuk e ka origjinën te ambiciet e Teheranit. Ky ishte rezultat i invazionit amerikan në Irak në vitin 2003, gjë që kishte prishur ekuilibrin e fuqisë midis shteteve arabe dhe Iranit, duke rrëzuar Saddam Husseinin dhe duke lejuar përhapjen e kaosit. Irani filloi të ndiqte interesat e tij në mënyrë intensive, duke ushtruar ndikim te vendet fqinje. Ai nuk është munduar që ta përhapte fundamentalizmin islamik, në fakt, ai ka qenë në frontin e parë të luftimit të terrorizmit sunit, të grupeve sikur ISIS. Strategjia e Iranit ka qenë sidomos e suksesshme meqë Irani vepron në vendet ku ka aleatë të fortë lokalë (Iraku, Siria, Jemeni), është i gatshëm që të përdorë trupat dhe milicinë, si dhe luan një lojë të gjatë. Kundërshtarët e tij nuk i kanë këto përparësi. SHBA-ja dhe Izraeli - autsajderë në botën arabe - kryesisht luftojnë nga qielli. Por, dominimi nga ajri i ka kufizimet e veta në aspektin e formimit të realiteteve politike në terren. Nasr më tha se, rëndësi të madhe ka fakti që Siria - e cila mbështetet nga Irani dhe Rusia - qe në gjendje që ta rrëzonte një avion luftarak izraelit. "Kjo është hera e parë në 30 vjet që një sulm ushtarak izraelit ka hasur në reagim. Kjo e nënvizon faktin se sa vështirë do të jetë që të largohen Irani dhe Rusia nga Siria". Ndërkohë, Turqia është duke ndërmarrë veprime gjithnjë e më vendimtare në Sirinë veriore kundër forcave kurde, të mbështetura nga Amerika. Kjo ngrehë mundësinë që, në një moment të caktuar, SHBA-ja dhe Turqia, shtete të NATO-s, të luftojnë kundër njëra-tjetrës. Ku janë shtetet arabe në këtë lojë gjeopolitike? "Realiteti më mbresëlënës rreth luftës për pushtet në Lindjen e Mesme tani", thotë Nasr, "është mungesa e arabëve. Shikoni luftimet më të fundit. Janë të gjitha fuqi jo arabe - iranianët, turqit, rusët, izraelitët dhe amerikanët - të përfshirë në operacione luftarake për të përcaktuar se kush do ta formësojë botën arabe". 

Rusia, fuqia e vetme ndërmjetësuese në Lindjen e Mesme

Në këtë aspekt, larg të qenit fuqi revolucionare, Irani përpiqet që ta ratifikojë status quon, kryesisht sepse ka fituar. Prania e tij në Irak dhe Siri tani është e ngulitur. Aleati i tij sirian, Bashar alAssad, ka mbijetuar dhe e ka konsoliduar pushtetin mbi Sirinë e shkatërruar. Përpjekjet e Arabisë saudite për ta luftuar ndikimin e Iranit në Jemen, Liban dhe Katar, deri më tani kanë dështuar. Katari tani është më afër Iranit dhe Turqisë dhe mosmarrëveshjet brenda botës arabe vazhdojnë që të thellohen. Nga ana e saj, Rusia - pasi është rreshtuar përkrah Iranit, derisa vazhdon që të mbajë lidhje të ngushta me Izraelin - është paraqitur si një lloj i balancuesit të jashtëm, sikur që ishte SHBA-ja dikur. "Rusia ... është bërë fuqia e vetme ndërmjetësuese në Lindjen e Mesme, me të cilën flasin të gjithë", shkroi Nasr në "Foreign Affairs". Kjo jo për shkak se Rusia është e fuqishme, por për shkak se ka qenë e mençur. Që nga viti 1973, kur Henry Kissinger në esencë përzuri rusët nga Lindja e Mesme, SHBA-ja ka qenë fuqia më e dalluar e jashtme. Ajo është duke e humbur këtë rol me anë të kombinimeve të lodhjes, mosangazhimit dhe një refuzimi kokëfortë të pranimit të realiteteve në terren. Një qasje tjetër - angazhimi me Iranin dhe puna me Turqinë dhe Rusinë - do të mund ta kthente SHBA-në në vendin e saj unik në regjion dhe të ndihmonte në krijimin e një balance më stabile të pushtetit në atë që mbetet pika më neuralgjike në botë. 

(Kosova Sot)