Jo president e as kryeministër të përbashkët, por ribashkim të Kosovës me Shqipërinë, përkatësisht të Shqipërisë Etnike

Jo president e as kryeministër të përbashkët, por ribashkim të Kosovës me Shqipërinë, përkatësisht të Shqipërisë Etnike
  • 20 February 2018 - 09:48

PROPOZIMI UTOPIK NUK MUND TË REALIZOHET, SEPSE NUK KA KURRFARË BAZE LIGJORE SIPAS SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Kryeministri aktual i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e rastit në Kuvendin e Kosovës, më 17 shkurt 2018, duke uruar 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës (2008-2018), deklaroi se "Kosova e Shqipëria, duhet të kenë një president të përbashkët. Ky do të ishte simboli më i mirë i një uniteti të të dyja vendeve. Kjo deklaratë absurde dhe apolitike e "bosit të kanabisit", është provokim i ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe, njëherazi, edhe nxitje e politikës serbomadhe të Beogradit dhe të Pales, që Aleksandar Vuçiq, Ana Bërnabiq dhe Milomir Dodik, të kërkojnë një president të përbashkët të Serbisë, të Republika Srpska dhe të Rusisë! Gjithashtu, ky propozim kafenesh dhe bixhozçinjsh në stilin "luaje derën, kur s'ke punë të tjera më të mençura" si thotë populli, do të ndikojë pozitivisht, që Greqia dhe Qiproja greke, të kërkojnë një president të përbashkët, që FYROMI dhe Bullgaria, të kenë një president të përbashkët, që Moldavia dhe Rumania të kenë një president të përbashkët, që Iraku dhe Kuvajti të kenë një president të përbashkët, që Kina dhe Tajvani të kenë një president të përbashkët, që Koreja Jugore dhe Veriore të kenë një president të përbashkët, që Bangladeshi dhe Pakistani të kenë një president të përbashkët… etj.

Broçkullat politike

Ky është një propozim utopik, që nuk mund të realizohet, sepse nuk ka kurrfarë baze ligjore sipas së drejtës ndërkombëtare. Mirëpo, nëse populli i Shqipërisë dhe i Kosovës kërkon dhe deklarohet me REFERENDUM se do ribashkim të Kosovës dhe të Shqipërisë, kjo, juridikisht është plotësisht e drejtë, e pranueshme dhe e justifikueshme sipas normave dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Prandaj, për të arritur një objektiv të tillë politik, kombëtar dhe diplomatik , që Kosova dhe Shqipëria të kenë një president të përbashkët sipas broçkullave politike dhe propagandistike infantile dhe provokuese të kryeministrit Edi Rama, së pari, Kosova dhe Shqipëria, duhet të bashkohen në një shtet të vetëm. Kjo është "metodologjia" procedurale, që parashikon e drejta ndërkombëtare. Pra, "kafshët politike" të Arsitotelit, duhet të dinë se, nuk mund të ketë "president" a "kryeministër" të përbashkët për dy shtete të ndryshme siç janë Kosova dhe Shqipëria, sepse jemi në shekullin XXI, jo në kohën e bashkimit të mbretërive dhe monarkive, që u përkasin shekujve XVIII dhe XIX.

Propozimi i Edi Ramës, "Kosova e Shqipëria me një president", është kopje e zbehtë dhe e vulgarizuar e idesë së Gafurr Adilit dhe e Koço Danajt

Kur më 2002, ne sugjeruam idenë dhe platformën për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përkatësisht për ribashkimin e gjithë kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, qendrat e vendosjes së politikës shqiptare (Tiranë dhe Prishtinë) na i ndërsyen kuislingët, ujqërit, zagarët dhe qenët e agjenturave të ndryshme ballkanike sllave, duke u përpjekur, që të na arrestonin dhe burgosnin vetëm pse me plotë drejtë kërkonim, atë që e kërkojmë edhe sot- ribashkimin e gjithë kombit shqiptar, jo vetëm të Kosovës me Shqipërinë. E tash, pas dy dekadash, na doli Edi Rama, duke shitur "broçkulla të ftohta" se, kinse qenka më e dobishme, që "Kosova e Shqipëria të kenë vetëm një president!? E, po meqë sot (2018) nuk qenka "mollë e ndaluar" ideja që "Kosova e Shqipëria të kenë një president", pse Edi Rama nuk po kërkon ribashkimin e Kosovës dhe të Shqipërisë, por vetëm një president të vetëm, duke harruar edhe një kryeministër të vetëm!? Kjo ide e Ramës është vetëm cirk mashtrues për opinion kombëtar shqiptar dhe, një provokim i keq i opinionit evropian dhe ndërkombëtar nga i cili mund të përfitojë vetëm politika dhe propaganda serbo-ruse, që mund të marrin si model propozimin e Edi Ramës, duke shtyrë kryeministren serbe Ana Bërnabiq dhe presidentin Aleksanda Vuçiq, që të kërkojnë nga Duma Ruse, emrimin e një presidenti të përbashkët të Serbisë dhe të Federatës Ruse.

Ky mund të jetë kundërefekti pozitiv i propozimit naiv politik i Edi Ramës, asgjë tjetër në dobi të interesit nacional dhe shtetëror të Kosovës dhe të Shqipërisë. Ia vlen të theksojmë se që nga viti 2002, kur u themelua Fronti për Bashkimin Kombëtar Shqiptar (FBKSH) në Tiranë, kryetari i tij Gafurr Adili pati kërkuar, që Kosova e Shqipëria të kenë jo vetëm një president,një kryeministër ,një qeveri, por të ketë një shtet të përbashkët (Kosovë - Shqipëri) si hap i parë drejt ribashkimit gjithëkombëtar dhe të Shqipërisë Etnike. Këtë e thotë edhe Platforma politike e FBKSH-së. Mirëpo, për një ide të këtillë, më 2003 u arrestua dhe u burgos kreu drejtues i FBKSH-së, Gafurr Adili. Mirëpo, pas disa muajsh lirohet i pafajshëm nga ana e Gjykatës së Apelit të Tiranës. -Ndoshta, të kishte qenë kryeministër, ose agjent i ndonjë "llozhe" të huaj, nuk do të arrestohej dhe nuk do të përndiqej midis Tiranës! Për lirimin e tij, veç avokatëve sipas detyrës, u angazhuan edhe shumë aktivistë dhe simpatizues të FBKSH-së me komentet, me analizat, me letrat e hapura, me apelet, si dhe me kërkesat zyrtare drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Kryeministrit Fatos Nano. Një kërkesë e këtillë iu drejtuar Alfred Moisut në faqen e tij zyrtare të Presidencës, si dhe në masmediat e shtypura dhe elektronike shqiptare (korrik 2003).

(Kosova Sot)