VETTING nuk do të thotë amnisti për të kriminalizuarit që tërhiqen nga VETTING-u

VETTING nuk do të thotë amnisti për të kriminalizuarit që tërhiqen nga VETTING-u
  • 20 February 2018 - 13:44

Për krimin, korrupsionin e vjedhjet

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Nuk duhet të ndodhë me VETTING-un ashtu sikurse ndodhi në këto 27 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ku askush nuk u ndëshkua as moralisht dhe as ligjërisht për krimet e komunizmit

Nëse prokurorët dhe gjyqtarët e të gjitha shkallëve në Shqipëri, ata të cilët tërhiqen apo dorëhiqen për t'i shpëtuar hetimit të VETTING-ut , nëse ata të cilët janë të kriminalizuar dhe të korruptuar me tërheqjen e tyre fitojnë të "drejtën" e mos hetimit dhe të mosndëshkimit , kjo do të përbënte një turp tjetër të madh të drejtësisë në Shqipëri dhe shumë të rëndë madje, i cili do të ishte rehabilitimi apo amnistia e krimit. Ky do të ishte një pakt apo një marrëveshje institucionale e krimit me drejtësinë , një pazar i tillë se: largohu nga pushteti i drejtësisë në mënyrë që të mos ndëshkohesh për krimin, për korrupsionin dhe as për vjedhjet, pasurimin dhe abuzimin kriminal të fituar duke spekuluar dhe shitur te drejtën shtetërore dhe të drejtat e qytetarëve, pra spekulimin dhe matrapezllëqet me ligjin. Pra, VETTING-u nuk duhet të jetë marrëveshje e kushtëzuar mes krimit dhe drejtësisë. 

Në liri do t'i gëzonin të gjitha përfitimet abuzive ekonomike

Me krimin në shtetin ligjor nuk ka marrëveshje por ka zbatim ligji dhe ndëshkim për të gjithë ata që abuzojnë dhe e shkelin ligjin. Vetëlargimi nga drejtësia, nga profesioni i gjyqtarit dhe prokurorit nuk do të thotë mos hetim dhe mos ndëshkim për ta. Besueshmëria ,pra kthimi i besimit qytetar dhe publik te drejtësia do të thotë hetim dhe vetting , dënim dhe ndëshkim edhe për gjyqtarët e prokurorët me rekorde kriminale si për ata të cilët nuk vetëlargohen nga VETTING-u ashtu edhe për ata që vetëlargohen duke shpresuar që t'i shpëtojnë VETTING-ut. P.sh., nuk mund t'i shpëtojë VETTING-ut as gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, i cili vetë u tërhoq nga VETTING-u ,por dhe as ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i akuzuar për korrupsion të rëndë, të cilit iu ndalua, atij dhe familjes së tij, hyrja në SHBA po për këtë arsye. Nëse do të ndodhë që të vetëlarguarit do t'i shpë- tonin hetimit dhe VETTING-ut, atëherë gjithmonë gjyqtarët dhe prokurorët do të bënin krimin, korrupsionin dhe spekulimin me ligjin dhe mjafton një dorëheqje nga VETTING-u dhe ata në liri do t'i gëzonin të gjitha përfitimet abuzive ekonomike, pasurore dhe financiare të fituara në mënyrë kriminale, abuzive dhe korruptive. 

Politikanët shqiptarë, të kriminalizuar dhe të korruptuar

VETTING do të thotë monitorim dhe funksionim si një gjykatë mbi gjykatën dhe prokurorinë shqiptare, pra funksionim si një gjykatë speciale që të hetojë, ta monitorojë dhe kontrollojë gjithnjë drejtësinë në Shqipëri po deshëm që të ndërtojmë një shtet modern,demokratik dhe ligjor të vërtetë. Nuk duhet të ndodhë me VETTING-un ashtu sikurse ndodhi në këto 27 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri ,ku askush nuk u ndëshkua as moralisht dhe as ligjërisht për krimet e komunizmit. Tani me VETTING-un duhet të ndëshkohen autorët e krimeve të paskomunizmit, dhe jo vetëm të mjaftohet vetëm me vetëlargimin e disa prej gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dhe nuk do të ishte i mjaftueshëm vetëm hetimi, pastrimi dhe VETTING-u për vetëm gjyqtarët dhe prokurorët por paralelisht duhet të fillojë e të funksionojë rreptë edhe VETTING-u për politikanët shqiptarë të kriminalizuar dhe të korruptuar, që edhe ata të dëbohen nga politika por edhe të ndëshkohen penalisht për veprat kriminale e korruptive të tyre.

VETTING DO TË THOTË MONITORIM DHE FUNKSIONIM SI NJË GJYKATË MBI GJYKATËN DHE PROKURORINË SHQIPTARE

(Kosova Sot)