Refuzimi nga "Kosova Sot" i dekoratës së presidentit Thaçi ishte refuzim ndaj regjimit e klaneve të tij

Refuzimi nga
  • 21 February 2018 - 08:04

Gazeta nuk e refuzoi se ajo nuk e meritonte, pasi dekorata për këtë media është një minimum fare i vogël për atë se çfarë meriton

"Kosova Sot" e refuzoi dekoratën, sepse misioni i saj si media e lirë, plotësisht e pavarur, e paanshme dhe kombëtare; misioni dhe detyra e saj patriotike-kombëtare, misioni i drejtësisë, i së vërtetës dhe i opozitarizmit me të gjitha të këqijat e politikës dhe të pushtetit, nuk përputhet, por është në kundërshti dhe në antagonizëm me realitetin korruptiv dhe të kriminalizuar të regjimeve politike të instaluara e montuara në Kosovë që me çlirimin e saj e deri më sot

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI  

Për patriotizmin, dinjitetin dhe personalitetin e individit, grupit dhe medias, pra për virtytshmërinë në përgjithësi dhe për kontributin e dhënë për të mirën publike dhe kombëtare dhe për imazhin e prestigjin për kombin dhe shoqërinë është marre që të pranojnë vlerësime, mirënjohje dhe dekorata nga ata të cilët nuk kanë marre, prej atyre të cilët institucionin, postin dhe detyrën shtetërore i shpërdorojnë dhe i përdorin si të drejta dhe prona private pa pasur pikë marre, prej atyre të cilët nuk njohin gjë tjetër por vetëm interesin, pozitën dhe pushtetin për vetëm dhe vetën e tyre. Këta persona politikë, publikë dhe pushteti e autoriteti qeverisës, të cilët sillen dhe veprojnë si regjimtarë autoritaristë dhe që kanë reputacion negativ në publik, pavarësisht postit publik e shtetëror që rastisin ta kenë, dhënia dhe shpërndarja prej këtyre të tillëve të dekoratave përbën ofezë për ata të cilët realisht e meritojnë mirënjohjen shtetërore, dekorimin dhe respektin prej shtetit për kontributin e tyre real dhënë për të mirën dhe interesin publik dhe kombëtarë qofshin ata intelektualë, shkencëtarë, artistë, sportistë, gazetarë, media, politikanë, diplomatë dhe sidomos për dëshmorët, heronjtë etj.

Refuzim për individin që e ka atë post

Ajo që më shtyu për ta shkruar këtë shkrim ishte fakti se me rastin e 10- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës presidenti Thaçi ka akorduar shumë dekorata, por bie në sy fakti se disa duke përfshirë luftëtarë, intelektualë, akademikë dhe madje edhe median kryesore dhe më e rëndësishme kombëtare shqiptare, gazeta "Kosova Sot" ia kanë refuzuar, duke mos e pranuar dekoratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Pse e refuzoi gazeta "Kosova Sot" dekoratën?! Nuk e refuzoi se ajo nuk e meritonte, pasi dekorata për këtë media është një minimum fare i vogël për atë se çfarë meriton ajo për kontributin e jashtëzakonshëm që ajo ka dhënë për lirinë, për luftën çlirimtare, për demokracinë, për emancipimin juridik, demokratik, për drejtësinë, për integrimin ,për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për integrimin dhe për edukimin patriotiko-kombëtar. Refuzimi i kësaj dekorate nga "Kosova Sot" nuk ishte kundër institucionit të Presidencës, por ishte refuzim, reagim, mospranim dhe mospajtim me regjimin politik të montuar e te kapur nga Hashim Thaçi, pra ishte një refuzim për individin, i cili e ka atë post, i cili realisht, publikisht dhe mediatikisht është individi më i refuzuar dhe më i papranueshëm sot në Kosovë, fakt të cilin e vërteton edhe rënia drastike e numrit të votuesve për partinë e tij, PDK-në, e cila u ndëshkua ashpër me votë nga sovrani vitin e kaluar.

Nuk përdoren dekoratat për ta përmirësuar imazhin tënd

KOMBËTARIZMI, DINJITETI DHE PERSONALITETI NJERËZOR NUK MUND TË MASHTROHEN DHE AS TË MANIPULOHEN EMOCIONALISHT NGA DHËNIA E NJË DEKORATE

Kosova Sot" e refuzoi dekoratën, sepse misioni i saj si media e lirë, plotësisht e pavarur, e paanshme dhe kombëtare; misioni dhe detyra e saj patriotiko-kombëtare, misioni i drejtësisë, i të vërtetës dhe i opozitarizmit me të gjitha të këqijat e politikës dhe të pushtetit, mision të cilin kjo gazetë ka 20 vjet që nga krijimi i saj që e luan dhe e kryen kjo gazetë, nuk përputhet, por është në kundërshti dhe në antagonizëm me realitetin korruptiv dhe të kriminalizuar të regjimeve politike të instaluara e montuara në Kosovë që me çlirimin e saj e deri më sot. Patriotizmi, kombëtarizmi, dinjiteti dhe personaliteti njerëzor nuk mund të mashtrohen dhe as të manipulohen emocionalisht nga dhënia e një dekorate nga individë, të cilët nuk e kanë autoritetin, as meritën dhe as ndershmërinë personale për t'u akorduar atyre dekorimin, gjë të cilën e kanë shprehur edhe individë të tjerë që e kanë refuzuar këtë dekoratë. Nuk përdoren dekoratat për ta përmirësuar imazhin tënd dhe për të fituar respekt e mirënjohje prej atyre që nuk i ke respektuar kurrë dhe as nuk i ke përfillur fare, por vetëm sa i ke bllokuar e neglizhuar, i ke injoruar pandalshëm për një kohë të gjatë gati 20 vjeçare, kur kishe në dorë lavdinë e fuqisë se pushtetin tënd prej sundimtari; nuk mund t'i mashtrosh ata me "lodrat" dekorata që ua jep kur mendon se po të shkon koha dhe po shkon pashmangshëm drejt humnerës e agonisë politike.

(Kosova Sot)