Ndoshta Trump e njeh bazën e tij më mirë se ne

Ndoshta Trump e njeh bazën e tij më mirë se ne
  • 21 February 2018 - 11:03

POPULIZMI PLUTOKRATIK

Nuk kemi nevojë për një president, i cili do të na tregojë se kah të shkojmë 

Shkruan: Fareed Zakaria 

Anketat e bëra në Evropë tregojnë se çështjet kryesore që shtyjnë njerëzit për të mbështetur Brexitin apo partitë e ekstremit të djathtë në Francë dhe Gjermani, apo edhe partitë populiste në Evropën Lindore, janë të natyrës kulturore dhe sociale

Duke shikuar planin tatimor republikan duke kaluar nëpër Kongres, bie në sy dallimi i madh midis programit të presidentit Trump dhe të lëvizjeve të tjera populiste në botën e Perëndimit. Në SHBA, Trump është duke udhëhequr diçka që më së miri mund të përshkruhet si populizëm plutokratik, një përzierje e kauzave tradicionale populiste me ato ekstreme libertariane. Grupet e ekspertëve të Kongresit - Komiteti i përbashkët rreth taksimit dhe Zyra kongresiste e buxhetit - llogarisin se, brenda dhjetë vitesh, njerëzit që fitojnë midis 50,000 dhe 75,000 dollarësh, do të paguajnë tatime shtesë në vlerë prej 4 miliardë dollarësh, derisa njerëzit që fitojnë 1 milion apo më shumë, do të paguajnë 5.8 miliardë më pak, në bazë të projektligjit të Senatit. Dhe, kjo nuk merr parasysh shkurtimet masive në shërbime, kujdes shëndetësor dhe në përfitimet e tjera të cilat do të ndodhin. Martin Wolf, komentatori realist ekonomik i "Financial Times", konkludon: "Kjo është një përpjekje e përkushtuar për të zhvendosur pasuritë nga pjesa e poshtme, e mesme, bile edhe e mesme të lartë të distribuimit të të ardhurave në SHBA, kah vet maja, kombinuar me rritje të mëdha të pasigurisë ekonomike për shumicën dërmuese". Enigma, thotë Wolf, është pse kjo është një strategji politikisht e suksesshme. 

Partia republikane ia del me sukses dhe me dredhi t'i mashtrojë mbështetësit e saj

Partia republikane është duke ndjekur një agjendë ekonomike për 0.1% të popullatës, por asaj i duhet që t'i fitojë votat e shumicës. Kjo është çështja e cila diskutohet nga shkencëtari i shkencave politike i Universitetit të Kalifornisë në Berkli, Paul Pierson, në një ese të publikuar tash vonë. Duke shkruar në "British Journal of Sociology", Pierson thekson se programi i Trump-it ka aspekte të fuqishme populiste, sidomos rreth tregtisë dhe imigrimit. Por, sikur që thekson ai, "Në çështjet e mëdha ekonomike të taksave, shpenzimeve dhe rregullimeve - të cilat kanë vënë në lëvizje elitat konservatore për një gjeneratë - ai ka ndjekur, apo mbështetur një agjendë e cila është tepër miqësore ndaj kompanive të mëdha, familjeve të pasura dhe qiradhënësve të pasur. Politikat e tij buxhetore, nëse zbatohen, do të kenë efekt shkatërrimtar për komunitetet rurale dhe ato me të ardhura të moderuara, të cilat edhe i ndihmuan atij që të vinte në pushtet". Pierson thotë se Trump ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë me një tërësi të ideve të pazhvilluara, pa ndonjë organizim të vërtetë. Për këtë shkak, administrata e tij ka qenë e gatshme që të merrej nga elementet më të zjarrta, të organizuara dhe mirë të financuara të Partisë republikane - krahut libertarian të saj. I ushqyer dhe i ndërtuar me vite të tëra, ky grup konservatorësh vendosi që të krijonte aleancë me administratën Trump, me qëllim të realizimit të agjendës së kahershme të vet. Pierson citon Grover Norquistin, operativin tepër anti-statist të Partisë republikane, i cili shpjegoi pikëpamjet e tij rreth të emëruarit presidencial republikan në vitin 2012. "Ne nuk jemi duke kërkuar një lider sypatrembur. Nuk kemi nevojë për një president i cili do të na tregojë se kah të shkojmë. Thjesht, kemi nevojë për një president i cili do ta nënshkruajë këtë". Për këtë shkak Partia republikane ia del me sukses dhe me dredhi t'i mashtrojë mbështetësit e saj, duke iu premtuar atyre populizëm dhe duke realizuar në vend të tij një kapitalizëm plutokratik? 

Populizmi i Trumpit mund të mos jetë aq unik, sa që duket

Kjo pikëpamje ka karakterizuar analizat liberale me vite të tëra, sidomos në librin e Thomas Frankut, "What's the Matter with Kansas?", ku ai thoshte se republikanëve iu ka shkuar për dore që ta bëjnë këtë trik magjik duke trajtuar çështjet sociale para syve të votuesve të klasës punëtore, të cilët e hanë këtë karrem dhe harrojnë faktin se janë duke votuar kundër interesave të tyre. Si Wolf, po ashtu edhe Pierson besojnë se ky trik do të bëhet i rrezikshëm për republikanët. "Plutokratët janë duke kalëruar mbi një tigër të uritur", shkruan Wolf. Por, çka nëse njerëzit nuk mashtrohen aspak? Çka nëse njerëzit motivohen më shumë nga çështjet që kanë të bëjnë me fenë, racën dhe kulturën, sesa nga çështjet ekonomike? Ka gjithnjë e më shumë dëshmi se baza e tij e mbështetë Trumpin për shkak se ndjen një afinitet të thellë emocional, kulturor dhe klasor ndaj tij. Dhe, derisa projektligji për tatimet është duke u analizuar nga ekonomistët, Trump zhvillon luftëra kundër atletëve me ngjyrë, riposton videot antiislame dhe premton se nuk do të epet ndaj imigracionit. Ndoshta ai e njeh bazën e tij më mirë sesa ne. Populizmi i Trumpit mund të mos jetë aq unik, sa që duket. Anketat e bëra në Evropë tregojnë se çështjet kryesore që shtyjnë njerëzit për të mbështetur Brexitin apo partitë e ekstremit të djathtë në Francë dhe Gjermani, apo edhe partitë populiste në Evropën Lindore, janë të natyrës kulturore dhe sociale. Revolucioni më i rëndësishëm në ekonomi, gjatë gjeneratës së kaluar, ishte ngritja e shkencëtarëve bihejvoralë, të trajnuar në psikologji, të cilët thonë se njerëzit marrin sistematikisht vendime të cilat janë në kundërshtim me "interesat" e tyre. Kjo mund të jetë maja e ajsbergut në të kuptuarit e motivimit njerëzor. Storja e vërtetë mund të jetë se njerëzit i shohin interesat e tyre në mënyra më emocionale dhe fisnore sesa që arrijnë ta kuptojnë shkencëtarët. Çka nëse, në sytë e një grupi të madh amerikanësh, këto çështjet e tjera janë ato për të cilat ata do të ngrihen, protestojnë, do t'i mbështesin politikanët dhe do ta paguajnë bile edhe një çmim ekonomik? Çka nëse, për shumë njerëz, në Amerikë dhe në botë, këto janë interesat e tyre të vërteta?

(Kosova Sot)