Hashim, ku mbeti Diaspora?

Hashim, ku mbeti Diaspora?
  • 22 February 2018 - 09:08

Dekorimet e Presidentit 

Banditët e kësaj kopeje nuk dekoruan kontributin dhe djersën e bashkatdhetarëve, kurse këto banda politike gjithë pasurinë që e kanë, e kanë me hajni nga djersa jonë e janë super-milionerë. Hashim Thaçi ka larguar shumë atdhetarë të dëshmuar që vërtet kanë dhënë kontribut për ketë liri që ne po e gëzojmë sot. Për ta bërë horr këtë matrapaz dhe mashtrues, shumë persona, firma, nuk pranuan të jenë pronë e turpit, por filluan të dorëhiqen në shenjë mosnjohjeje

SHKRUAN: RESHAT BADALLAJ - ZHURIANI

Ditë më parë, Hashim i Brojës së Drenicës shpërbleu me bakshish, për 10- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shumë spiunë, hajna, tradhtarë, mafio-oligarkë, kusarë, tyxharë, udbashë shumë të rrezikshëm, që kishin bërë krime në Kosovë dhe që kishte spiunuar në UDB-në serbe dhe pikërisht te shefi i tij, kryeudbashi, Jovica Stanishiqi, Baton Fazli Haxhiu. Ç´është e vërteta, edhe ky këlysh i UDB-së serbe me librezë zyrtare, Baton Haxhiu, bile merret vesh se kjo listë ka filluar që të përpilohet moti. Baton Haxhiu kishte pasur disa mospajtime, megjithatë ranë në ujdi banditët aty rrotull dhe kryebanditët. Hashim Thaçi ka larguar shumë atdhetarë të dëshmuar që vërtet kanë dhënë kontribut për ketë liri që ne po e gëzojmë sot. Për ta bërë horr këtë matrapaz dhe mashtrues, shumë persona, firma, nuk pranuan të jenë pronë e turpit, por filluan të dorëhiqen në shenjë mosnjohjeje nga këta maskarenj, sepse ky edepsëz, afër vetes nuk donte njerëz intelektualë, por, hajna, vagabondë, njerëz me afera korruptive,me sajime të turpshme për t´i rritur namin vetes, për keqpërdorime, njerëz që i konsideronte spiunë, i burgosi, i maltretoi i la pa bukë e pa ujë, që i njoh personalisht... Por, kjo kope banditësh, hajnash, matrapazësh, spiunësh, udbashësh, në liste nuk kishin futur fare kontributin e bashkatdhetarëve që veprojnë dhe jetojnë në shumë vende të botës, pra diasporë.  

Grumbulluam mbi gjysmë milioni marka gjermane

Banditët shkuar banditëve të klanit famëzi 'PRONTO', që shkatërruan Kosovën deri në palcë, më zi se klani i ZEMUNPOLJES, nuk e kishin parë të udhës që të dekorojnë veprimtarët e Diasporës, nuk e kam fjalën për vetën time jo se kemi dhënë mijëra e mijëra euro se ekzistojnë faktet as për atë që drejtoja SHOQATËN ATDHETARE "GRYKA E LUMËS", që mblodhëm mbi GJYSMË MILIONI MARKA, por po flas për qindra mijëra bashkatdhetarë që kur krisi lufta këta mbajtën gjallë luftën dhe Kosovën në përgjithësi. Personalisht, kam qenë i autorizuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me librezë zyrtare dhe furnizonim me para banditët dhe kryebanditët,po e përsëris dhe ripërsëris, banditët dhe kryebanditët që janë gjallë, sepse ata që vdiqën luftuan pa hile dhe ranë në fushën e nderit kundër bandave çetnike-serbiane dhe mercenarë të huaj, sidomos rusë, të cilët zotëronin makinerinë më moderne të luftës. Bashkatdhetarët përpos që iu bashkuan luftës dhe që kishin shumë në luftë nga konaku i tyre, ata nuk hezituan që të japin edhe metelikun e fundit, vetëm e vetëm të çlirohemi nga barbaritë serbe, që vranë, prenë, dogjën, dhunuan mijëra femra shqiptare, vranë djem të rinj shtalb me hanxhar e sakicë, i dogjën të gjallë. Paratë nuk janë ndarë për hajnat, banditët, vagabondët, që para lufte nuk kishin as brekë për të veshur dhe pas lufte me vjedhjen e parave të djersës së bashkatdhetarëve u bënë super milionerë, me hotele luksoze, duke blerë dhe duke uzurpuar tokë nëpër qytete dhe ndërtonin shtëpi si sheikët e Dubait. Dhe, këta banditë shkuar banditëve, këta hajna shkuar hajnave, këta kriminelë shkuar kriminelëve, afër vetes afrojnë dhe dekorojnë spiunin BATON FAZLI HAXHIUN, tradhtarë që kishin futur shokët në pritë dhe i kishin bërë shoshë me plumba milicia serbe dhe këta tradhtarë tani ecin me fodullëk dhe janë bërë super milionerë që në shkollë vinin me çizme gome.

Të kërkohet llogari për vjedhjen e djersës së bashkatdhetarëve 

Por, le ta dinë mirë këta matrapazë e hajna të kësaj bande "PRONTO", se herët a vonë ne do të kërkojmë llogari nga këta banditë që vodhën djersën e bashkatdhetarëve që kishin ndarë kafshatën e gojës nga fëmijët e tyre dhe ia kishin dhënë luftës dhe jo këtyre banditëve të bandave që edhe me serbian u lidhën duke bërë allishverishe të tokave tona, për të pasuruar hajnisht. Banditët përpos që vodhën bashkatdhetarët, haram e paçin e mos e gëzofshin për jetë të jetëve, shikoni se si kanë siguruar pasuri për dhjetë-njëzet breza, por shikoni edhe rrospitë e tyre se si janë dhe ngasin vetura më të forta se zonja Hillary Clinton. Nga i morën paratë? Kosova nuk është Kinë apo Indi që nuk i njohim, deri dje kanë mbajtur pelena poshtë dhe tani ecin me çanta mijëra euro. Nuk do të lejojmë që t´i gëzojnë banditë paratë tona, nëpër hotele luksoze. Lëre neve që na vodhën banditët, por këta tradhtuan edhe shokët e luftës, shkelën gjakun e dëshmorëve, këta janë vagabondë, maskarenj që do të japin llogari një nga një se s´bënë. Të gjitha kemi për t´i zbardhur, nuk do të heshtim më. Kemi emër dhe mbiemër kush i ka marrë, ku i kanë dorëzuar dhe kujt, kush ka blerë veturë, kush ka blerë ekskavatorë, kush ka shkuar në PUF në Tiranë. Dhe, ju do të përgjigjeni se duhet ditur se ku ka shkuar djersa e bashkatdhetarëve që janë ndarë për luftën e jo juve për të vjedhur dhe për të bashkëpunuar me udbashë dhe tradhtarë si soji i këlyshit të Jovica Stanishiqit, Baton Fazli Haxhiu. 

Turpi i mbuloftë këta zuzarë shkuar zuzarëve

Do të zbardhim edhe metelikun e fundit, që e morën banditët. Kur jemi këtu, isha verës në Zhur dhe hyra për të pirë një kafe. Faleminderit, më nderuan të gjithë dhe më lutën secili të ulem në tavolinën e tyre. Më ra hise të ulem te kushëriri im, Samidini dhe te një ushtar trim dhe i dalluar i UÇK-së dhe i burgosur nga milicia serbe, për vrasjen e milicëve gjakësorë serbianë, që quhet NEXHMIDIN SHAQIR AJAZAJ, por ne e njohim si Nexhë. Në bisedë e sipër, erdhi muhabeti dhe u fol për kontributin tonë të jashtëzakonshëm. Mirëpo, djali pa sherr fare nuk kishte dijeni, se kur ishte ne burg me grupin e tij, ne kemi dërguar 2000 (dymijë) marka gjermane për ta dhe tregova se kemi procesverbal, ku i kemi dërguar dhe kush i ka marrë. Djali, u skuq,u shtang dhe u habit! Jo, tha unë nuk di gjë:Bile të kisha thënë faleminderit! Merreni me mend! Çudia e Zotit! O Nexhë, po Reshat Zhuriani është gjallë dhe ka pasur komision dhe burra. Tani i japim rastin të guxoj të dalë të thotë dikush që jo, ose të bëjë gëk ose mëk, por nuk qëndron ai spiunimi që kinse janë ndarë 500.000 marka. Do shkojmë deri ne fund, për çdo gjë. Ne nuk dimë të bëjmë hajni, tradhti si zagarët që dekorojnë këlyshin e Jovica Stanishiqit...Për dy gjëra jam i lumtur në jetën time: E para, Fondi i luftës, kur u vra komandanti legjendar ADEM SHABAN JASHARI ishte 7000 marka borxh dhe ne ishim ata lumjanë që e ndihmuam dhe respekt i madh për mua ishte kur Remzi Ademaj, komandant "PETRIT KODRA", i burgosur politik dhe krahu i djathë i Jusuf, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, kishte shumë shokë veprimtarë në BOTË, më zgjodhi mua si më të besuarin, ekzistojnë fakte. Dhe shih për këtë disa nuk e kuptojnë këtë, sepse janë farë banditësh e melezësh, pra dua të them kurrë nuk do të pranoja të marrë bakshish nga këta banditë shkuar banditëve, nga këta udbashë dhe tradhtarë të kombit që tradhtuan luftën, shokët dhe kombin në përgjithësi. Këta do të ikin me damkën e zezë të tradhtisë. Me turp kanë për të ikur. Turpi i mbuloftë këta zuzarë shkuar zuzarëve. Kaq, për sot, ndërkaq, do të vazhdojmë me shkrimet e radhës se përse Hashimi i Brojës dekoroi spiunin Baton Haxhiu...?

Për këto që flas e shkruaj mbaj përgjegjësi morale, penale e juridike.

(Kosova Sot)