A mundet Fillon ta mposhtë Le Pen-in?

A mundet Fillon ta mposhtë Le Pen-in?
  • 22 February 2018 - 11:53

EDHE NJË HERË U PA SE MEDIET SOCIALE LUAJTËN NJË ROL KYÇ

Nicolas Sarkozy i jep fund karrierës politike

Shkruan: Hugo Drochon 

Anketat që e vendosnin Fillonin në vendin e tretë, u treguan si jo të sakta, pjesërisht për shkak se shumë votues duket se vendosën vetëm pak ditë para votimit

Në zgjedhjet primare presidenciale të Partisë Republikane franceze, François Fillon mundi bindshëm konkurrentin tjetër Alain Juppé, duke marrë rreth 67% të votave. Dy javë më parë, kjo fitore dukej e pamundur. Kishte kohë që pritej që Juppé, kryetar i Bordosë dhe ish-kryeministër nën presidentin Jacques Chirac, do ta mundte kandidatin tjetër kryesor, ish-presidentin Nicolas Sarkozy. Në vend të kësaj, Fillon, ishkryeministër nën Sarkozy-n, doli i pari nga raundi i parë, duke marrë 44% të votave. Ky rezultat ishte poshtërues për Sarkozyn, i cili mori pak më shumë se 20% të mbështetjes, duke i dhënë fund karrierës së tij politike. Për shumë vëzhgues, ky votim rikujtoi referendumin Brexit, si dhe zgjedhjen e presidentit amerikan, Donald Trump, në fillim të nëntorit. Anketat që e vendosnin Fillonin në vendin e tretë, u treguan si jo të sakta, pjesërisht për shkak se shumë votues duket se vendosën vetëm pak ditë para votimit. Edhe një herë u pa se mediat sociale luajtën një rol kyç. Gjatë debateve të fundit para votimit, Fillon e prezantonte veten si alternativë të besueshme ndaj Juppé-s dhe Sarkozy-t. Me mbështetjen për presidentin aktual, François Hollande, nën 5%, gjë që është mbështetja më e ulët që ka pasur ndonjëherë një president francez, pyetja e madhe tani është se a mundet Fillon ta mposhtë liderin e Frontit Nacional të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në maj të vitit 2017. Juppé shihej si kandidat mjaft 'i butë', i cili do ta ofronte një alternativë ndaj Le Penit për votuesit e krahut të majtë. Fillon, megjithatë, është shumë më në të djathtë sesa Juppé, gjë që dmth se votuesit e krahut të majtë mund të mos shohin dallim të mjaftueshëm midis tij dhe Le Penit, duke kërkuar që në garë të hyjë një kandidat i tretë, i qendrës së majtë. 

Futet në lojë Emmanuel Macron

Njëri nga pretenduesit është centristi Emmanuel Macron, i cili thotë se do të garojë, por refuzon që të marrë pjesë në zgjedhjet primare të Partisë Socialiste këtë janar. Por, pa një mbështetje të ndonjë partie të madhe, përpos lëvizjes së tij "En Marche!", Macron nuk ka të ngjarë që ta fitojë mbështetjen e cila i nevojitet për t'u bërë president (aktualisht ka një mbështetje prej vetëm 14%). Dhe, si një bankier që është shndërruar në ekonomist reformues, Macron është një cak ideal i sulmeve nga antielitistët e Le Penit dhe nga retorika antievropiane. Përpos Macronit, e majta është duke u përpjekur që ta gjejë edhe një kandidat tjetër. Gjasat për rizgjedhjen e Hollande-së janë minimale; kryeministri i tij besnik, Manuel Valls, pritet që ta publikojë kandidaturën e tij këtë javë, por gëzon një mbështetje pak më të madhe sesa Hollande, 9%. Kjo e lë vetëm kandidatin e së majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon (13%) dhe fotogjenikun Arnaud Montebourg, të cilin Macron e kishte trashëguar në postin e ministrit të ekonomisë. Nëse në raundin e dytë nuk kalon asnjë kandidat majtist, votuesit e majtë mund t'i japin votat e tyre për "Unitetin republikan", sikur që bënë në vitin 2002, kur ia dhuruan Chiracut një fitore të lehtë ndaj të atit të Le Penit, Jean-Marie Le Pen. Votuesit majtistë mund ta kenë preferuar Juppé-në dhe, me gjasë, do ta tolerojnë Fillon-in, por ata përbëjnë vetëm 15% të votuesve të përgjithshëm në raundin e parë të zgjedhjeve primare republikane, duke mos e pasur në vitin 2017 ndikimin që e patën në vitin 2002.

Fillon karakterizohet si Margaret Thatcher e Francës

Baza politike e Fillon-it dominohet nga meshkujt katolikë të pensionuar dhe provincialë, të cilët u dëshmuan si forcë në të dy raundet e zgjedhjeve primare. Mbështetësit e Fillon-it duken të bashkuar në kundërshtimin e martesave homoseksuale dhe Fillon, si një katolik i njohur, ishte kandidati më konservator që ishte "në ofertë". Edhe pse Fillon nuk dëshiron anulimin e të drejtës së martesave homoseksuale, ai kundërshton adoptimin e fëmijëve nga çiftet e tilla. Në aspektin gjeografik, Fillon fitoi thuajse kudo jashtë bastionit të Juppé-së, Bordo, duke përfshirë edhe regjionin e Mesdheut jugor të bregdetit të kaltër (Côte d'Azur - PACA), i cili regjion ishte baza më e fortë votuese e Sarkozy-t. Por, PACA po ashtu është seli e fortë e Frontit Nacional, gjë që dmth se Fillon duhet të mësohet që të dallohet nga Le Pen, sikur kandidat i të djathtës ekstreme, le të vendosin votuesit a e preferojnë origjinalin, apo kopjen. Ka disa fusha në të cilat Fillon dhe Le Pen dallojnë. Për fillestarët, Florian Philippot, njëri nga zëvendësuesit e Le Penit, është homoseksual i haptë dhe Le Pen është përkujdesur që të mos marr qëndrim të fortë rreth çështjeve sociale. Fillon po ashtu është një ekonomik liberal dhe shpesh karakterizohet si Margaret Thatcher e Francës. Derisa Fillon dëshiron shkurtimin e shërbimit civil në Francë, Le Pen favorizon një shtet të fortë. 

Le Pen dëshiron ta kthejë frankun

Përfundimisht, Le Pen kundërshton anëtarësinë e Francës në BE dhe dëshiron ta kthejë frankun, derisa Fillon do të preferonte kthimin e autorizimeve nga Brukseli, te parlamentet nacionale. Duke hyrë në kampanjën zgjedhore, Fillon mund ta zhvillojë një platformë proevropiane, sikur që dëshmohet nga strumbullari i tij gjatë debateve të raundit të dytë, kur sugjeronte se favorizonte formimin e një qeverie të eurozonës. Për dallim nga Trump dhe votimi Brexit, Fronti Nacional tanimë ka një elektorat esencial, i cili mund të përfshijë deri në një të katërtën e votuesve. Koalicioni i tij i të djathtës së vjetër ekstreme franceze dhe votuesve të pakënaqur të klasës punëtore, nuk do të jetë i papritur, sikur që ndodhi në SHBA dhe Britani. Fillon, nga ana e tij, mund ta marrë të njëjtin nivel të mbështetjes dhe ai mund të jetë në gjendje që të marrë votues nga Le Pen. Për më tepër, katolicizmi politik ende është atraktiv për shumë francezë dhe vet Kisha dëshiron që t'i largojë katolikët nga Fronti Nacional. Në ndërkohë, një numër i organizatave të së djathta ekstreme mbështetën kandidaturën e Fillon-it gjatë zgjedhjeve primare, falë mbështetjes së tij për ligjet që do ta ndalonin burkinin, një kostum të plazhit i cili mbulon krejt trupin dhe vishet nga gratë myslimane. Duke pasur parasysh fushën aktuale politike, Fillon me gjasë do të ballafaqohet me Le Penin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, majin e ardhshëm. Por, Fillon parashikohet ta fitojë raundin e dytë me 67% të votave. Ne kemi pasur edhe më parë një situatë të tillë dhe ai projeksion i raundi të dytë bazohet te "uniteti republikan", i cili mund të mos funksionojë. Votuesit e krahut të majtë, të refuzuar nga ekonomia liberale dhe konservatorizmi social i Fillonit, mund të mos dalin fare në votime. Duke pasur parasysh dështimin e parashikimeve të bazuara në anketa, këtë vit, gjetiu në botë, askush nuk mund të llogaritë në to dhe ta dijë rezultatin para se votuesit ta hedhin votën e tyre. 

(Hugo Drochon ligjëron politikën në Universitetin e Kembrixhit dhe është autor i librit "Nietzsche's Great Politics")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"