Shqipëria dhe Kosova në BE, pas zbardhjes së vrasjes makabër të heronjve të Kosovës

Shqipëria dhe Kosova në BE, pas zbardhjes së vrasjes makabër të heronjve të Kosovës
  • 23 February 2018 - 08:53

Barometri diplomatik

Duke qenë se Ilir Konushevci dhe Ahmet Krasniqi janë heronj të shpallur nga Kosova dhe të dekoruar nga Shqipëria, ligjërisht, si është e mundur që të mos kërkohet zbardhja e vrasjes së tyre në Shqipëri (1998), duke qenë se nuk jetojmë në kohën e egërsisë dhe të fiseve, mbase Shqipëria është shtet i mirëfilltë, që ka ligje dhe kushtetutë të veten

SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI

Vrasja e njerëzve të pafajshëm nuk është vetëm çështje individuale dhe çështje e brendshme e shtetit, por edhe objekt i gjykatave dhe i institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Prandaj, pa dënimin e krimeve të gjenocidit serb dhe pa dënimin e krimeve të terrorizmit politik nga Tirana dhe nga Prishtina të vrasjes së oponentëve politikë dhe ushtarakë, gjatë luftës (Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi, të vrarë në territorin e Shqipërisë) dhe në kohë paqeje në Kosovë ( Enver Masloku, Xhemail Mustafa… etj., të vrarë në territorin e Kosovës), integrimi i Kosovës dhe i Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) do të jetë një pikëpyetje e madhe dhe një ëndërr e shkretë. Jo në BE, as Serbia, as Mali i Zi, as Maqedonia, as Kosova e as Shqipëria, sepse ende nuk i kanë zbardhur krimet e terrorit dhe të terrorizmit ndaj viktimave të pafajshme shqiptare!

Shqipëria hesht edhe më tej

Të gjitha këto shtete ballkanike, së pari, duhet t'i zgjidhin konfliktet ndërterritoriale mes tyre. Së dyti, t'i plotësojnë të të gjitha kushtet dhe standardet e tjera të parashikuara të BE-së për luftimin e korrupsionit, të krimit të organizuar, të papunësisë, të varfërisë, të gjendjes së mjerueshme sociale, të pazhvillueshmërisë dhe të barrierave të tjera të reformave ekonomike, politike, demokratike dhe të sundimit të ligjit. Së treti, veç kushteve të sipërtheksuara, Serbia, pikësëpari, duhet t'i zbulojë mbi 1600 viktima, që evidencohen si "persona të zhdukur", që nga përfundimi i luftës në Kosovë (1999; t'i paguajë të gjitha reparacionet e luftës. Ndërkaq, BEja, veç kushteve të theksuara më sipër, Kosovën dhe Shqipërinë duhet t'i kushtëzojë edhe me kushtin themelor, që PIKËSËPARI t'i zbulojnë dhe t'i dënojnë krimet e terrorit dhe të vrasjeve politike të qindra shqiptarëve, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj. Duke qenë se krimet e tilla politike terroriste nuk janë vetëm çështje e brendshme e Kosovës, e Shqipërisë, e Serbisë…etj., Bashkimi Evropian (BE) do të duhej që të kërkonte nga Prishtina dhe nga Tirana që së pari t'i dënojnë krimet e kryera terroriste kundër oponentëve politikë, ushtarakë dhe civilë shqiptarë të pafajshëm, gjatë dhe pasluftës. Veç tjerash, nëse Shqipëria hesht edhe më tej, duke mos zbardhur krimet e theksuara ndaj dëshmorëve të Kosovës, atëherë pa dyshim se do t'i mbetet borxh historisë kombëtare shqiptare dhe drejtësisë, si dhe do të përballet me pengesat dhe me vështirësitë serioze dhe të pakalueshme për të hyrë në Bashkimin Evropian (BE), i cili nuk pranon shtete me bagazh të një hipoteke të tillë të terrorizmit politik, pavarësisht se kush dhe për çfarë interesash fshihet pas tij, edhe pse kanë kaluar jo më pak se 20 vjet (1998-2018). Pse në këto raste kanë dështuar politika dhe drejtësia, kjo nuk është e çuditshme, por pse deri më sot askush nga elita e klasës akademike "çile guri gojën"?!

Brengosëse dhe e turpshme

Kjo është tejet brengosëse, e turpshme dhe për çdo gjykim të harrohen heronjtë e Kosovës, të cilët flijuan jetën e tyre për lirinë e Kosovës! Ku është ndërgjegjja këtu, pse elita akademike që 20 vjet nuk kërkon drejtësi për zbardhjen e këtyre rasteve nga ana e shtetit shqiptar, ose nga institucionet ndërkombëtare?! Deshi apo nuk deshi, drejtësia e Shqipërisë duhet të flasë, sepse vrasjet e tilla nuk janë vetëm çështje e brendshme e Shqipërisë, apo e Kosovës, por janë të sanksionuara edhe me të drejtën ndërkombëtare, sipas së cilës mbajnë përgjegjësi pushtetarët e këtyre dy shteteve nëse nuk i zbardhin krimet e tilla të terrorizmit. Duke qenë se Ilir Konushevci dhe Ahmet Krasniqi janë heronj të shpallur nga Kosova dhe të dekoruar nga Shqipëria, ligjërisht, si është e mundur që të mos kërkohet zbardhja e vrasjes së tyre në Shqipëri (1998), duke qenë se nuk jetojmë në kohën e egërsisë dhe të fiseve mbase Shqipëria është shtet i mirëfilltë, që ka ligje dhe kushtetutë të veten? Për më tepër, Shqipëria është anëtare e OKB-së, e OSBE-së dhe e NATO-s, si është mundur që t'i heshtë krimet terroriste 20-vjeçare ndaj heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi?! Pavarësisht nga kalkulimi i "hesapeve" të politikës së pushtetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, klasa akademike shqiptare, si dhe çdo shqiptar ka të drejtën morale dhe ligjore ta ngrejë zërin, duke kërkuar nga drejtësia e shtetit shqiptar zbardhjen e rasteve tragjike të heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi.

(Kosova Sot)