Era e dytë e populizmit

Era e dytë e populizmit
  • 23 February 2018 - 09:19

VALA EVROPIANE E POPULIZMIT ËSHTË LARG SHUARJES

Ekonomia nuk është faktori i vetëm që rrit populizmin 

Shkruan: ZAKI LAIDI

Faktori përfundimtar, i cili mbështet populizmin në Evropë, është presidenti amerikan Donald Trump, armiqësia e të cilit karshi BE-së është vetëm pak e maskuar. Natyrisht, kundërshtimi i gjerë ndaj Trumpit mund të shërbejë si njëfarë force unifikuese në BE

"Evropa e ka erën që i frynë në vela", deklaroi presidenti i Komisionit evropian Jean-Claude Juncker, në fjalimin 'drejtuar kombit' shtatorin e kaluar. Por, mos janë velat evropiane tepër të shqyera, duke mos mundur ta çojnë atë përpara? Thënë të vërtetën, dhjetë vjet pas krizës ekonomike globale, ekonomia e Evropës përfundimisht është duke iu kthyer rritjes dhe, me të, edhe vetëbesimit. Dhe, optimizmi i Juncker-it me gjasë reflektonte edhe triumfin në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit të kaluar, të presidentit pro evropian Emmanuel Macron, i cili angazhohet për reforma të thella, duke përfshirë edhe unionin bankar, unionin fiskal dhe një buxhet federal, me qëllim që integrimi të shkojë përpara. 

Mungesa e solidaritetit

Por, zgjedhjet e mbajtura kohët e fundit në Austri, Gjermani dhe Çeki, tregojnë diçka tjetër: një rrezik serioz për të ardhmen e Evropës - populizmi djathtist - vazhdon që të mbetet shumë i fortë. Edhe pse kriza ekonomike ka marrë fund, pasojat e saj ende janë të freskëta. Familjet e shtresës së mesme dhe ato të klasës punëtore ende janë duke e marrë veten nga rënia e fuqisë së tyre blerëse. Për shumë qytetarë, mësimi duket i qartë: në Evropën e të sotmes, fitimet janë privatizuar, derisa humbjet janë socializuar. Rezultati i këtij vlerësimi ishte besimi se, elitat politike dhe ekonomike - të mundësuara nga BE-ja - do të vepronin gjithnjë për ta mbajtur pozitën e tyre dhe për t'ua imponuar njerëzve të rëndomtë dëshirën e vet. Imponimi i masave kursyese në vendet me probleme, duket se e vërteton këtë përshtypje. Me qëllim të ndryshimit të këtij perceptimi, liderëve të BE-së do t'iu duhet që të pajtohen rreth shkaqeve fundamentale të krizës dhe ta zhvillojnë një strategji për evitimin e një tjetre. Dhe, deri më tani, ata nuk e kanë realizuar asnjërën prej këtyre detyrave, me dy grupet kryesore të vendeve duke miratuar interpretime kundërthënëse të problemit. Kampi i parë - ku përfshihen Greqia, Italia dhe, në një masë më të vogël, Franca - qortojnë BE-në për shkak të mungesës së solidaritetit. Italia, psh, iu nënshtrua masave të kursimit, por nuk ka përfituar nga një kthim te rritja e fuqishme. Për më tepër, ky vend ka frikë se një union bankar do t'ia ngushtojë asaj hapësirën për të manovruar në rregullimin e sistemit të saj të dëmtuar bankar. Dhe, me Francën dhe Gjermaninë në ballë dhe në qendër, Italia nuk gëzon ndonjë prestigj kushedi sa të madh brenda unionit. Si pasojë e kësaj, Italia, dikur mbështetëse kryesore e integrimit evropian, është tani në mesin e skeptikëve më të mëdhenj rreth integrimit më të madh. Kampi i dytë - që përfshin vende si Austria dhe Holanda - bëjnë një ankesë të kundërt. Janë të shumë njerëzit në këto vende që ndjejnë të kenë vuajtur si pasojë e 'solidaritetit evropian' edhe pse ata kanë punuar shumë për ta siguruar prosperitetin e tyre. Duke pasur parasysh këtë, ata janë të prirë që të besojnë se Evropa duhet të përqendrohet te thellimi i tregut të përbashkët, e jo te thellimi i unionit politik dhe fiskal. Edhe këtu, rezistenca ndaj një integrimi më të thellë është duke rritur mbështetjen ndaj partive populiste.

Dalja nga BE-ja do të imponojë kosto të larta për Britaninë e Madhe

Por, ekonomia nuk është faktori i vetëm i cili rrit populizmin. Edhe tre faktorë të tjerë janë duke kontribuuar, ku migrimi është pa dyshim më i rëndësishmi prej tyre. Që nga viti 2015, kur u rrit numri i migrantëve në Evropë, populistët e krahut të djathtë kanë përfituar nga përhapja e pasigurisë rreth imigracionit dhe identitetit, duke përdorë islamofobinë dhe racizmin, për ta pasur një mbështetje sa më të madhe. Derisa në lidhje me ekonominë Evropa ndahet në veri dhe jug, në lidhje me migrimin ajo ndahet në lindje dhe perëndim. Historitë e vendeve të Evropës qendrore dhe lindore, me ndryshim të kufijve dhe me keqtrajtime nga shtetet më të mëdha, kanë bërë që caktimi i kufijve kulturorë të jetë pjesë qendrore e identitetit të tyre politik. Dhe, sot, ato refuzojnë migrimin aq fuqishëm, sa që kanë refuzuar edhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre, si vende anëtare të BE-së, për të pranuar kuotat e kërkuara të refugjatëve nga Komisioni evropian. Për këto vende kryesisht homogjene, detyrimi që të pranosh migrantë mund të mjaftojë që ta bëjë të qenit anëtar i BE-së një gjë joatraktive, përkundër përfitimeve të mëdha ekonomike që ka sjellë një gjë e tillë. Një burim tjetër i presioneve ndaj BE-së është Brexit.

Derisa dalja nga BE-ja do të imponojë kosto të larta për Britaninë e Madhe, anëtaret e zhgënjyera të BEsë tani mund të fillojnë që ta shikojnë rrezikun nga dalja si më të madh dhe, si të tillë, si një mjet efikas potencial për t'i rezistuar integrimit, në emër të sovranitetit nacional. Dhe, derisa populistët mund të jenë zërat më ekstremë që propagojnë një rezistencë të tillë, ata janë mundësuar nga konservatorët e Evropës. BE-ja qorton Poloninë për politikat e saj jo liberale të qeverisjes, por toleron Hungarinë, meqë partia e kryeministrit Viktor Orban, "Fidesz", është e lidhur me Partinë popullore evropiane dhe, si e tillë, e mbrojtur nga kristian-demokratët e Gjermanisë. Faktori përfundimtar i cili mbështet populizmin në Evropë, është presidenti amerikan Donald Trump, armiqësia e të cilit karshi BE-së është vetëm pak e maskuar. Natyrisht, kundërshtimi i gjerë ndaj Trumpit mund të shërbejë si njëfarë force unifikuese në BE, e cila mund të mos hezitojë që të reagojë, nëse proteksionizmi Trumpian, apo politikat e tjera, përfundojnë duke ndikuar në mënyrë direkte te vendet anëtare. Por, tani për tani, vendet individuale të Evropës duken të prira që ta provojnë fatin e tyre veç e veç me Trumpin. Në këtë aspekt, Macron dëshiron që ta përdorë angazhimin direkt me Trumpin për ta forcuar pozitën e Francës si në Evropë, po ashtu edhe më gjerë. Të tjerët e konsiderojnë Trumpin si burim potencial të proteksionit. Disa liderë të vendeve qendrore dhe lindore evropiane po ashtu e shohin atë si burim të legjitimetit për agjendat e tyre populiste. Kështu, vala evropiane e populizmit është larg shuarjes. Por, shkalla deri ku rrezikohet BE-ja që të përfshihet nga ajo, është e paqartë dhe ka të ngjarë që të mbetet e tillë, derisa zona gri midis partive tradicionale dhe populiste të vazhdojë të zgjerohet. 

(Zaki Laidi është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në "Sciences Po")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)