Një test baltik për kontrollin evropian të armëve

Një test baltik për kontrollin evropian të armëve
  • 25 February 2018 - 10:15

STËRVITJET DHE KËRCËNIMET E KANË SHTUAR PASIGURINË NË TËRË EVROPËN

Kontrolli i armëve nuk është një imperativ i kohëve të qeta

Shkruajnë: Volker Perthes dhe Oliver Meier

Që nga aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë, mosbesimi midis shteteve anëtare të NATO-s dhe të shteteve që nuk janë anëtare të saj në këtë regjion vetëm sa është rritur, duke e bërë regjionin tepër të ndjeshëm ndaj konflikteve 

Që nga aneksimi rus i Krimesë, në fillim të vitit 2014, raportet e saj ushtarake dhe politike me Perëndimin janë përkeqësuar me të shpejtë. Lëvizjet ushtarake ruse, stërvitjet, si dhe kërcënimet, e kanë shtuar pasigurinë në tërë Evropën. NATO-ja është përgjigjur duke e rritur praninë e saj ushtarake në Evropën qendrore, duke ushqyer kështu frikën e Kremlinit për rrethim ushtarak. Me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga garat e armatimeve, të dy palët duhet të pajtohen urgjentisht rreth masave reciproke për kufizimin e aftësive ushtarake dhe për t'u angazhuar në kontrollim të armatimit. Natyrisht, Rusia dhe NATO-ja kanë ide tepër të ndryshme rreth dukjes së një rendi paqësor dhe stabil të sigurisë evropiane. Por, kjo vlente edhe gjatë Luftës së ftohtë dhe, përkundër kësaj, dy palët arritën progres, duke përdorë instrumente të mbajtjes së armëve nën kontroll dhe duke zbutur rrezikun nga lufta. Por, megjithatë, ekziston një mosmarrëveshje substanciale në mesin e vendeve anëtare të NATO-s rreth parakushteve, përmbajtjes dhe formatit të bisedimeve me Rusinë rreth kontrollit të armatimit. Gushtin e kaluar, ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, sugjeroi se të gjitha vendet e interesuara në Evropë duhet të tentojnë ta "rilansojnë" kontrollin e armëve "si metodë të dëshmuar të zvogëlimit të rrezikut, të rritjes së transparencës dhe besimit midis Rusisë dhe Perëndimit".

Rivitalizimi i marrëveshjeve ekzistuese

Një dialog i tillë, i strukturuar, thoshte Steinmeier, duhet të dalë përtej marrëveshjeve ekzistuese. Gjashtë javë më vonë, SHBA-ja ashpër e refuzoi këtë propozim, duke thënë se, përderisa Rusia mbetet në kursin aktual, thjesht nuk ka bazë për bisedime të reja, të kontrollit të armëve. SHBA-ja thotë se, në vend të kësaj, duhet të bëhet revitalizimi i marrëveshjeve ekzistuese. Propozimi i Gjermanisë mund të jetë tepër ambicioz, por propozimi amerikan nuk është ambicioz sa duhet dhe injoron dështimet e kaluara për të modernizuar marrëveshjet kryesore. Një qasje më e mirë do të ishte insistimi i të dyja vendeve për një kontroll të armëve të stilit të Steinmeier-it, vetëm në një regjion evropian: në baltik. Që nga aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë, mosbesimi midis shteteve anëtare të NATO-s dhe të shteteve që nuk janë anëtare të saj në këtë regjion, vetëm sa është rritur, duke e bërë regjionin tepër të ndjeshëm ndaj konflikteve. NATO-ja tani duhet ta synojë një balancë midis një sigurie domethënëse për vendet e saj anëtare në baltik dhe në Evropën qendrore, në njërën anë dhe, në anën tjetër, vazhdimit të bashkëpunimit dhe dialogut me Rusinë. Në këtë aspekt, regjioni i detit baltik mund të bëhet një test lakmusi për strategjitë politike që kanë për qëllim zbutjen e tensioneve midis NATO-s dhe Rusisë. NATO-ja gjithmonë ka konsideruar përmbajtjen dhe kontrollimin e armëve, si dy shtylla të një strategjie për ruajtjen e stabilitetit evropian. Për këtë arsye, rilansimi i kontrollimit të armëve për regjionin e detit baltik, pa pasur nevojë të preken masat aktuale të përmbajtjes, duke përfshirë praninë me rrotacion të katër batalioneve të NATO-s në shtetet baltike dhe në Poloni. Zvogëlimi i njëanshëm i trupave nuk është hapi i parë i duhur i procesit negociator. 

Dialogu nuk është vetëm një instrument i politikës së butë

Ky proces duhet të fillojë me një bisedë të strukturuar në temat që janë interesante për vendet regjionale. Fundja, dialogu nuk është vetëm një instrument i politikës së butë për trajtimin e çështjeve si tregtia, apo bashkëpunimi ambiental; ai është esencial edhe për çdo politikë të sigurisë që shikon përtej përmbajtjes. Qëllimi duhet të jetë ndërtimi i masave të besimit dhe limitet e dakorduara të aftë- sive ushtarake. Kontrolli i armëve varet nga transparenca. Fatmirësisht, NATO-ja, si një pjesëmarrës me një qëndrim frenues imponues në rajonin baltik, ka shumë arsye që ta mbështetë transparencën. Agresori përfiton nga sekretet, situatë të cilës i frikë- sohen shtetet baltike, sidomos që nga invadimi rus në Ukrainë. Kundër kësaj perspektive, NATO-ja duhet ta ndjekë një dialog të ri të kontrollit të armëve, me qëllim të rritjes së transparencës në lidhje me aftësitë ushtarake. Duke pasur parasysh superioritetin konvencional të Rusisë në regjionin baltik, NATO-ja nuk do të duhej që të shqetësohej se një përpjekje e tillë do të merrte fund duke dobësuar sigurinë e rajonit. Është më pak e qartë nëse Rusia do të ishte e interesuar për një dialog të tillë, edhe pse Kremlini do të duhej të ishte i interesuar për zbutjen e rrezikut nga eskalimi i padëshiruar ushtarak. Komisioni "Deep Cuts" (i prerjeve të mëdha), i përbërë nga ekspertët e kontrollit të armëve nga SHBAja, Gjermania dhe Rusia, së fundmi kanë bërë disa propozime konkrete për adresimin e kësaj sfide. Për shembull, komisioni rekomandon që marrëveshjet të sigurojnë se çdo lëvizje apo stërvitje ushtarake, të raportohet. Të gjitha këto përpjekje mund të theksohen nga një dialog rreth strategjive ushtarake midis vet shteteve baltike. Një bisedë e tillë duhet të thirret nga grupet e ekspertëve, në kushte ideale në ndonjë vend neutral, sikur p.sh. në Suedi, apo Finlandë. Kontrolli i armëve nuk është një imperativ i kohëve të qeta, apo shpërblim për sjellje të mirë; ai është mjet për ndërtimin e besimit midis kundërshtarëve. Me qëllim të përdorimit të drejtë të tij, secila palë duhet në fillim ta ketë një pasqyrë rreth perspektivës dhe qëllimeve të palës tjetër. Duke qenë se hezitimi rus që të përfshihet në një dialog, do ta theksonte dëshirën për t'u mbështetur te befasitë ushtarake në të ardhmen, atëherë edhe një dialog i dështuar do të ishte në të mirë të NATO-s dhe shteteve baltike. Kjo do të ishte më mirë se asgjë. 

(Volker Perthes është kryesues dhe drejtor i "Stiftung Wissenschaft und Politik", institutit gjerman për çështje ndërkombëtare dhe të sigurisë, në Berlin).

(Oliver Meier është zëvendës kryesues i divizionit të Kërkimeve ndërkombëtare të sigurisë në "Stiftung Wissenschaft und Politik" (SWP), Institutin për çështje ndërkombëtare dhe të sigurisë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)