Parandalimi i konfliktit bërthamor në Evropë

Parandalimi i konfliktit bërthamor në Evropë
  • 26 February 2018 - 10:00

REGJIONI EUROATLANTIK SOT BALLAFAQOHET NGA NJË GAMË E ÇËSHTJEVE TË RËNDËSISHME

Zvogëlimi dhe eliminimi i rreziqeve bërthamore është në interes vital të të gjitha vendeve

Shkruajnë: DES BROWNE, WOLFGANG ISCHINGER, IGOR S. IVANOV, SAM NUNN

Në regjionin euroatlantik sot, rreziqet për një gabim fatal që do të çonin deri te një konflikt bërthamor, përbëhen nga rritja e tensioneve midis NATO-s dhe Rusisë, si dhe nga mungesa e komunikimit midis liderëve ushtarakë dhe politikë. Në mungesë të një iniciative pozitive, ne do të vazhdojmë që të shkojmë drejt rrezikut 

Kur liderët e regjionit euroatlantik do të takohen në Konferencën e sigurisë në Munih, këtë javë, korniza 'fitore-humbje' që përcakton raportet midis vendeve të Perëndimit dhe Rusisë, do të hyjë në vitin e saj të pestë. Sa më gjatë që të vazhdojë kjo, aq më shumë do të forcohet nyja e mosbesimit dhe aq më i madh do të bëhet rreziku i skenarit përfundimtar "humbje-humbje": një konflikt ushtarak. Ne duhet të punojmë së bashku për ta prerë këtë nyje, edhe atë menjëherë. Të katër prej nesh, si dhe së bashku me një grup dhe zyrtarët dhe ekspertët aktualë të lartë nga tërë regjioni euroatlantik - Grupi i sigurisë i liderëve euroatlantikë (EASLG) - besojmë se, përkundër dallimeve të konsiderueshme, SHBA-ja, Rusia dhe Evropa, munden dhe duhet të bashkëpunojnë në fushat e interesave të përbashkëta vitale. Së bashku, në Munih, ne do të prezantojmë dhe diskutojmë idetë tona për ta përmirësuar sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në regjion, duke filluar nga zvogëlimi i rreziqeve bërthamore dhe rreziqeve të tjera ushtarake. Zvogëlimi dhe eliminimi i rreziqeve bërthamore është në interes vital të të gjitha vendeve. Ne kemi hyrë në një epokë të re, në të cilën një gabim fatal, i shkaktuar rastësisht, nga keqllogaritja, apo nga ndonjë gabim trashanik, mund ta shkaktojë një katastrofë bërthamore. 

Ky vit mund të jetë kyç

Në regjionin euroatlantik tani, rreziqet nga një gabim i tillë kanë të bëjnë me rritjen e tensioneve midis NATOs dhe Rusisë, si dhe mungesës së komunikimit midis liderëve ushtarakë dhe politikë. Në mungesë të një iniciative pozitive, ne do të vazhdojmë që të shkojmë drejt rrezikut. Në Munih, EASLG do të apelojë te qeveritë që të punojnë së bashku për të zvogëluar rrezikun nga konflikti bërthamor. Së pari, liderët e shteteve bërthamore të regjionit duhet të riafirmojnë parimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të bëhet kurrë. Marrëveshjet rreth këtij parimi do ta dërgonin një mesazh të rëndësishëm - se liderët pranojnë përgjegjësitë e tyre për të punuar së bashku, me qëllim të parandalimit të katastrofës bërthamore - dhe kjo mund të jetë bazë për hapat e tjerë praktikë për të zvogëluar rreziqet që dalin nga këto armë. Së dyti, vendet duhet të punojnë për të ruajtur dhe zgjeruar marrëveshjet ekzistuese dhe traktatet, që kanë rol kryesor për ta ruajtur transparencën dhe parashikueshmërinë. Dorëzimi i kontrollit ndaj arkitekturës së armëve do t'i rritë në mënyrë dramatike rreziqet për tërë evropianët, e edhe për tërë botën. Ky vit mund të jetë kyç. Që të gjitha vendet në regjionin euroatlantik kanë interes të përbashkët që ta ruajnë Marrëveshjen rreth forcave bërthamore të rrezes së mesme, të vitit 1987 (INF), të arritur midis SHBA-së dhe Rusisë dhe duhet të insistojnë në një kompleancë të plotë të palëve ndaj kësaj marrëveshjeje. Ngjashëm me këtë, që të gjitha vendet në regjionin euroatlantik kanë hise në implementimin e plotë të Marrëveshjes së re START të vitit 2010 midis SHBA-së dhe Rusisë, si dhe të zgjerimeve të saj deri në vitin 2026.

Duhet të fillojmë tani, para se të bëhet tepër vonë

Së treti, të gjitha vendet duhet të mbështesin një implementim të plotë dhe strikt të kësaj marrëveshjeje dhe të kenë një koordinim stirkt me Planin e përbashkët gjithëpërfshirës të veprimit me Iranin (JPCOA). JCPOA është një mburojë e rëndësishme ndaj shpërndarjes së armëve bërthamore në Lindjen e Mesme. Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë sukses, e jo ta parashikojmë përfundimin e tij. Të gjitha veprimet e shteteve që bien ndesh me parimet e JPCOA-s, do ta rrisin rrezikun bërthamor në regjion dhe do ta dobësojnë aftësinë e bashkësisë ndërkombëtare për të adresuar rreziqet bërthamore në botë. Përfundimisht, ne duhet ta pranojmë të vërtetën e vështirë se aftësitë kibernetike transformojnë rreziqet bërthamore, duke rritur mundësinë e aksidenteve, keqllogaritjeve, apo mashtruesve. Këto rreziqe përbëhen nga potenciali për sulme kibernetike nga faktorët shtetërorë, apo jo shtetërorë, që do të çojnë deri te vjedhja e materialeve bërthamore, sabotimi i centraleve bërthamore, alarmet false nga sulmet raketore, apo hyrjen sistemet e kontrollit dhe komandës bërthamore. Në Munih, EASLG do të apelojë te qeveritë që të punojnë së bashku për të arritur të paktën mirëkuptime joformale rreth rreziqeve kibernetike që kanë lidhje me qendrat bërthamore, sistemet e alarmeve të sigurisë, si dhe komandën dhe kontrollin bërthamor. Ne duhet të fillojmë duke zhvilluar "rregulla të qarta të rrugës", për të parandaluar pasojat katastrofike të sulmeve kibernetike në ndonjë central bërthamor, apo të një lufte të lansuar gabimisht. Regjioni euroatlantik sot ballafaqohet nga një gamë e çështjeve të rëndësishme. Por, asnjëra prej tyre nuk duhet t'ua largojë qeverive vëmendjen nga ndjekja urgjente e hapave praktike për të zvogëluar rreziqet reale. Hapat të cilët i kemi identifikuar këtu janë vendi adekuat për të filluar: dhe, ne duhet të fillojmë tani, para se të bëhet tepër vonë për ta parandaluar dështimin final. 

(Des Browne, ish-sekretar britanik i Mbrojtjes, është zëvendëskryesues i Iniciativës së rrezikut bërthamor dhe kryesues i Rrjetit të lidershipit evropian. Wolfgang Ischinger është kryesues i Konferencës së sigurisë në Munih dhe profesor për politikën e sigurisë dhe praktikës diplomatike në shkollën e qeverisjes "Hertie" në Berlin. Igor S. Ivanov është president i Këshillit rus të çështjeve ndërkombëtare. Sam Nunn është bashkëkryesues i Iniciativës për rrezikun bërthamor) 

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)