Si u bë Vladimir Putin mjeshtër i luftës së dezinformimit kibernetik?

Si u bë Vladimir Putin mjeshtër i luftës së dezinformimit kibernetik?
  • 01 March 2018 - 11:45

"PACIFIKIMI I MEDIEVE"

Veprimi i Robert Muellerit për të paditur organizatat që kanë lidhje me Kremlinin, paraqet ndryshim të strategjisë 

Shkruan: Andrei Soldatov

Me qëllim të kuptimit të kampanjës ruse për të penguar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, të përshkruar në detaje në padinë e bërë publike të premten nga këshilltari special amerikan Robert Mueller, duhet të kthehemi 18 vjet prapa. Në vitin 2000, derisa një kampanjë brutale ushtarake, e njohur si Lufta e dytë e Çeçenisë, ishte në vlugun e saj, Kremlini zhvilloi një pikë- pamje të re rreth natyrës së informimit. Presidenti atëherë i ri rus, Vladimir Putin, kishte vendosur që ta trajtonte këtë si armë. Ai ua ofroi rusëve një shpjegim pse ushtria ruse kishte humbur luftën e parë çeçene, në mes të viteve 1990. Sipas tij, arsyeja për këtë qëndronte te fakti që, gazetarët liberalë rusë dhe kolegët e tyre të jashtëm, kishin nënvlerësuar përpjekjet e luftës. Për këtë shkak, duhej që të pacifikoheshin mediet dhe burimet e tjera të pavarura të informacionit. 

Kampanjat e shumta të dezinformimit kibernetik

Për më pak se dy vjet kjo detyrë u krye thuajse në tërësi, me përjashtim të një zone: ueb sajtet pro çeçene vazhdonin që të funksiononin, duke përdorë serverë jashtë Rusisë. Përkundër përpjekjeve më të mëdha të Kremlinit, qeveritë perëndimore refuzuan mbylljen e tyre. Më pas, në janar të vitit 2002, një ueb sajt i popullarizuar çeçen, pësoi defekt. Ai ishte sulmuar nga hakerët, studentë nga qyteti siberian Tomsk. Dega lokale e policisë sekrete ruse, FSB, me entuziazëm kishte mbështetur veprimet e studentëve, duke i mbrojtur ato si "shprehje legjitime të pozitës së tyre si qytetarë, veprime që meritojnë respekt". Që nga ajo kohë, kampanjat e shumta të dezinformimit kibernetik janë bërë taktikë e përdorur nga Rusia, për të krijuar një alibi të besueshme, dhe për të ulur koston dhe rreziqet e operacioneve kontroverse jashtë shtetit. Tani, kampanjat kibernetike, të mbështetura nga Kremlini, kanë një zinxhir jo zyrtar të komandës. Në këtë zinxhir, faktorët jo shtetërorë, kryesisht biznesmenët me lidhje personale me figura të rëndë- sishme në Kremlin, marrin vendimet, jo sikur në operacionet kibernetike të Perëndimit, ku këtë e bëjnë sektorët inteligjentë të ushtrisë dhe agjencive qeveritare. Fasada e krijuar është ruajtur me kujdes. Gjeneralët dhe diplomatët e rangut të lartë, të caktuar nga presidenti Putin, kanë nënshkruar marrëveshje me Perëndimin, për kufizimin e luftës kibernetike, derisa hakerët rusë në mënyrë sistematike kanë sulmuar ueb sajtet perëndimore, sidomos në Evropë. Kjo donte të thoshte se, kur zyrtarët rusë energjikisht mohonin të dinin ndonjë gjë në lidhje me sulmet e tilla, ata ishin vetëm pjesërisht jo të sinqertë. 

Aktivitetet e mashtruesve (troll)

Në korrik të vitit 2016, FBI-ja bëri me dije se do të hetonte hakimin e mijëra emailëve, të dërguar nga anëtarët e Komitetit nacional demokratik. Komuniteti amerikan i inteligjencës bëri disa deklarata publike rreth hakimit shtetëror rus, por kishte dobësi të mëdha në shpjegimet sesi Kremlini kishte bërë plane për t'u përzier në procesin politik të SHBAsë. Kishte ose akuza ndaj agjencive ruse të inteligjencës, por pa dhënë ndonjë dëshmi direkte të lidhjeve me Kremlinin; ose përmendeshin grupet ruse të hakimit, sikur psh 'Cozy Bear' dhe 'Fancy Bear', pa vërtetuar ndonjë lidhje me qeverinë. Asnjëri nga hakerët e përfshirë nuk ishte përmendur me emër. Veprimi i Muellerit është shenjë se ai ka vendosur që ta ndryshojë strategjinë. Ekipi i tij ka paditur organizatat që kanë lidhje me Kremlinin, edhe pse ato nuk janë pjesë zyrtare e komunitetit të inteligjencës. Por, edhe pse Mueller ka filluar plotësimin e boshllëqeve, të krijuara nga hetimet paraprake, janë paraqitur tani dy probleme të reja. I pari ka të bëjë me mungesën e zbulimit të ndonjë lidhjeje direkte midis hakimit të Komitetit nacional demokratik dhe aktiviteteve të Agjencisë së kërkimeve në internet, një 'fermë e mashtrimeve' në internet, me seli në St. Petersburg, që financohet nga Yevgeny Prigozhin, një biznesmen aventurier me lidhje të mira, që përmendet në padinë e së premtes. Kjo dmth se ende na mungojnë dëshmitë e forta rreth një operacioni, i cili pa dyshim se pati ndikim më të madh në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016, sesa veprimet e tjera, të ngjashme, në internet. Problemi tjetër ka të bëjë me faktin se, duke vënë theksin te aktivitetet e mashtruesve (troll), duke mos qenë të sigurt rreth shkallës së ndikimit të tyre, duket se amerikanët kanë pranuar se informatat me të vërtetë janë armë - një ide të cilën presidenti Putin e ka tepër përzemërt. Duket se e tërë bota tani flet me gjuhën e Kremlinit. 

(Autori i kësaj analize, bashkë me Irina Borogan, ka shkruar punimin 'The Red Web: The Struggle Between Russia's Digital Dictators and the New Online Revolutionaries' -Beteja midis diktatorëve digjitalë rusë dhe revolucionarëve të rinj online)

(Kosova Sot)