Çka dëshiron SHBA-ja në Siri?

Çka dëshiron SHBA-ja në Siri?
  • 02 March 2018 - 12:49

ENDE NUK ËSHTË I QARTË POZICIONI I SHBA-SË NË KËTË KONFLIKT

Trump nuk ka vendosur për të vepruar përkundër katastrofës humanitare

Shkruan: CHRISTOPHER R. HILL

Duke pasur parasysh faktin se, pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme tani gjendet në kaos, sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson duhet ta mbajë në mend konfliktin në Siri, gjatë udhëtimit të tij në regjion. Puna e tij nuk ka qen e lehtë. Diplomacia amerikane nuk ka qenë thuajse aspak e dukshme në këtë regjion dhe Departamenti i Shtetit nuk duket ta ketë ndonjë ide, apo, financim, me të cilin do ta merrte rolin udhëheqës. Nëse SHBA-ja e ka seriozisht rreth adresimit të krizës gjithnjë e më vdekjeprurëse në Siri, atëherë ajo duhet të fillojë ta manifestojë një interesim të qëndrueshëm dhe, t'i vendosë paratë aty ku i ka fjalët. Kompleksiteti i situatës në Siri deri më tani ka tejkaluar kapacitetin e botës që ta mbizotëronte atë. Ngjarjet me ndryshim të shpejtë, një numër i madh i faktorëve dhe lëvizja e vazhdueshme e linjave të betejës, që të gjitha këto çojnë në një gjendje amullie. Vetëm gjashtë muaj më parë, ekzistonin dy trendë të qartë në konflikt: presidenti sirian Bashar al-Assad, me mbështetjen e Rusisë, Iranit dhe Hezbollahut, ishte në rrugë të mirë për të korrur fitore; dhe ISIS pritej që të mposhtej bindshëm nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja. Sot, kampanja e suksesshme kundër ISIS-it duket si fitore e Pirros, në rastin më të mirë. Janë humbur me qindra mijëra jetë dhe zgjidhja e konfliktit kryesor nuk shihet askund.

Turqia nuk është e gatshme që në kufijtë e saj ta ketë një entitet autonom kurd

Bota tani është në një gjendje edhe më të rrezikshme. Gjatë javëve të fundit, Izraeli është ndeshur me forcat iraniane në Sirinë jugore, për të treguar se nuk do ta lejojë Iranin që të stabilizojë praninë e vet aty. Dhe, Turqia ka nisur një kampanjë të vendosur kundër kurdëve të Sirisë, të cilët shpreson t'i dëbojë nga provinca veriperëndimore Afrin, me qëllim të pengimit të lidhjes së tyre me kurdët e Turqisë, që gjenden përtej kufirit. Assad është pajtuar me realitetin dhe ka bërë me dije se do t'ua jap atë territor kurdëve të Sirisë. Por, Turqia nuk është e gatshme që në kufijtë e saj ta ketë një entitet autonom kurd. SHBA-ja, nga ana e saj, ka kaluar gjashtë vitet e fundit duke mbështetur grupe të ndryshme të luftëtarëve sunitë arabë, në kuadër të së ashtuquajturave Forca demokratike të Sirisë (SDF), që dikur quhej Ushtria e lirë siriane. Disa elemente të SDF-së kanë qenë më efektive sesa të tjerat dhe kanë luftuar përkrah kurdëve kundër ISIS-it. Por, tani ato gjenden në mëshirë jo vetëm të Assadit, por edhe të Rusisë dhe milicive të ndryshme shiite, të mbështetura nga Irani. SHBA-ja pati të drejtë që u përqendrua te mposhtja e ISIS-it; por, ajo tani ballafaqohet me një mision shumë më të gjerë: ta sigurojë mbijetesën e aleatëve të saj të llojllojshëm në terren. Kjo e rritë mundësinë e konfliktit direkt me fuqitë e tjera, jo vetëm me Rusinë. Në fakt, SHBA-ja tanimë mund të ketë vrarë me dhjetëra kontraktues ushtarakë rusë, në kuadër të sulmeve të ndërmarra kohëve të fundit. SHBA-ja dhe partnerët e saj evropianë, kanë hezituar që të reagojnë ashpër ndaj aleatit të tyre të NATO-s, Turqisë dhe mezi kanë kërkuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan që të përmbahet. Por, kërcënimet, që janë njëra prej metodave të preferuara diplomatike të SHBAsë, rrallëherë bëjnë punë te ata që janë të përfshirë në vlugun e luftës. Për më tepër, duket se Turqia nuk mërzitet aspak çka mendojnë aleatët e saj. Për shembull, ajo tash vonë shkaktoi habi në radhët e NATO-s, pasi bleu bateri të gjeneratës së re avionësh nga Rusia, S-400. Ky nuk është ogur i mirë për ndonjë proces të ardhshëm të paqes. Fundja, vendet perëndimore do të kenë nevojë për Turqinë, që të krijojnë kundërbalanc ndaj Rusisë, e cila ka një agjendë strategjike e cila tejkalon kufijtë e Lindjes së Mesme. Kur historianët të fillojnë ta analizojnë konfliktin në Siri, ata do të kenë fjalë miradije si për ish presidentin amerikan Barack Obama, po ashtu edhe për Donald Trumpin, për shkak të luftimit të paepur kundër ISIS-it. Por, ata do ta fajësojnë SHBA-në pse nuk ndërmori një luftë më të madhe. 

Faktorët regjionalë

Tanimë është e qartë se administrata e Obamës nuk dinte se çka ishte në rrezik në këtë mes, prandaj pa menduar se çka do të vinte më pas, apeloi për largimin e Assadit nga pushteti, në vitin 2011. Në korrik të atij viti, Robert S. Ford, ambasador amerikan në Siri, ishte dërguar në qytetin sunit Hama, ku i ati i Assadit kishte urdhëruar bërjen e një masakre 30 vjet më parë. Sipas Departamentit të atëhershëm të shtetit, qëllimi i vizitës ishte "shprehja e mbështetjes së fuqishme për të drejtën e popullit sirian që të mblidhet lirshëm dhe ta shpreh veten e vet". Vallë, a nuk ishte administrata e vetëdijshme se Assad - sikur edhe babai i tij më parë - do të reagonte me dhunë ndaj një kryengritjeje popullore? Kur SHBA-ja u rreshtua kundër Assadit, shtatë vjet më parë, ajo bazohej te interesat e saj nacionale në Siri, duke injoruar interesat e palëve të tjera, sikur që janë Turqia, Rusia, Irani dhe Izraeli. Dhe tani, derisa SHBA-ja ngurron, ekziston rreziku i një lufte të vërtetë 'proxy' midis SHBA-së dhe Rusisë. Deri më tani, administrata Trump nuk ka vendosur për të vepruar përkundër katastrofës humanitare, me të cilën ballafaqohet populli i Sirisë. Por, ndoshta ajo do të bëjë më shumë nëse e merr parasysh rrezikun që paraqet ky konflikt për tërë regjionin. Nëse administrata dëshiron ta ketë një rol udhëheqës, atëherë ajo duhet të fillojë nga konsultimi i fuqive të tjera regjionale, për t'i kuptuar më mirë interesat e tyre dhe të shohë a mund të pajtohen ato interesa. Tillerson mund të përpiqet që ta bëjë mu këtë. Por, para se t'i pyet faktorët regjionalë se çka duan, administrata Trump këtë pyetje duhet t'ia bëjë vetvetes. Ende nuk është i qartë pozicioni i SHBA-së në këtë konflikt. 

(Christopher R. Hill është profesor i praktikës në diplomaci në Universitetin e Denverit)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)