Një union doganor eviton më të keqen që sjell Brexit

Një union doganor eviton më të keqen që sjell Brexit
  • 07 March 2018 - 10:42

BE-JA DO TË VENDOSË RREGULLA TË ASHPRA NDAJ BRITANISË 

BE-ja ka të ngjarë që ta miratojë një marrëveshje të tillë, por po ashtu do të vendosë kontrolle të ashpra

Shkruan: WOLFGANG MUNCHAU

Një revokim i Brexitit është i mundshëm në teori, por ai kërkon që disa ngjarje, jo aq të mundshme, të ndodhin me renditje të caktuar, në kohën e caktuar. Pritjet e mia janë që BE-ja dhe Britania, në fund, do të përfundojnë me një union doganor

Javën e kaluar krahasova një propozim për reformë të eurozonës, me instrumentet toksike që na i solli kriza financiare globale. Idetë e qeverisë britanike rreth të së ardhmes së raporteve tregtare me BE-në, po ashtu duken befasisht të ngjashme me inovacionet 'vdekjeprurëse' të financës së strukturuar. Një opsion që është duke u diskutuar është Kanada-plus-plus-plus. Secili nga pluset qëndron për një shtesë ndaj marrëveshjes së lirë tregtare. Qasja britanike propozon tri kategori apo, sipas fjalëve të Theresa May'it, "tri shporta". Qeveria dëshiron që të mbetet e rreshtuar me tregun e përbashkët evropian në disa fusha, sikur që është aviacioni; një anëtar gjysmë i ndarë në fushat e tjera dhe një anëtar i ndarë, por me bashkëpunim vullnetar në një kategori të tretë. Kjo nuk është sikur kur e ke tortën tënde dhe e ha atë. Është sikur kur ke tri torte dhe t'i hash ato në të njëjtën kohë. Donald Tusk, president i Këshillit evropian, kishte të drejtë kur e quajti këtë propozim "iluzion të thjeshtë". Në Britani vërehet një gabim i rëndomtë, se spektri i opsioneve është i vazhdueshëm. 

Francezët janë paranoidë rreth një Britanie, e cila kërkon një avantazh kompetitiv pas Brexitit

Edhe nëse përfshin mundësinë e revokimit të Brexitit dhe një Brexit pa marrëveshje, numri i përgjithshëm i opsioneve mund të numërohet me gishtat e një dore. Nga tri opsionet e mbetura, anëtarësimi në Zonën ekonomike evropiane, i ashtuquajturi opsioni norvegjez, tanimë është refuzuar nga Britania. Kjo na lë me dy skenarë të menjëhershëm, ku secili prej tyre është i mundur: një marrëveshje tregtare si e Kanadasë pa pluse dhe unioni doganor për tregti vetëm me mallra. Opsioni i Kanadasë përmban një komplikim të madh. Në samitin e dhjetorit, BE-ja dhe Britania u morën vesh se nuk duhet të ketë kufij të fortë doganor midis Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore. Jam i sigurt se Këshilli Evropian do të nderojë përkushtimin e tyre ndaj Republikës së Irlandës. Kjo lë një marrëveshje të Unionit doganor. Britania nuk mund të qëndrojë në Unionin doganor evropian thjesht për shkak se ai është në dispozicion vetëm për shtetet anëtare. Por, Britania mund ta ketë një marrëveshje bilaterale të Unionit doganor me BEnë, ndoshta të ngjashëm me marrëveshjen që BE-ja ka me Turqinë. Jeremy Corbyn, lideri opozitar i Partisë laburiste, mund ta mbështetë një marrëveshje të unionit doganor në një fjalim që pritet ta mbajë. Anna Soubry, deputete konservatore, ka paraqitur një amendament ndaj projektligjit tregtar, duke apeluar te qeveria që ta kërkojë një union doganor pas Brexitit. Një deputet laburist, i cili mbështetë Unionin doganor, më ka thënë se atyre do t'iu duhen rreth 20 rebelë të Partisë konservatore për ta marrë këtë votë. Ky mund të jetë një ndryshim i madh në rrugën për Brexit. BE-ja do ta pranonte në pranim idenë e Unionit doganor, meqë ai do t'iu ndihmonte edhe kompanive 'kontinentale'. Por, në kundërshtim me atë që besojnë disa mbështetës të Unionit doganor në Britani, BEja do të vendosë rregulla të ashpra ndaj Britanisë, për shkak se ekonomia e saj është shumë më e madhe sesa e Turqisë dhe gjeografikisht më afër ndaj qendrës ekonomike të BE-së. Veçanërisht francezët janë paranoidë rreth një Britanie, e cila kërkon një avantazh kompetitiv pas Brexitit me anë të taksave më të ulëta dhe standardeve më të buta të punës. BE-ja do ta kërkojë një shkallë të konvergjencës politike si çmim për një union doganor. Nuk ma merr mendja që ajo do të kërkojë nga Britania ta pranojë lirinë e lëvizjes. Ky fakt mund ta bëjë unionin doganor atraktiv nga perspektiva britanike. 

Marrëveshja kanadeze 

Por, do të ishte gabim po të mendohej rreth Unionit doganor si një marrëveshje jo intruzive (shqetësuese). BE-ja, p.sh., mund të insistojë në një regjim relativisht të hapur të imigracionit, diçka që, në praktikë, mund të ngjajë me një lëvizje të lirë. Nuk ekziston asnjë arsye ekonomike për ta lidhur lëvizjen e lirë të mallrave të tregtueshëm me atë të njerëzve. Por, politikat mund të përzihen. Një union doganor do të duhej të ratifikohej nga 27 vendet anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe shtetet që nuk kanë ndonjë përfitim nga qarkullimi i lirë i mallrave, por që do të humbnin shumë nga kontrollet britanike ndaj imigrantëve. BE-ja, si tërësi, do të mund të bënte vërejtje rreth çdo regjimi të imigracionit, i cili në mënyrë direkte, apo indirekte, diskriminon disa shtete anëtare. Personalisht, jam duke u përpjekur që të kuptoj ose ndokush do ta donte një union doganor, kur është i mundshëm opsioni norvegjez. EEA do ta mundësonte një qasje më të gjerë të tregut, edhe pse me koston e pranimit të lirisë së lëvizjes. Derisa imigracioni nga BE-ja është duke rënë me të shpejtë, e tërë çështja e lirisë së lëvizjes do ta humbë rëndësinë e vet. Sido që të jetë, një marrëveshje rreth unionit doganor do të vazhdonte të paraqiste një opsion të denjë të dytë, meqë do ta minimizonte çrregullimin në qarkullimin tregtar dhe do t'i zgjidhte problemet e Irlandës veriore. Marrëveshja kanadeze do të ishte më pak intruzive, por do të ishte politikisht më vështirë që të realizohej. Ajo nuk do ta zgjidhte çështjen e kufirit me Irlandën Veriore. Një revokim i Brexitit është i mundshëm në teori, por ai kërkon që disa ngjarje, jo aq të mundshme, të ndodhin me renditje të caktuar, në kohën e caktuar. Pritjet e mia janë që BE-ja dhe Britania, në fund, do të përfundojnë me një union doganor. 

(Kosova Sot)