Kripto-skifterët dhe kripto-pëllumbat

Kripto-skifterët dhe kripto-pëllumbat
  • 08 March 2018 - 13:51

SHQETËSIMET E AUTORITETEVE PUBLIKE 

Janë të pakta mallrat që kanë çmim të shprehur në bitcoin

Shkruan: HOWARD DAVIES

Bankat qendrore kanë një gamë më të gjerë të shqetësimeve. A do ta marrin kriptovalutat rolin e tyre si monopole të furnizimit me para? A ka implikime serioze për stabilitetin financiar, nëse bankat qendrore e humbin kontrollin ndaj fuqisë blerëse në ekonomi

P ak ditë më parë, presidenti venezuelas Nicolás Maduro, bëri me dije se qeveria e tij ka lansuar një kriptovalutë, të sponsorizuar nga shteti, të quajtur 'petro'. Ai tha se, tanimë janë shitur këso valutash deri në vlerën prej 735 milionë dollarësh, edhe pse vëzhguesit janë skeptikë, përpos nëse entitetet shtetërore kanë qenë të obliguara t'i blinin ato. Por, edhe ato do ta kenë të vështirë ta bëjnë një gjë të tillë, meqë platforma teknologjike e tregtimit të valutës 'petro' ende nuk është konfirmuar. Kërkesa ndërkombëtare për 'petro' nuk do të përfitojë nga deklaratat e kohëve të fundit nga Warren Buffett dhe Charlie Munger, "të mençurit nga Omaha", të cilët vazhdojnë që ta kontrollojnë "Berkshire Hathaway"-n. Duke folur rreth kriptovalutave në përgjithësi, Buffett tha se, gati me siguri të plotë, ato do ta kenë një fund të keq. Munger është edhe më i ashpër, duke e karakterizuar veçanërisht bitcoinin si 'gomarllëk total' dhe 'helm'. Nuk ka lënë vend për të dyshuar. Natyrisht, ata e konsiderojnë bitcoinin nga aspekti i investitorëve potencialë. Autoritetet publike kanë shqetësime pak më të ndryshme. regullatorët e tregut janë të interesuar në mbrojtjen e investitorëve dhe kanë filluar që të lëshojnë vërejtje. Edhe pse, deri më tani, këto vërejtje kanë qenë 'sotto voce', pres që, së shpejti, rregullatorët do ta rrisin volumin, me vazhdimin e ndryshimit të çmimeve. Ata duhet të shqetësohen edhe rreth mundësive të krijuara për shpëlarjen e parave dhe për tregti me droga.  

Teknologjia që mbështet bitcoinin mund ta bëjë sistemin financiar më efikas

Por, bankat qendrore kanë një gamë më të gjerë të shqetësimeve. A do ta marrin kriptovalutat rolin e tyre si monopole të furnizimit me para? A ka implikime serioze për stabilitetin financiar, nëse bankat qendrore e humbin kontrollin ndaj fuqisë blerëse në ekonomi? Është interesante se janë duke u paraqitur disa përgjigje në këto pyetje dhe bankat qendrore janë duke u ndarë në skifterë dhe pëllumba. Në anën 'skifterore' të spektrit gjenden kinezët. Vitin e kaluar, Banka popullore e Kinës ndaloi tregtimin me bitcoinit. Duke përdorë një frazë tepër të gjallë për bankierët qendrorë evropianë, Pan Gongsheng, zëvendësguvernator i bankës kineze, deklaroi: "Sikur që na ka mësuar Keynes, 'tregu mund të mbetet irracional më gjatë sesa që ju mund të mbeteni solvent'. Ka mbetur vetëm edhe një gjë për ta bërë: të ulemi buzë lumit dhe ta shohim duke kaluar kufomën e bitcoinit një ditë'. Nuk befason fakti që edhe Rusia ka një qëndrim të ngjashëm. Elvira Nabiullina, guvernatore e Bankës qendrore të Rusisë, deklaroi në dhjetor se 'ne nuk legalizojmë skemat piramidale' dhe se 'ne kundërshtojmë në tërësi paratë private, qoftë në formën fizike, apo virtuale'. Por, edhe pëllumbat janë në numër. Banka e Kanadasë ka vërejtur se teknologjia që mbështetë bitcoinin mund ta bëjë sistemin financiar më efikas dhe se janë duke u bërë studime se a ka mundësi që, në një moment të volitshëm edhe kjo bankë ta lëshojë valutën e vet digjitale. Edhe Banka e Anglisë është e intriguar nga mundësitë, duke injoruar shqetësimet rreth rrezikut që paraqesin valutat digjitale për stabilitetin financiar dhe duke vënë në pah faktin se, teknologjia e valutave digjitale mund të ketë përdorime të shumta, tjera në sistemin financiar, si dhe ka mundësi që ajo të jetë një platformë e dobishme për ta fuqizuar një valutë digjitale të bankës qendrore". 

Carstens ka vërejtje edhe në aspektin e ambientit

Agustin Carstens, menaxheri i ri gjeneral i Bankës për marrëveshje ndërkombëtare, bankës qendrore të bankave qendrore, mori guximin që të përzgjidhte temën e bitcoinit për njërin nga fjalimet e tij të mëdha. A do të mundet Carstens, ish guvernatori afatgjatë i Bankës së Meksikës, ta gjejë një mes të lumtur midis skifterëve dhe pëllumbave, midis kinezëve dhe kanadezëve? Me qëllim të paraqitjes së argumentit të tij, Carstens u kthye te parimet e para, duke tentuar t'i definonte paratë, e më pas ta kuptonte shkallën deri ku kualifikohen paratë digjitale. Ai na rikujton se ka tri kritere, që një valutë të sillet si njësi llogaritëse; të jetë metodë e rëndomtë e pagesës dhe ruajtëse e vlerës. Janë të pakta mallrat që kanë çmim të shprehur në bitcoin; ai shumë rrallë përdoret gjatë transaksioneve dhe kostot e bërjes së një gjëje të tillë janë penguese. Kriptovalutat nuk mund të jenë as ruajtëse të vlerës, meqë çmimi i tyre ndryshon shpejt dhe shumë. "Edhe pse kriptovalutat mund të pretendojnë të jenë valuta", përfundon Carstens, "ato nuk plotësojnë kriteret themelore". Për më tepër, "pa një mbështetje institucionale, gjë që më së miri ofrohet nga një bankë qendrore', kripto-asetet e reja rrezikojnë besimin te vlera fundamentale dhe natyra e parave. Kështu, Carstens është pozicionuar me vendosmëri në anën e skifterëve. Carstens ka vërejtje edhe në aspektin e ambientit, me të drejtë, meqë elektriciteti që përdoret në procesin e 'nxjerrjes' së bitcoinëve, është e barabartë me konsumimin ditor të Singaporit. A ka të drejtë Carstens që të jetë kaq i ashpër, apo, ndoshta, pas disa vjetësh, ai do të konsiderohet njëfarë lloji mbreti Canute monetar, duke qëndruar në fronin e bankës qendrore në Bazel dhe duke urdhëruar valën digjitale që të tërhiqet? Ende është herët për ta thënë. Mendoj se valuta 'petro' do të dështojë, por kjo nuk dmth se nuk do të ketë kriptovaluta të reja, përkundër 'fetvave' të lëshuara nga Kina, Rusia dhe të mençurit e Omahas.

 (Howard Davies është kryesues i Bankës mbretërore të Skocisë)
 

(Kosova Sot)