Viti 2018, viti i Adem Jasharit dhe Familjes Jashari

Viti 2018, viti i Adem Jasharit dhe Familjes Jashari
  • 09 March 2018 - 08:01

Legjenda e legjendave

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI 

Ne duhet të krenohemi së pari dhe më së shumti sidomos me ata heronj të cilët sakrifikuan për kombin, për lirinë dhe për pavarësinë e Shqipërisë. Dhe shembulli më i lartë i kësaj sakrifice është Epopeja e Jasharëve

Ky vit, viti 2018, përkon me 20-vjetorin e Epopesë së Lavdishme e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e familjes së tij, e cila ka hyrë njëkohësisht në histori si Epopeja e UÇK-së dhe si e tillë duhet kremtuar si Viti i Adem Jasharit. A mos duhen kaluar qindra vite që të shkojnë dhe pastaj të kemi nevojë që të ndërgjegjësohemi dhe të gërmojmë historinë "për t'i rilindur" heronjtë kombë- tarë. Po e pyes opinionin shqiptar, sidomos dhe veçanërisht atë të Kosovës, se kush është heroi më i madh kombëtar i shqiptarëve? Cila është ngjarja epokale më e lavdishme, e cila mundësoi që shqiptarët të kapin kohën dhe që e ndryshoi në mënyrë të përshpejtuar historinë në favor të shqiptarëve? Cila është ngjarja e cila e ndërkombëtarizoi si kurrë ndonjëherë më parë kaq shumë Çështjen kombëtare shqiptare? Cila është ngjarja e cila e detyroi Evropën, pikërisht po ato shtete të cilat para 100 vitesh në vitin 1913 bënë tragjedinë me padrejtësitë më të mëdha në Evropë kundër shqiptarëve, që ato të mblidhen në një Konferencë Ndërkombëtare për Çështjen shqiptare ku dhe për herë të parë në të të kishte përfaqësues edhe të shqiptarëve, siç ishte ajo e 6 Shkurtit 1999, "Konferenca e Rambujesë" në Francë, ngjarje e cila i parapriu edhe ndërhyrjes së NATOs kundër gjenocidit serb dhe që sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës? 

ME SAKRIFICËN E FAMILJES SË JASHARËVE SHQIPTARËT DO TË KRENOHEN PËRJETËSISHT

Rrjedha e historisë

Mjaftojnë besoj vetëm këto për të thënë se kjo ishte Epopeja e komandantit legjendar Adem Jashari me familjen e tij dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kush është ai i cili jo vetëm që mbrojti kombin, por edhe e dha jetën ai dhe e gjithë familja e tij kundër një shteti kriminal dhe të armatosur me armët më moderne? Unë këtu kam parasysh dhe pyes përsëri se pas cilës ngjarje të madhe kombëtare ndryshoi kaq shpejt dhe kaq furishëm rrjedha e historisë në favor të shqiptarëve se sa pas Epopesë së Jasharëve? Epopeja e Jasharëve është kulmi i qëndresës dhe i sakrificave njëqindvjeçare të popullit heroik dhe martir të Kosovës kundër gjenocidit kolonialist serb mbi shqiptarët me të cilën u kurorëzua Pavarësia e Kosovës.

Adem Jashari dhe familja e tij sakrifikuan vetëm për atdheun dhe për kombin e tij. A mos duhet që të importojmë dhe t'i nderojmë më shumë ata të cilët na i "propozojnë" dhe na i delegojnë të tjerët apo ata të cilët sakrifikuan gjithçka dhe jetën vetëm për kombin e vet. Ne nuk kemi pse të krenohemi aq shumë p.sh. për kontributin heroik të arvanitasve për lirinë e kombit grek dhe për pavarësinë e Greqisë dhe as për dinastinë shqiptare të Egjiptit, as për Perandorët e shenjtorët iliro-dardanë që u shërbyen Romës dhe Bizantit dhe as me kryeministrat apo sadriazemët shqiptarë të cilët i shërbyen Perandorisë Osmane. Ne duhet të krenohemi së pari dhe më së shumti sidomos me ata heronj të cilët sakrifikuan për kombin, për lirinë dhe për pavarësinë e Shqipërisë. Dhe shembulli më i lartë i kësaj sakrifice është Epopeja e Jasharëve.

Po i pyes shqiptarët se po të kishin pasur në historinë e tyre fqinjët tanë dhe jo vetëm ata, por edhe kombet e tjera një rast të tillë unikal në botë, sakrificën e pashembullt në botë për liri dhe për pavarësi kombëtare si rasti i Adem Jasharit dhe të anëtarëve të familjes së tij, çfarë do të kishin bërë ato kombe si mirënjohje, për ta nderuar dhe për ta përjetësuar një hero të tillë dhe një vepër legjendare të tillë me përmasa të jashtëzakonshme dhe kaq madhështore? Pas kësaj ngjarje erdhi edhe zgjimi dhe ndërgjegjësimi i botës moderne, demokratike dhe të qytetëruar, për çështjen kombëtare shqiptare, e cila si një koalicion ndërkombëtar ndërhyri dhe e çliroi Kosovën.

Adem Jashari ka meritën e papërsëritshme kombëtare, sepse vepra e tij dhe Lufta heroike e UÇK-së e nderkombëtarizoi dhe e lartësoi si kurrë ndonjëherë shqiptarizmin, Kosovën shqiptare dhe të drejtën e saj për liri dhe Pavarësi kombëtare. Por nderim dhe respekt meritojnë dhe duhet edhe për ata intelektualë, studiues dhe shkrimtarë patriotë, të cilët dëshminë reale të ngjarjeve të tilla, si kjo e Adem Jasharit, e kanë përjetë- suar pikërisht në kohën e duhur, ku më meritori do të mbetet libri i shkrimtarit Bedri Tahiri, kryevepra letrare-historike e tij, me titullin më të saktë dhe më të merituar "Adem Jashari - legjenda e legjendave".

EPOPEJA E JASHARËVE RILINDI DHE NGJALLI SHPRESËN

Me sakrificën e Familjes së Jasharëve shqiptarët do të krenohen përjetësisht. Me këtë ngjarje madhore dhe prej Luftës së UÇK-së u largua dhe u dëbua përfundimisht nga Kosova kolonizatori barbar serb. Pra, Serbia u mund me luftë dhe Kosova me luftë e fitoi lirinë, pavarësinë dhe shtetin e vet. Është e vërtetë për rolin e madh që dha NATO-ja për lirinë e Kosovës, por ama ata nuk humbën asnjë jetë njerëzore, kurse Kosova dha heronjtë e saj jo vetëm tani, por ka mbi 100 vite që për Kosovën kanë dhënë jetën mijëra e mijëra bijë e bija të saj dhe jo vetëm për Kosovën, por në shekuj Kosova më shumë se çdo trevë shqiptare ka dhënë heronj për të gjithë Shqipërinë, për të gjitha trojet shqiptare, për një shtet-komb shqiptar. Por, sakrifica e Adem Jasharit dhe e familjes së tij për dinjitetin, për krenarinë, për lirinë dhe për pavarësinë dhe për Bashkimin Kombëtar është dhe do të mbetet unike jo vetëm në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë botërore. Prandaj ky vit, me rastin e 20-vjetorit të kësaj ngjarje të madhe, si ngjarja më epokale në historinë tonë kombëtare, duhej që Qeveria e Kosovës ta kishte shpallur si Viti i Adem Jasharit. Dhe a mos vallë do duhet të presim që ta shpallim atë pas 100 apo 200 vitesh? Epopeja e Jasharëve rilindi dhe ngjalli shpresën, dinjitetin, heroizmin dhe madhështinë e kombit shqiptar dhe të shqiptarëve kudo nëpër trojet e tyre dhe në diasporë, madje edhe te shqiptarët e Shqipërisë, pas atyre ngjarjeve katastrofike të vitit 1997.

(Kosova Sot)