Pse nuk ekziston një

Pse nuk ekziston një
  • 09 March 2018 - 10:25

ZVOGËLIMI I PABARAZISË

Me kalimin e viteve, Kina ka punuar për transformimin e ekonomisë së saj

Shkruan: ANDREW SHENG 

Katër dekada mund të duken një kohë e mjaftueshme për të identifikuar logjikën që qëndron prapa modelit zhvillimor të Kinës. Megjithatë, 40 vjet pasi që Deng Xiaoping filloi reformimin dhe hapjen e vendit, ende nuk është artikuluar një "Konsensus i Pekinit", ekuivalenti kinez i Konsensusit perëndimor neoliberal të Uashingtonit në Perëndim. mMe kalimin e viteve, Kina ka punuar për transformimin e ekonomisë së saj të planifikuar dhe të mbyllur, në një sistem më të hapur dhe të bazuar te tregu. Industria dhe, në një masë gjithnjë e më të madhe, shërbimet, kanë zëvendësuar bujqësinë, si motori i rritjes ekonomike dhe vendi ka kaluar nga një kopjues teknologjik, në një novator global. Në ndërkohë, Kina ka trajtuar disa sfida të vështira, duke filluar nga borxhet e tepruara, dhe tejkalimi i kapacitetit, e deri te ndotja e rëndë e ambientit dhe korrupsioni zyrtar. Ky ka qenë një proces tejet kompleks. Sipas ekonomistit të Akademisë kineze të shkencave sociale, Cai Fang, kjo mund të kuptohet vetëm në kontekstin e historisë unike të vendit, demografisë dhe gjeografisë të tij, pa përmendur këtu trendët më të gjerë teknologjikë dhe globalë. Fundja, që të gjithë këta faktorë kanë ndihmuar në formësimin e qeverisjes dhe institucioneve të Kinës. 

Dogma ekonomike perëndimore

Megjithatë, analisti veteran i Kinës, Bill Overholt, në librin e tij më të ri, "China's Crisis of Success", thotë se reformat janë udhëhequr nga "frika dhe thjeshtësia". Ai thotë se, faktorët e njëjtë ndikuan në zhvillimin e Azisë Lindore pas vitit 1945. Vëzhgues të tjerë, duke përfshirë Bankën botërore, OECD-në dhe "think tank"-et si Qendra "Fairbank" e Harvardit për studime kineze, nuk mund të bien dakord se kush ka të drejtë. Ata nuk janë mësuar ta vlerësojnë një ekonomi, ndikimet primare të së cilës dallojnë aq shumë nga ato të Perëndimit. Ta marrim parasysh çështjen e qeverisjes. Dogma ekonomike perëndimore thotë se shteti duhet të intervenojë në tregje sa më pak që të jetë e mundur. Megjithatë, për liderët e Kinës, nuk është e qartë nëse shteti mund të ndahet nga tregu, qoftë për nga konceptet, apo operacionet. Me mijëra vjet, kontrolli shtetëror ishte strategjia dominuese shtetërore në Kinë, me një qeveri të fortë qendrore që mbikëqyr stabilitetin dhe parandalon rivalitetet regjionale dhe fragmentare që të shkaktojnë kaos. Kështu, kur Kina dëshironte ta rriste llogaridhënien e liderëve të saj, ajo nuk përqendrohej te krijimi i një sistemi të bazuar te tregu, e aq më pak demokratik, por te futja e rregullave për zvogëlimin e abuzimit të pushtetit dhe për lehtësimin e rrjedhës së produkteve, kapitalit dhe njerëzve e informatave. Në kuadër të kësaj qasjeje paternaliste, eksperimentimi dhe adaptimi, që kanë qenë tepër të rëndësishme për rritjen e Kinës, duhej të bëheshin vetëm nga qeveritë lokale, të cilat kanë gëzuar një autoritet të konsiderueshëm për ta bërë një gjë të tillë. Ideja ishte se, duke përdorë përvojën e qeverive lokale, si dhe të tregjeve, Kina të mund të arrijë rritje ekonomike, pa prishur kohezionin social, apo pa komprometuar integritetin nacional. Megjithatë, qeverisja kineze nuk ka qenë saktësisht e përjashtuar nga qortimet. Kur flitet për kualitetin e konkurrencës së tregut, pyetjet rreth dominimit të sektorit shtetëror, si dhe efikasitetit të rregullativave dhe respektimit të ligjeve, standardeve dhe praktikave ndërkombëtare, vazhdojnë të jenë aktuale. Dhe, derisa qeveria e Kinës është treguar e aftë për ofrimin e infrastrukturës 'së fortë', sikur që janë autostradat, hekurudhat dhe aeroportet, ajo ka edhe shumë për të bërë në zhvillimin e infrastrukturës së butë, sikur që është ajo që lidhet me edukimin, kujdesin shëndetësor, energjinë, ambientin dhe financat. Kina vazhdon që të merret me pyetjet se si ta balancojë shtetin dhe tregun, në mënyrë që ta sigurojë llogaridhënien, konkurrencën e tregut, si dhe një mbikëqyrje adekuate të të mirave publike për një të pestën e popullsisë botërore. Por, kjo nuk d.m.th. se Perëndimi ka dëshmuar pa dilema sesi qasja e tregjeve të lira funksionon. Roli i shtetit, i matur në bazë të hises së sektorit publik në GDP, si dhe thellësia e kompleksiteti i ligjeve që qeverisin aktivitetet private, është zgjeruar gati në çdo vend që nga fillimi i shekullit XX. Në veçanti, SHBA-ja ofron një standard të dobishëm. Ngjashëm me Kinën, këtu kemi të bëjmë me një ekonomi kontinentale. Por, ajo paraqet edhe standardin e artë botëror në shumë fusha, duke përfshirë teknologjinë, mbrojtjen, kërkimet shkencore dhe zhvillimin. Përkundër trashëgimisë etatiste të Kinës, përvoja historike e Amerikës ka instaluar te qytetarët dhe liderët një përkushtim ndaj lirisë, duke përfshirë edhe tregjet e lira dhe autonominë lokale. Madhësia dhe fuqia e qeverisë federale të SHBA-së, kishte rritje shumë të ngadalshme deri në vitet 1930, Kur "New Deal" - që përfshinte programe federale, projekte të punëve publike dhe reforma e rregullativa financiare, ishte implementuar si reagim ndaj Depresionit të Madh. 

Të mirat globale publike

Qeveria federale amerikane u zgjerua përsëri pas Luftës së dytë botërore, duke reflektuar hegjemoninë e re globale të vendit dhe përparimin e shtresës së mesme të saj. Qeveria mori një rol më të madh në fushat që shtrihen nga mbrojtja dhe politika e jashtme, e deri te kujdesi shëndetësor dhe sigurimi social. Por, edhe derisa qeveria federale rriti rregullimin në disa fusha, SHBA-ja mbeti tepër e varur nga tregu, gjë që ndikoi në rritjen e pabarazisë, përkeqësimin e infrastrukturës publike dhe deficitit të paqëndrueshëm fiskal, duke mos i harruar edhe borxhet. Recesioni global, i shkaktuar nga kriza financiare e vitit 2008, intensifikoi rritjen e dyshimeve rreth Konsensusit të Uashingtonit. Disa prej sfidave më fundamentale të Amerikës - sikur që është zvogëlimi i pabarazisë, mbështetja e kushteve stabile fiskale dhe financiare, si dhe sigurimi i qëndrueshmërisë ambientale - janë të njëjta sikur në Kinë dhe asnjëri prej këtyre vendeve nuk e ka ndonjë 'konsensus' të qartë dhe të dëshmuar në këtë drejtim. Në një situatë të tillë, duhet të mundësohet bashkëpunimi për të prodhuar të mira globale publike, duke përfshirë edhe paqen. Esenca është që të dyja palët të punojnë kah arritja e qëllimeve të përbashkëta, derisa pajtohen se nuk pajtohen rreth disa parimeve ideologjike. Këtu, SHBA-ja duhet të pranojë se bashkëpunimi global nuk është një lojë e balancuar dhe se ngritja e Kinës nuk duhet të shikohet si kërcënim. Përkundrazi, Kina, bashkë me vendet e tjera me ekonomi me zhvillim të hovshëm, sikur që është India, mund të kontribuojnë në një rebalancim global, i cili e forcon ekonominë dhe stabilitetin gjeopolitik.

(Andrew Sheng është bashkëpunëtor i Institutit global të Azisë në Universitetin e Hong Kongut) 
Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)