Ikja e Legjendës

Ikja e Legjendës
  • 13 June 2018 - 08:24

SHKRUAN: RIFAT BLAKU

Tanimë dihet kontributi kapital i tij në pranimin dhe anëtarësimin e FFK-së në UEFA dhe në FIFA. Me aftësi të jashtëzakonshme lobizimi, me një elegancë prej diplomati sportiv, ai mposhti dhe çau të gjitha bllokadat aq neveritëse ndaj futbollit të Kosovës

Alfabetin dhe artin e futbollit brilant, Fadili e mësoj nga Babai i tij Abdullah Vokrri... ishte viti 1965 me Abdullahun pothuajse çdo ditë takoheshim tek parku nën Mercez të Podujevës. Atëherë të dytë studentë dhe futbollistë të KF Llapit. Përgatitnim provimet nën lisat e parkut duke dëgjuar edhe radiostacione e muzikë të ndaluar. Avdullahu, përveç futbollist i spikatur dhe yll i futbollit llapjan, kishte prirje të hollë edhe për muzikë. 

I talentuar si fëmijë

Gjatë përgatitjeve tona për provime shpesh vinte edhe Fadili me shokë, atëkohë fëmijë, dhe luanin në "livadhin e gjatë" te "ara e lisit", atëkohë edhe poligon shenjëtarie. Që atëherë Avdullahu kishte vërejtur talentin, shkathtësinë dhe trurin elegant për finesa e akrobacione futbollistike. Më kujtohet që ai thoshte qe ky djalë do të bëhet lojtari më i mirë i Llapit, i Kosovës dhe i krejt shtetit... Këtë vizion të Avdullahut unë dhe disa shokë të tjerë e merrnim si një dëshirë e prindit për ta parë fëmijën në shkëlqimin dhe lartësitë e sportit, por ky anticipim doli më shumë se i vërtetë. Ai në mënyrë të rrufeshme u bë lojtari më i mirë i Llapit, më vonë edhe i Prishtinës, e cila falë Fadilit me shokë, më vonë kualifikohet në Ligën e Parë federative të Jugosllavisë. KF Prishtina e viteve 80-ta dërmonte dhe mposhtte ekipet më prestigjioze të Jugosllavisë. Ky djalosh llapjan do të kalojë në botën e artit futbollistik duke u bërë yll dhe lojtari e golashënuesi më i mirë në ish- shtetin e gabuar (1987)... Fadili ishte përfaqësuesi me tipik i (shkollës futbollistike të Llapit) - fidanishte kjo që kishte prodhuar me dhjetëra e dhjetëra lojtarë që luajtën edhe për ekipe të shumta të rajonit. Nga familja Vokrri luajtën edhe Selatini (për Llapin dhe Vllaznimin), Muhameti e edhe Bejtushi. Edhe prej axhallarëve Fadili kishte nxjerrëmësime të kësaj loje. Nënvizojmë se KF "Llapi" brez i viteve të 60-ta, juniorët kishin arritur n gjysmëfinale të kupës së ish- Jugosllavisë dhe luajtën në Beograd me ekipin C.Zvezda. Theksojmë se Fadili ishte lindur me intuitë të veçantë, ishte sovran absolut në kontrollim të topit, i pakapshëm nga mbrojtësit e ekipit kundërshtar. Kishte shpejtësinë me sprint si plumbi i pushkës, ndërsa me goditje-shut si gjyle e topit që tundte portën...

Emri i Vokrrit, në majat më të larta

Pas mbarimit të lojës aktive në futboll, dhe pas gjurmëve që la në stadiumet dhe tifozerinë e Beogradit, Stambollit, Parisit etj., ai do të vazhdojë aktin e dytë, edhe më të rëndësishëm për afirmimin dhe ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar. Tanimë dihet kontributi kapital i tij në pranimin dhe anëtarësimin e FFK-së nëUEFA dhe FIFA. Me aftësi të jashtëzakonshme lobizimi, me një elegancë prej diplomati sportiv, ai mposhti dhe çau të gjitha bllokadat aq neveritëse ndaj futbollit të Kosovës. Tash kur po shkëpus e shkruaj këto kujtime, gjithsesi më të mira, nga rinia ime e Llapit, për koincidencë ndjej krenari dhe mburrje të posaçme (sikur edhe dhjetëra e dhjetëra lojtarë të tjerë të Llapit) që unë si lojtar i Llapit para 50 vjetëve mbaja fanellën me numrin 9, e po të njëjtën fanellë (9) si qendërsulmues e mbajti edhe margaritari i futbollit shqiptar - Fadil Vokrri. Të thuhet se Fadil Vokrri ishte aristokrat dhe Mozzart i futbollit ballkanik është pak! Në historinë e futbollit kombëtar, emri i tij do të radhitet në majat më të larta duke qene model frymëzimi për gjeneratat e ardhshme!

(Kosova Sot)