Zgjidhja e enigmës së dezinformimit

Zgjidhja e enigmës së dezinformimit
  • 12 July 2018 - 08:20

Shkruan: Kelly Born

Qyshkur zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit 2016 theksuan dobësinë e kanaleve digjitale ndaj plasuesve të "lajmit të rremë", debati rreth asaj se si të kundërshtohet dezinformimi nuk ka përparuar shumë. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë në tetë muajt që kur drejtuesit e "Facebook", "Google" dhe "Twitter" u paraqitën përpara Kongresit për t'iu përgjigjur pyetjeve se si burimet ruse shfrytëzuan platformat e tyre për të ndikuar në zgjedhje. Por, nëse ka ndonjë gjë që kërkimi për zgjidhje ka bërë të qartë, është se nuk ka ilaç magjik për këtë problem. Kubi i rubikonit Në vend të një rregullimi të plotë, nevojiten hapa që adresojnë problemin nga kënde të shumëfishta. Ekosistemi modern i informacionit është si një kub i rubikonit, ku kërkohet një lëvizje e ndryshme për ta "zgjidhë" çdo fushë individuale. Kur është fjala për dezinformimin digjital, të paktën katër dimensione duhet të merren parasysh. Së pari, kush shpërndan dezinformata? Përhapja e dezinformatave nga faktorët e huaj mund të trajtohet në mënyra të ndryshme - si ligjërisht ashtu edhe normativisht - për dallim nga dezinformimi i përhapur nga qytetarët, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ku ka një mbrojtje të pashembullt të fjalës së lirë dhe rregulla relativisht strikte mbi ndërhyrjen e huaj. Në SHBA, rastet më pak të sofistikuara të ndërhyrjes së huaj mund të adresohen me një përzierje të përpunimit në gjuhën natyrore dhe teknikave gjeo-lokalizuese për të identifikuar faktorët që punojnë jashtë vendit. Aty ku dështojnë ndryshimet në nivelin e platformës, mund të përdoren ndërhyrje më të gjera të qeverisë, sikur që është vënia e sanksioneve të përgjithshme. Së dyti, pse shpërndahen dezinformatat? "Keqinformimi" - informatat e pasakta që përhapen pa qëllim - është krejt i ndryshëm nga dezinformata ose propaganda, të cilat përhapen qëllimisht. Parandalimi i faktorëve me qëllim të mirë nga shpërndarja e informatave të rremë pa dashje, mund të adresohet, të paktën pjesërisht, përmes fushatave të leximit të lajmeve ose nismave të kontrollit të fakteve. Ndalimi i faktorëve të keq nga shpërndarja e qëllimshme e informatave të tilla është më i komplikuar dhe varet nga qëllimet e tyre specifike. Për shembull, për ata që janë të motivuar nga fitimi - sikur psh adoleshentët, tani famëkëqij, maqedonas, të cilët fituan mijëra dollarë duke drejtuar faqe të lajmeve të rreme - politikat e reja të reklamave që pengojnë modelet e të ardhurave, mund të ndihmojnë. Por, politika të tilla nuk do të ndalonin ata që ndajnë dezinformatat për arsye politike apo sociale. Nëse këta faktorë veprojnë si pjesë e rrjeteve të organizuara, ndërhyrjet mund të kenë nevojë të prishin gjithë rrjetin për të qenë efektive.

Shpërndarja e dezinformatave

Së treti, si shpërndahen dezinformatat? Nëse faktorët shpërndajnë përmbajtje përmes mediave sociale, ndryshimet në politikat e platformave dhe / ose rregullimi i qeverisë mund të jenë të mjaftueshme. Por, ndryshime të tilla duhet të jenë specifike. Për shembull, për të ndaluar 'botët' që të përdoren për të përforcuar përmbajtjen artificialisht, platformat mund të kërkojnë që përdoruesit të zbulojnë identitetet e tyre reale (edhe pse kjo do të ishte problematike në regjimet autoritare ku anonimiteti mbron aktivistët e demokracisë). Për ta kufizuar mikro-targetimin e sofistikuar - përdorimin e të dhënave të konsumatorit dhe demografisë për të parashikuar interesat dhe sjelljet e individëve, në mënyrë që të ndikojnë në mendimet ose veprimet e tyre - platformat mund të kenë nevojë të ndryshojnë politikat e shkëmbimit të të dhënave dhe privatësisë, si dhe të zbatojnë rregulla të reja të reklamimit. Për shembull, në vend se t'u jepet mundësia reklamuesve që të kenë qasje ndaj 2,300 "urrejtësve potencialë të çifutëve" për vetëm 30 dollarë, platformat duhet - dhe, në disa raste, ato bëjnë - të zbulojnë caqet e reklamave politike, të ndalojnë kritere të caktuara të synimeve të votimit ose të kufizojnë madhësinë e një target grupi. Kjo është një lloj gare e armëve. Aktorët e këqij do të shmangin shpejt çdo ndryshim që platformat digjitale zbatojnë. Vazhdimisht do të kërkohen teknika të reja, të tilla si përdorimi i bllokadës për të ndihmuar në autentifikimin e fotografive origjinale. Por, ka pak dyshim se platformat digjitale janë më të pajisura për t'i adaptuar politikat e tyre rregullisht sesa që janë rregullatorët qeveritarë. Megjithatë, platformat digjitale nuk mund të menaxhojnë vetëm dezinformata, sidomos për shkak se, sipas disa vlerësimeve, mediat sociale përbëjnë vetëm rreth 40% të trafikut në faqet më të egra të "lajmeve të rreme", ndërsa 60% të tjerë mbërrijnë "organikisht" ose nëpërmjet " "rrjeteve të errëta sociale (të tilla si mesazhet apo emailat në mes të miqve). Këto rrugë janë më të vështira për t'u menaxhuar. Dimensioni i fundit - dhe ndoshta më i rëndësishmi - i misterit të dezinformimit është: çfarë po shpërndahet? Ekspertët kanë tendencë të përqendrohen te përmbajtja "e rreme", e cila është më e lehtë për t'u identifikuar. Por, platformat digjitale natyrisht janë të nxitura për të frenuar përmbajtje të tilla, thjesht sepse njerëzit në përgjithësi nuk duan të duken të marrë duke ndarë tregime të rreme.

Rregullat për reklamat e fushatës

Njerëzit, megjithatë, pëlqejnë të lexojnë dhe ndajnë informacionin që përputhet me perspektivat e tyre; ata e duan atë edhe më shumë nëse shkakton emocione të forta - sidomos zemërim. Për shkak se përdoruesit angazhohen shumë me këtë lloj përmbajtjeje, platformat digjitale kanë një nxitje për ta shfaqur atë. Përmbajtja e tillë nuk është vetëm polarizuese; shpesh është mashtruese dhe ndezëse, dhe ka të dhëna se kjo mund të dëmtojë diskursin konstruktiv demokratik. Por, ku qëndron vija midis mosmarrëveshjeve të rrezikshme të bazuara në shtrembërim dhe debat të fuqishëm politik të nxitur nga pikëpamjet kundërthënëse? Dhe kush, nëse dikush, duhet ta nxjerrë atë? Edhe nëse këto pyetje etike kanë marrë përgjigje, identifikimi i përmbajtjes problematike ballafaqohet me sfida serioze praktike. Shumë nga shembujt më shqetësues të dezinformimit nuk janë përqendruar në asnjë zgjedhje apo kandidat të veçantë, por në shfrytëzimin e ndarjeve shoqërore përgjatë vijave racore. Dhe, ato shpesh nuk janë blerë. Si rezultat, ato nuk do të adresoheshin nga rregulla të reja për të rregulluar reklamat e fushatës, siç është Akti i reklamave të ndershme, që është miratuar nga 'Facebook' dhe 'Twitter'. Nëse zgjidhjet për dezinformimin janë të paqarta në SHBA, situata është edhe më e ashpër në kontekstin ndërkombëtar, ku problemi është edhe më i decentralizuar dhe i errët - një arsye tjetër pse nuk është e mundur një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Por, ndërsa secila masë adreson vetëm një çështje të ngushtë - politikat e përmirësuara të reklamave mund të zgjidhin 5% të problemit, ndërsa politikat e ndryshme të mikro-targetimit mund të zgjidhin 20% - marrë në përgjithësi, përparim mund të bëhet. Rezultati përfundimtar do të jetë një mjedis informacioni që, ndonëse i papërsosur, përfshin vetëm një sasi relativisht të vogël përmbajtjesh problematike - të pashmangshme në shoqëritë demokratike që e vlerësojnë fjalën e lirë. Lajm i mirë është se ekspertët tani do të kenë qasje në të dhënat e mbrojtura nga privatësia nga "Facebook" për t'i ndihmuar ata të kuptojnë (dhe të përmirësojnë) ndikimin e platformës në zgjedhje - dhe demokracitë - nëpër botë. Mbetet për të shpresuar që platformat e tjera digjitale - si "Google", "Twitter", "Reddit" dhe "Tumblr - do të ndjekin shembullin në fjalë". Me njohuritë e duhura dhe një angazhim për ndryshime thelbësore, ndikimet shoqërore dhe politike të platformave digjitale mund të bëhen të sigurta - ose të paktën më të sigurta - për demokracitë e sotme të ndjeshme.

(Kelly Born është zyrtar i programit i Iniciativës "Madison" në Fondacionin "William and Flora Hewlett")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)