Si e kanë "nokautuar" politikanët tanë drejtësinë?!

Si e kanë
  • 11 October 2018 - 08:14

SHKRUAN: BISLIM ALIU

Pa dyshim, sistemi i drejtësisë në Kosovë, që nga pas lufta e këndej nuk po e kryen fare punën e ndershme që e ka. Dhe, për këtë, ajo tërësisht iu është dorëzuar në duart e politikës tejet të inkriminuar dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale? Ata ia kanë zënë frymën dhe nuk po e lënë që të punojë normalisht! Ndaj, për këtë, ata vazhdimisht po e bojkotojnë punën e prokurorisë, prokurorët e dëgjueshëm të politikës, të cilët asnjëherë nuk duan të futën në konflikt me qeveritarët e zyrtarët e tjerë të pushtetit, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë komunal? Me të vërtetë mafiozët tanë politikë, e kanë "nokautuar" dhe nënshtruar deri në pikën e fundit drejtësinë. Dhe, për këtë fare nuk ka shpresë, për ndëshkimin e mafiozëve, pasi gjyqtarët e prokurorët, dirigjohen si me telekomandë nga pushteti i inkriminuar dhe nëntoka kriminale. Dhe, tani vallë, edhe mund të pyetemi, pse a thua, nuk po flitet me emra dhe mbiemra, se kush nga prokurorët po e saboton betejën antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar në radhët e sistemit të drejtësisë? Dhe, për këtë, a thua,deri kur prokuroria me një këmbë, do të jetë me politikën e korruptuar dhe në krim të organizuar, e me tjetrën, bën gjumë të thellë mbi dosjet e krimit në zyrat e veta?

Deri kur politikanët tanë do ta udhëheqin drejtësinë?
Pa dyshim, drejtësia jonë, nuk po e kryen fare rolin e vet, dhe për këtë, ajo ka rënë në fund të pusit! Ndaj, ajo nga politikanë tanë, është "nokautuar" tërësisht. Me këta politikanë, asnjëherë nuk do të ketë reformë serioze në sistemin e drejtësisë. Dhe, asnjëherë nuk mund të pritet drejtësi, në shtetin tonë, kur prokurorët e gjyqtarët, shantazhohen, blihen, kërcënohen apo dirigjohen, duke rënë pre e ndikimeve politike dhe kriminale, e duke u bërë edhe ajo pjesë e krimit të organizuar. E, pra, a thua edhe sa kohë duhet pritur, që të kemi drejtësi të mirëfilltë?!... Andaj, lirisht mund të themi se drejtësia jonë, që nga pas lufta, pra që afro 20 vjet, ajo ka sabotuar drejtësinë, duke mos e dënuar, asnjë zyrtar të lartë, apo njërin nga "peshqit e mëdhenj" të cilët janë marrë me korrupsion një kohë të gjatë. Dosjet e tyre flenë në sirtarët e prokurorisë dhe "mrizojnë" pandalshëm, meqë s'ka kush t'i marrë në pyetje dhe t'i dënojë në bazë të veprave të bëra! Dhe, shih për këtë, fare nuk ka shpresë, për ndëshkimin e politikanëve, pasi gjyqtarët e prokurorët, dirigjohen vazhdimisht nga pushteti i inkriminuar dhe nëntoka kriminale. Sigurisht, gjyqësori nuk mund të ecë përpara, meqë mungon llogaridhënia e mirëfilltë brenda tij, dhe e vetmja llogaridhënie ekziston ndaj mafiopolitikës dhe grupeve të caktuara të interesit mafioz? Ndaj, që të ketë, vërtet llogaridhënie, në gjyqësi, prokurori dhe polici hetuese, duhet që të ndëshkohen e penalizohen, madje edhe të përjashtohen, të gjithë ata gjyqtarë, prokurorë dhe policë hetues, që i japin llogari vetëm mafio-politikës dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar? Ndaj, vetëm gjyqësia e pavarur ka shpresa që të bjerë në udhën e drejtë të drejtësisë?!
 

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin?
Shpeshherë dëgjohet kjo frazë teorike, nga politikanët dhe zyrtarët e lartë të Kosovës, e në praktikë asgjë, ama asgjë, nuk ka konkrete. Pra, veprojnë ndryshe, dhe gjithmonë po veprojnë ndryshe! Politikanët tanë të nivelit të lartë, me veprimet e veta gjithherë janë mbi ligjin dhe atyre ligji fare nuk ka çka t'ju bën. Ata me të dyja këmbët e shkelin ligjin, por më kot, ligji ata, vazhdimisht i anashkalon dhe fare nuk merret me ta. Asnjëherë, deri më tash, "peshqit e mëdhenj" para ligjit, nuk kanë dhënë llogaridhënie dhe as që janë marrë në pyetje ndonjëherë, edhe pse për këtë, ka pasur disa aktakuza, madje për ministra e zv. ministra, por interesant gjithnjë kanë përfunduar në favor të personave të dyshimtë?! Pra, nuk po dënohen, politikanët dhe zyrtarët e nivelit të lartë , sikur ligji dhe drejtësia, i kanë harruar, dhe me këtë, ata janë vënë mbi ligjin dhe bëjnë lirshëm çka të duan! Drejtësia jonë, shumë i trembet politikës, veçmas kur partitë janë pushtet, qoftë në nivelin qendror apo atij komunal. Përderisa drejtësia jonë nuk funksionon realisht, gjithmonë në Kosovën tonë, nuk do të funksionojë ligji, ligjshmëria dhe drejtësia e mirëfilltë?!...
 

(Kosova Sot)