Pa e ndalur Thaçin nga propaganda për kufij, nuk hapet perspektiva integruese e shtetit të Kosovës

Pa e ndalur Thaçin nga propaganda për kufij, nuk hapet perspektiva integruese e shtetit të Kosovës
  • 22 November 2018 - 07:54

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI 

Në kuadër të analizës së fakteve që prunë deri te mospranimi i Kosovës në Interpol ka shumë mendime dhe fakte që po sillen në kuadër të analizave. Është joreale që kryesisht të theksohet se faktor është Serbia. Nga ky shtet shovenofashist nuk pritet asgjë e mirë. Ata e konsiderojnë Republikën e Kosovës një vend serb dhe kështu veprojnë. Në këtë kontekst duhet lypur faktet diku tjetër.

Pengesat në Interpol

Mendoj se ka një numër faktesh pse dështuam në anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Faktet janë:

1. Plani i Ahtisarit që krijoi një shtet amorf dhe të varur nga minoriteti serbomadh i dirigjuar nga Beogradi,

2. Mosndërtimi i një shteti funksional dhe të ligjshëm,

3. Puna joefikase dhe tepër joproduktivë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës,

4. Ndërtimi i një pushteti serbomadh në Veri të Kosovës dhe të shumë komunave shoveno-çetnike serbe,

5. Puna shumë e dëmshme e Presidentit të Kosovës në raport me shtetin serb, sidomos plani për korrigjim të kufijve, ka ndikuar që Republika të këtë vështirësi në integrimin ndërkombëtarë,

6. Lënia anash e Kosovës nga BE-ja në integrimet evropiane duke hapur mundësi për Serbinë që të futen thellë e më thellë në luftë kundër Kosovës dhe 7. Mbështetja nga BE-ja në atë se e ardhmja e Kosovës varet nga raportet dhe marrëveshja me shtetin serb.

I përmenda këto fakte, për të cilat mendoj se kanë ndikuar dhe po ndikojnë në mosintegrimet evropiane dhe më tej, euroatlantike. Nuk ka mundësi të realizohet integrimi i Kosovës në Interpol dhe në UNESKO me deklaratën e z.Thaçi dhe të disa shteteve të BE-së për korrigjimin e kufijve me shtetin dhe me planin e BE-së për marrëveshje me shtetin serb, si bazë për integrim.

Tri shkaqet themelore

Nuk ka shtet në botë kur dëgjon këto deklarata nga Presidenti i Kosovës dhe nga BE-ja që të pranojë ndonjë integrim pa i realizuar dhe arritur marrëveshja Kosovë-Serbi dhe pa përcaktimin e kufijve. Deklarata e z. Thaçi se duhet të kemi korrigjim nënkupton mosekzistimin e kufijve dhe një shtet pa kufij nuk mund të integrohet në asnjë subjekt ndërkombëtar. Mund të nxirret çfarëdo mendimi; mund të bëhet çfarëdo deklarate, por fakti qëndron në tri shkaqe themelore: A. Deklarata e Presidentit të Kosovës për korrigjim të kufijve, 2. Deklaratat e BEsë për arritjen e marrëveshjes me shtetin serb dhe 3. Plani i Ahtisarit për shtet dualist shqiptaroserb. Analizat na shpijnë te këto fakte dhe asgjëkund tjetër nuk duhet kërkuar shkakun e mos pranimit në Interpol. Jam i mendimit se pa e ndryshuar qasjen tonë ndaj shtetit serb dhe pa e ndalur z.Thaçi nga propaganda për kufij nuk mund të hapet perspektiva. Dhe një fakt themelor është reciprociteti. Nuk ka diskutime me shtetin serb pa njohje reciproke. Së pari njohja reciproke KosovëSerbi dhe pastaj bisedimet. Kjo është e ardhmja e vendit tonë.

 

(Kosova Sot)