Pa i dërguar para drejtësisë 42 pushtetarët e kriminalizuar, për qytetarët e Kosovës nuk do të ketë liberalizim të vizave

Pa i dërguar para drejtësisë 42 pushtetarët e kriminalizuar, për qytetarët e Kosovës nuk do të ketë liberalizim të vizave
  • 04 December 2018 - 08:15

SHKRUAN: GANI QARRI

BE-ja dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, janë treguar të qartë me kërkesat ndaj klasës politike, se Kosova përfundimisht duhet të bëjë reforma reale si në prokurori, ashtu edhe në sistemin e drejtësisë, si çështjet më urgjente dhe me prioritet kyç, për t'u dhënë edhe qytetarëve të vendit tonë një shans për liberalizimin e vizave dhe mundësi për jetë më të mirë në të ardhmen, e jo për ligje të pazbatueshme, të cilat i sjellin pushtetarët e kriminalizuar të Kosovës, që thjesht të mbeten vetëm si dekorim i bukur në letër, për të mos e rrezikuar veprimtarinë e tyre kriminale e korruptive. Pa dekriminalizimin e përgjithshëm, një VETTING-u të thellë e të mirëfilltë, pikësëpari në prokurori, dhe krijimin e një sistem gjyqësor tërësisht funksional, i cili do të shkarkonte dhe çonte para drejtësisë edhe 42 pushtetarët e kriminalizuar, gjë të cilën BE-ja ka vite e vite që kërkon nga Kosova, si elementi kryesor për investuesit e huaj dhe ndërtimin e një sistemi të denjë drejtësie, të paraparë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së, për qytetarët e Kosovës nuk do të ketë liberalizim të vizave, prosperitet, as dalje nga izolimi. Duke pasur parasysh faktin për moszbatimin e obligimeve parësore për integrim evropian, nga vetë organet ligjvënëse dhe ligjzbatuese të shtetit, për shkak të pengesave që vetë pushtetarët e kriminalizuar deri në fyt të Kosovës shkaktojnë, prioritetet e Kosovës dhe qytetarëve të saj, kanë rënë plotësisht nga rendi i ditës së të gjitha agjendave. 

Politikanët e kriminalizuar deri në fyt

Ndaj dhe Komisionari evropian për dialog dhe zgjerim, Johannes Hahn, në vend se kësaj radhe të vinte me ndonjë lajm të mirë për Kosovën nga Brukseli, ai bën një vizitë që nuk ka të bëjë aspak me shqetësimin kryesor të kosovarëve- si izolimin hermetik të tyre dhe liberalizimin e bllokuar të vizave, por në lidhje me taksën doganore prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe atyre të Bosnjë e Hercegovinës. Kjo ndodh për faktin se përderisa pushtetarët e kriminalizuar të Kosovës merren me korrupsion dhe çuarjen përpara të krimit të organizuar, sipas BE-së, të paktën qeveria serbe ka vite që në vazhdimësi ka dëshmuar se, përveç blerjes së Hashim Thaçit e Edi Ramës, me të cilët është dakorduar për ndarjen e Kosovës, ajo punon edhe për zbatimin e ligjeve dhe reformave të kërkuara, sidomos atyre që kanë të bëjnë me agjendën evropiane. Kështu që, pa reformë të thellë pikësëpari të prokurorisë, organeve ligjvënëse e ligjzbatuese të shtetit, një VETTING që do të ketë efekte pozitive edhe për rritjen e cilësisë në luftën kudër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kosova nuk mund ta fitojë liberalizimin me ligje të pazbatueshme që mbeten vetëm si dekorim i bukur në letër. Nga vendi ynë kërkohen reforma reale dhe ato duhet t'i zbatojë sa më parë Kosova, sepse nëse as këtë herë, siç po thuhet, nuk bëhemi pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave të BE-së për liberalizim, kjo do të na kushtojë më së paku edhe me një vit më tepër vonesë, ngase nuk është më e sigurt që as në vitin 2019, 2020 etj., me këtë kastë të kriminalizuar politike në krye, do të ketë liberalizimi të vizave për Kosovën. E, pasi institucionet tona shtetërore të udhëhequra nga politikanë të kriminalizuar deri në fyt, që nga viti 2010 e këndej, më tepë kanë bërë fushatë elektorale sesa janë marrë me politikë të njëmendtë për liberalizim të vizave për Kosovën, interesimi i BE-së tanimë i është kthyer me urgjencë temës që ka prekur interesat biznesore të Serbisë, udhëheqësit e të cilës, në kundërshtim me pushtetarët e inkriminuar të Kosovës, kanë treguar rezultate të prekshme në zhvillimin ekonomik të vendit të vet. Në anën tjetër, shkaku i udhëheqëseve të kriminalizuar vendor, mosfunksionimi i prokurorisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë, të paktën siç paralajmërohet deri më tani, fatkeqësisht Kosova edhe kësaj radhe as që figuron të jetë në agjendën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE-së,për çështjen e liberalizimit të vizave. Ndaj është gabim i madh që ne fajin, ende të mos e shohim në mesin tonë dhe përgjegjësinë t'ua hedhim vetëm zyrtarëve të BE-së, pasi pikësëpari duhet të kërkohet llogari nga të zgjedhurit tanë dhe pushtetarët e inkriminuar që tash e sa vite,përderisa pasurohen në mënyrë marramendëse për vete, tallen pandalshëm me popullin e Kosovës. Janë po këta pushtetar të kriminalizuar, të cilët përderisa rrisin shumat e parave të vjedhura dhe të përvetësuara në mënyrë kriminale nga taksapaguesit e Kosovës, për vite me radhë, mashtrojnë qytetarët e vendit se do të hiqen vizat sot, nesër, pasnesër, në fund të vitit, për Krishtlindje, për Bajram, për Shëngjergj etj, të cilët janë bërë shkaku kryesor pse Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm më i izoluar në tërë Evropën. Përndryshe, është më se e sigurt se po të kishim pasur një qeverisje më ndryshe dhe pushtetarë më të përgjegjshëm, kurrë nuk do të kishte zgjatur kaq shumë ky izolimi i pashembullt vetëm për kosovarët sa i përket lëvizjes pa viza në hapësirën e Shëngenit. 

Populli të mos hezitojë në protestë

Prandaj, sot Qeveria e Kosovës, edhe po të vendosë taksa njëmijë për qind, nuk mund ta zhvendosë vëmendjen e BE-së nga dështimi skandaloz i saj dhe pushtetarëve të kriminalizuar si në asnjë vend tjetër në rajon. Edhe nëse kryeministri Haradinaj e shkarkon ministren e Integrimeve, që shtetit sa në një shtet në tjetrin, e nuk arrin as ta përfshijë në agjendën e Këshillit Evropian liberalizimin për Kosovën, korrupsioni galopant dhe krimi i organizuar nga vetë pushtetarët më të lartë të shtetit të lidhur me mafio-oligarkët më të mëdhenj në vend, dhe jo vetëm lobimi me vonesë, përfundimisht kanë ndikuar që Kosova të mbetet askund dhe jashtë çdo rendi të ditës të agjendave evropiane dhe ndërkombëtare. Për aq më keq, pas tendencave të kryekuislingut Hashim Thaçi, për ndarjen dhe rivënien në tryezë të statusit politik të Kosovës, e cila po rezulton me tërheqjen e njohjeve nga shtete të ndryshme ndërkombëtare, siç thuhet së fundmi edhe për Ishujt Solomon, nëse populli i Kosovës ende heziton të protestojë të paktën në mënyrë paqësore kundër këtij izolimi të madh ku na ka futur politika e mbrapshtë dhe tepër e inkriminuar në korrupsion e krim të organizuar, e pushtetarëve mafiozë aktualë, Kosova tanimë do të izolohet edhe më tepër. Kasta e kriminalizuar në vend, është dhe mbetet shkaku kryesor dhe arsyeja e vërtetë për mosliberalizimin e vizave vetëm për Kosovën, ndaj nëse ata nuk shkarkohen me urgjencë dhe vihen para drejtësisë për bëmat e tyre kundër popullit dhe shtetit të Kosovës, besoj se vendit tonë po i merret dhunshëm perspektiva dhe një e ardhme më e mirë për të gjithë qytetarët, pasi pozitë dhe opozitë pothuajse pa asnjë dallim, kanë treguar se nuk janë të zotët ta çojnë Kosovën përpara, janë të interesuar vetëm të vjedhin e pasurohen për vete dhe popullin vetëm e mashtrojnë me gënjeshtrat të pafund për më se dy dekada pa ndërprerë.

 

(Kosova Sot)