Thirrje shoqërisë shqiptare: Mbështeteni Protestën Studentore Kombëtare!

Thirrje shoqërisë shqiptare: Mbështeteni Protestën Studentore Kombëtare!
  • 10 December 2018 - 08:03

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI 

Kjo protestë nxori në dritë nevojën jetike për shqiptarët se duhet edhe një VETTING radikal edhe në arsim, në akademi dhe në universitete, pasi prej 28 vitesh edhe në arsim, në universitetet, pra edhe këtu krimi i korrupsionit intelektual paska bërë batërdinë, ashtu sikurse ka bërë edhe krimi politik dhe krimi gjyqësor. "Rilindja" Socialiste e Edi Ramës, ashtu sikurse edhe ajo tjetra para tij e Sali Berishës, përfundimisht dhe thellësisht ka dështuar në çdo aspekt.

Po Ju drejtohem shqiptarëve por si fillim të kësaj thirrjeje timen po citoj një fragment nga letra ime drejtuar Rinisë Shqiptare me 25 Prillit 2009 botuar në Librin tim "TRIUMFI I KOMBIT ": "Brezi i Ri realizon aspiratat e vërteta patriotike, morale, fisnike dhe intelektuale, sepse ai është i lirë, i pastër dhe premtues për ndryshimin dhe për emancipimin… brez i cili është i përgatitur mendërisht e fizikisht për të zhvilluar një demokraci reale, të gjallë dhe dinamike…Vetëm ai është i aftë të bëjë modelin e ri demokratik duke gërshetuar pozitivizmin tradicional me racionalizmin modern dhe që përjashton çdo përvojë totalitare dhe autokratike për të ndërtuar sistemin demokratik përparimtar bashkëkohor". Rinia studentore , lëvizja e madhe studentore demokratiko-kombëtare në vitet 1990 e cila ka hyrë në histori si "Lëvizja e Dhjetorit" shembi regjimin e së keqes në Shqipëri, Diktaturën Komuniste. Por edhe pse kanë kaluar 28 vite që prej asaj kohe rinia shqiptare , idealet e asaj lëvizjeje u tradhtuan nga e gjithë politika shqiptare. Politika e pas tranzicionit rrëmbeu frytet e asaj lëvizjeje ,keqpërdori dhe e shfrytëzoi atë për interesa pushteti duke bërë pabesinë dhe tradhtinë e madhe ndaj rinisë studentore dhe tërë shoqërisë shqiptare e cila e mbështeti atë Lëvizje të madhe historike. Edhe sot rinia studentore proteston me po atë thirrje e aspiratë të para 28 viteve: "E duam Shqipërinë si Evropa". Kjo është kauza edhe sot, sepse kemi 28 vite që politika e keqe shqiptare e mban peng dhe jashtë integrimit në BE Shqipërinë, sepse Shqipëria është sunduar nga e keqja, ku një prej shumë të këqijave të kësaj elite politike është se ajo është një elitë jo vetëm krimi, korrupsioni dhe hajdutërie, por kjo politikë e sotme është edhe armike e dijes dhe e intelektualizmit të vërtetë për të cilën dhe kundër këtij mizerabiliteti antihuman dhe antidije proteston truri dhe e ardhme e kombit, Rinia Patriotike Shqiptare, Rinia Studentore. Përballja me këtë realitet dështak e të korruptuar shkaktuar prej tradhtisë dhe pabesisë, kjo është arsyeja që studentët nuk pranojnë të bisedojnë me asnjërin krah të politikës të cilët janë autorët dhe shkaktarët e këtij realiteti, të cilët janë edhe mëkatarët më të mëdhenj kombëtar. Kjo Lëvizje,kjo protestë kombëtare gjithëstudentore ka marrë mbështetje të madhe nga tërë Kombi ,sepse rinia është vazhdimësia e Kombit, që i lidh brezat dhe është garancia për të ardhmen e sigurt të tij. Kjo Lëvizje nuk është lëvizje politike, por realisht është një reagim kombëtar si një. 

Lëvizje antipolitike në emër të lirisë, të së vërtetës dhe të diturisë

Kjo është e tillë sepse e gjithë politika shqiptare deri më sot është fajtore dhe shkaktare ku ka degraduar i tërë sistemi, ku edhe ai arsimor dhe universiteti janë injoruar nga ligësia, tradhtia, papërgjegjshmëria, nga korrupsioni dhe nga kjo injorancë politike antikombëtare. Studentët janë ngritur në protestë kundër një pseudoreforme të bërë nga qeveria, kundër kësaj reforme qeverie injorantësh, kundër kësaj reforme antistudentore, antiarsimore, kundërintelektuale dhe thellësisht politiko-korruptive. Kjo protestë nxori në dritë nevojën jetike për shqiptarët se duhet edhe një VETTING radikal edhe në arsim, në akademi dhe në universitete, pasi prej 28 vitesh edhe në arsim, në universitetet, pra edhe këtu krimi i korrupsionit intelektual paska bërë batërdinë ashtu sikurse ka bërë edhe krimi politik dhe krimi gjyqësor. "Rilindja" Socialiste e Edi Ramës ashtu sikurse edhe ajo tjetra para tij e Sali Berishës përfundimisht dhe thellësisht ka dështuar në çdo aspekt, pra edhe në aspektin arsimor, jo vetëm se ka dështuar por ka shkaktuar pasoja të rënda për të cilat shqiptarët do të paguajnë kosto të mëdha dhe të shtrenjta ashtu sikurse edhe ka dështuar edhe Rilindja Demokratike e cila u kap ,u manipulua dhe u shfrytëzua nga Berisha dhe regjimi i tij për interesa te ngushta politike, partizane e personale. Sot, tani aktualisht,minimumi që duhet të bëjë qeveria është plotësimi urgjentisht i të gjitha kërkesave të drejta të studentëve dhe jo të tregojë mosrespekt, injorim dhe arrogancë ndaj tyre, pasi pastaj do bëhet shumë vonë dhe protesta do të motivohet edhe moralisht për kërkesa politike deri në kërkesën legjitime për largimin e kësaj qeverie nga pushteti. Moralisht përderisa kjo protestë ka marrë përmasa kaq të mëdha madje dhe gjithëkombëtare mirë do të ishte që kjo qeveri të dorëhiqej dhe t'i hapte rrugën demokracisë së vërtetë , demokracisë të cilën rinia dhe shqiptarët e kërkojnë prej 28 vitesh. Kjo "Lëvizje për Universitetin" do të ishte mirë që të shndërrohej në një Lëvizje Politike "ANTIPOLITIKË"për të cilën kanë aq shumë nevojë Shqipëria dhe shqiptarët për ndëshkimin e këtij establishmenti politik, të kësaj elite politike të këtij tranzicioni, e cila shqiptarëve u ka shkaktuar trauma, vuajtje, mjerim, papunësi , eksod, mosintegrim ashtu sikurse edhe studentëve diskriminim intelektual, tarifa e gjoba duke treguar ndaj tyre një neglizhencë e mospërfillje të patolerueshme, në një kohë kur i gjithë establishmenti politik, qeveritaret dhe politikanët shqiptarë, që të gjithë ata, fëmijët e tyre i dërgojnë për studime në universitetet më të strenjta të Europës dhe të SHBA-ve, pasi ata kanë mjete financiare që i sigurojnë nga korrupsioni të cilin ia mundëson atyre pushteti dhe politika. Dhe ky pushtet dhe kjo politika e gjithë këtij tranzicioni nuk kanë jo vetëm respekt për rininë studentore por janë edhe tejet shpirtlig, injorantë të paturp dhe antikombëtarë dhe egoistë të cilët e urrejnë këtë rini studentore.

Kjo protestë është rilindja e vërtetë

Rinia studentore u ngrit për një Rilindje Kombëtare Demokratike në vitin 1990 dhe jo për zëvendësim të një diktature komuniste me një diktaturë tjetër apo me një regjim antihuman korrupsioni. Pra, kjo që po ndodh sot në Dhjetorin 2018, në Dhjetorin e Dytë të Madh me protestën e rinisë studentore është vazhdimësia e asaj të Dhjetorit të Parë të Madh të vitit 1990. Kjo Lëvizja Studentore e sotme është ajo e cila do t'i vërë vulën Triumfit të Rilindjes së Madhe Kombëtare e cila do të shënojë ndarjen përfundimtare me të shkuarën e largët dhe me vazhdimësinë e saj të derisotme e cila është maskuar e mbuluar me maskën mashtruese të psedodemokracisë. Kjo është Rilindje e së mirës e cila do ta mposhtë edhe Rilindjen mashtruese të E.Ramës, "Rilindjen" e tij të së keqes, e cila realisht është ashtu si edhe e gjithë politika e tranzicionit që lëvizën më shumë mbrapsht se sa para duke e çuar Shqipërinë shumë prapa , si në vitet 1990. Kjo e keqe e madhe demokratike që ka pllakosur sot shtetin dhe shoqërinë shqiptare, ku prej kësaj të keqeje rinia shqiptare detyrohet të marrë rrugët e eksodit dhe të braktisjes së atdheut, kjo e keqe e madhe që ngriti Republikën e Drogës e detyroi inteligjencën shqiptare, rininë shqiptare që të ngrihet e të protestojë përsëri fuqishëm dhe pandalshëm për ta rikthyer nderin dhe dinjitetin e saj të merituar dhe për t'ia kthyer shpresën edhe të gjithë atyre shqiptarëve të cilët e kanë humbur atë. Prandaj shoqëria shqiptare duhet ta mbështesë protestën e studentëve pasi ajo u shërben të gjithëve: është shpresë për demokracinë, lirinë, progresin, drejtësinë dhe për të mirën kombëtare. KJO PROTESTË ËSHTË RILINDJA E VËRTETË, DHE SHOQËRIA E KOMBI DUHET TA MBËSHTESIN MISIONIN E RINISË STUDENTORE , TË BREZIT TË RI, TË CILIN E KAM PARAQITUR TE LIBRI "TRIUMFI I KOMBIT": "Misioni për ndryshim t'i besohet vetëm Brezit të Ri, sepse vetëm ai ka shpirt dhe karakter të pastër, të ndjeshëm dhe thellësisht patriotik, brez i cili është i çliruar, i prirur dhe i etur për dije dhe për kulturë emancipuese, përparimtare e patriotike, brez i cili e realizon këtë mision përmes vitalitetit, energjisë e vullnetit të pandërprerë".

 

(Kosova Sot)