Urgjentisht FSK-në ta transformojnë në Ushtri të rregullt të Kosovës

Urgjentisht FSK-në ta transformojnë në Ushtri të rregullt të Kosovës
  • 12 December 2018 - 08:01

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Manipulimi me togfjalëshin politik "Shqipëria e Madhe" është arma më e rrezikshme politikopropagandistike e Serbisë së Madhe për zhbërjen dhe për mohimin e identitetit kombëtar, territorial dhe shtetëror të SHQIPËRISË ETNIKE, të cilën serbomëdhenjtë e quajnë "Velika Albanija"(Shqipëria e Madhe), term ky që kur të "përkthehet" në fjalorin gjeopolitik do të thotë "pushtimin dhe copëtimin" e territoreve serbosllave nga Shqipëria dhe nga shqiptarët.

Amerika, as NATO-ja e as BE-ja nuk mbështesin, as nuk janë në dijeni për kurrfarë "Shqipërie të Madhe" në Ballkan, por stimulojnë vetëm integrimin e vendeve ballkanike në BE, që njihet me emrin "Ballkani Perëndimor"! Kjo është e vërteta. Mirëpo, këtë të vërtetë me qëllim e shpërfytyrojnë eksponentët nacionalistë dhe shovinistë të Serbisë dhe të "bishtave" të saj të amalgamës sllave ballkanike dhe të Evropës Lindore me Rusinë në krye (piemontin e sllavizmit). Ambasadori i Serbisë në Moskë, Slaven Terziq ka deklaruar se "Qeveria e Serbisë po llogaritë në reagimin e shpejtë të KS të Kombeve të Bashkuara lidhur me krijimin e ushtrisë së Kosovës. Kujt dhe për çfarë qëllimesh po i duhet destabilizimi i rajonit dhe çfarë kuptimi gjeopolitik ka procesi i qartë i krijimit të Shqipërisë së Madhe"? Vërtet, asnjë njeri normal nuk e ka të qartë kundërshtimin e Serbisë ndaj legalizimit të Ushtrisë së Kosovës!? Së pari, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe nënministri i tij, Ivica Daçiq, përmes deklaratave dhe intervistave të tyre dhënë masmediave të ndryshme serbe dhe të huaja kanë kundërshtuar ashpër krijimin e Ushtrisë së Kosovës, duke ushtruar ankesa politiko-propagandistike BE, NATO-s, që të pengonin qeverinë dhe kuvendin e Kosovës, të mos miratonin Ligjin për transformimin e FSK-së në Ushtrinë e rregullt të Kosovës, me motivacionin absurd dhe të paqëndrueshëm gjoja se "Formimi i ushtrisë së Kosovës, do ta rrezikonte minoritetin serb në Kosovës, si dhe do ta prishte paqen, qëndrueshmërinë dhe sigurinë në rajonin ballkanik"!? Në këtë vështrim, Qeveria e Serbisë ia "tërheq vërejtjen" qeverisë dhe kuvendit të Kosovës, se pa pëlqimin dhe pa votën e deputetëve dhe të ministrave serbë në qeverinë dhe në kuvendin e Kosovës, nuk mund të formohet ushtria e Kosovës!? Çfarë absurdi ky, Beogradi, duke u përzier në çështje të brendshme të Kosovës po kërkon që për formimin e Ushtrisë së Kosovës, duhet të merret pëlqimi i minoriteteve në Kosovë!? Pse kjo ndërhyrje e Serbisë, kur Kosova është vetëm një shtet fqinjë i saj, as më pak e as më shumë? Çfarë "standardi ligjor" dhe "demokratik" na qenka sugjerimi serb, se Kosova nuk mund ta formojë ushtrinë pa pëlqimin e minoriteteve etnike? Ky farë "standardi" i sugjeruar nga kryeministri Vuçiq dhe nënkryeministri e ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, të sjellë në kohën shkuar, kur Serbia kërkonte zbatimin e "standardit" të decentralizimit të Kosovës, kur Kosova ende nuk kishte kurrfarë shteti centralizues, por prapavija e tij ishte copëtimi i territorit të Kosovës sipas enklavave etnikisht të pastra serbe (duke i shndërruar edhe fshatrat në komunat serbe). Një objektiv të tillë Serbia e arriti në saje të koncesioneve të bëra nga ana e lidershipit të dobët politik të Kosovës dhe të zbatimit të "Planit të Marti Ahtisarit" sipas të cilit, minoriteti serb fitoi më shumë të drejta sesa shqiptarët si shumicë dërrmuese në Kosovë (90%). S'ka dyshim se "decentralizimi" i Kosovës ishte padrejtësia më e madhe, që iu bë shqiptarëve ngase iu tjetërsua pasuria, territori dhe pushteti nga formimi i komunave etnikisht të pastra serbe. Ndër tjera, në këtë rast u shkel edhe parimi edhe standardi "multietnik", sepse u krijuan komuna dhe territore njëetnike serbe, të cilat me ndihmën e Serbisë, do të bëjnë përpjekje afatgjatë për kantonizimin e tyre gradual në emër të "normalizimit" të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. 

Pse Serbia e centralizuar nuk u decentralizua?

Pikërisht në këtë pikëvështrim është cenuar standardi uniform, sepse, së pari, do të duhej të decentralizohej Serbia e centralizuar nga regjimi social-komunist i Slobodan Milosheviqit, i cili me tanke policore, ushtarake dhe paramilitare ripushtoi Kosovën(1989-1999), si dhe kreu tri (3) gjenocide kundër Kroacisë, kundër Bosnjës dhe kundër Kosovës. Pse nga bashkësia ndërkombëtare nuk u kërkua, që së pari, të decentralizohej Serbia si vend agresiv, pushtues dhe gjenocidal, por e detyroi Kosovën-viktimën e terrorit dhe të gjenocidit serb?- Ky ishte gabimi fatal i zbatimit të "standardit të dyfishtë" të Planit të Marti Ahtisarit për Kosovën (të cilin qarqet drejtuese të Kosovës e pranuan pa kurrfarë rezerve) sipas të cilët minoriteti serb u barrikadua nëpër enklavat e tij etnikisht të pastra. Pse Serbia nuk u detyrua që standardi i decentralizimit të zbatohej në pjesët e territoreve të saj të banuara me minoritetet kombëtare dhe etnike (Novi Pazar, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe në Vojvodinë)? Pse Serbia po kërkon diç absurde, joligjore dhe jokushtetuese, që për formimin e Ushtrisë së Kosovës, së pari të merret pëlqimi nga minoritetet, të përfaqësuara në parlamentin dhe në qeverinë e Kosovës? Pas shkatërrimit të Armatës Popullore të ish-Jugosllavisë nga ana e Serbisë gjenocidale, Beogradi formoi ushtrinë e Serbisë pa konsultimin dhe pa pëlqimin e minoritetit shqiptar, të minoritetit hungarez, të minoritet mysliman boshnjak, të minoritetit bullgar, të minoritetit kroat, të minoritetit rumun, të minoritetit sllovak dhe të minoritetit rusin etj.! E, çfarë tash, ndryshe, jashtë këtij "standardi" vetjak, Beogradi zyrtar po kërkon që NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja, të mos lejojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës mbase sipas lidershipit të tij, kjo duhet penguar me të gjitha mjetet, sepse "rrezikon pakicat dhe destabilizon Ballkanin"!? Nuk është ky "standard i dyfishtë" i Serbisë ndaj Kosovës, Serbia mund të ketë ushtrinë e vet të rregullt, kurse Kosova JO, sepse kështu po kërkon dhe po thotë Serbia?!

Standardet e dyfishta

Titullarët e institucioneve shtetërore të Serbisë (presidenti, kryeministri dhe ministrat) e as kisha politike serbe nuk kanë të drejtë t'i akuzojnë e as t'i fajësojnë Amerikën, NATO-n dhe BE-në kinse për zbatimin e "standardeve të dyfishta" ndaj minoritarëve serbë në Kosovë dhe ndaj Serbisë, kur është fjala për mbrojtjen dhe njohjen e të drejtave të tyre në Kosovë. Cilat janë ato "standarde të dyfishta" të cilat Amerika, NATO-ja dhe BE-ja po i "zbatuakan" në Kosovë, duke i favorizuar shqiptarët në kurrizin e të drejtave dhe lirive të serbëve?! Sipas ambasadori Slaven Terziq, faktorët ndërkombëtarë "po zbatuakan standarde të dyfishta, në njërën anë zhvillojnë luftë kundër islamizmit radikal në Lindjen e Afërt, kurse në anën tjetër, të njëjtin radikalizëm e mbështesin në Kosovë"?! Çfarë idiotizmi dhe iracionalizmi ky konstatim akuzues i ambasadorit Slaven Terziq në adresën e Amerikës dhe të aleatëve të saj europerëndimorë (që nuk ka pasur guxim, t'i apostrofojë me emër dhe mbiemër, por sheshit aludon në Amerikën dhe në aleatët e saj evropianë perëndimorë), që janë të pranishëm në Kosovë. Përkundrazi, në asnjë aspekt nuk qëndron sajimi i kësaj shpifjeje dhe gënjeshtre të këtillë të ambasadorit serb Terziq qoftë në kuptim strategjik, qoftë politik, qoftë ushtarak, sepse as Amerika e as Evropa Perëndimore nuk po nxisin dhe nuk po mbështesin kurrfarë radikalizmi e as kurrfarë terrorizmi islamik në Kosovë e as në Ballkan. Por, përkundrazi, po i luftojnë të gjitha format e shfaqjes së tij, edhe në rajonin ballkanik, ashtu sikurse në vendet e tjera të Lindjes së Afërt, të Lindjes së Mesme etj. Po, si është e mundur që edhe ambasadori serb Slaven Tërziq në Moskë të merret me çështjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe, për më tepër, këtë ta ndërlidhë me projektin historiko-politik strategjik serbomadh të "Shqipërisë së Madhe", e cila që më se dy shekuj (XIX, XX) u provua si arma më e efektshme e mbrojtjes së Serbisë së Madhe (1844-2018).

"Shqipëria e Madhe" nuk është as ide e as kërkesë e kombit shqiptar në Ballkan

Çfarë lidhje paska formimi legal dhe kushtetues i formimit të ushtrisë së Kosovës me konceptin e sajuar serbomadh të "Shqipërisë së Madhe", e cila sipas ambasadorit Terziq, tanimë qenka "bërë proces i qartë gjeopolitik"?! Si qenka "bërë proces gjeopolitik Shqipëria e Madhe", kur ajo nuk ekziston as historikisht, as de fakto e as de jure", kur kjo "temë" e shpifur dhe e trilluar nga vetë historiografia falsifikatore, nga politika shtetërore dhe nga politika e Kishës Ortodokse, asnjëherë nuk ka qenë objekt shqyrtimi i ndonjë tryeze diplomatike evropiane a ndërkombëtare. Këso shpifje të rafinuar propagandistike nuk mund të gjesh as në analizat politiko-porpagandistike antisemitiste të Joseph Gebelsit të Gjermanisë naziste. Kush janë ata që po kërkojnë krijimin e "Shqipërisë së Madhe", kur në trojet e Shqipërisë Etnike, nuk ekziston asnjë lider politik, asnjë shtetar, asnjë shkencëtar, asnjë, parti, asnjë lëvizje, asnjë lidhje, asnjë organizatë, asnjë front, asnjë shoqatë dhe asnjë klub politik, që me program a platformë të ketë kërkuar ndonjë "Shqipëri të Madhe"? Cilat qenkan ato shtete evropiane dhe botërore, që e paskan mbështetur dhe bërë "fakt të kryer strategjik" atë farë "Shqipërie të Madhe" të trilluar të diplomatit serb Terziq, kur kjo nuk ekziston as ide, as si tezë, as si koncept, as si program, as si platformë, as doktrinë e as si praktikë e politikës kombëtare dhe shtetërore shqiptare (1912-2018). Kjo është një gënjeshtër serbomadhe, e njohur që nga "Naçertanija" e Ilija Garashaninit (1844), që do të thotë "të gjithë serbët në një shtet serb", të krijuar nga territoret e pushtuara të SHQIPËRISË ETNIKE, të HUNGARISË dhe të KROACISË. Këtë strategji të gabuar dhe fataliste e provoi edhe kryekrimineli Slobodan Milosheviq, i cili dogji Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën, duke vrarë me qindra e mijëra civilë, me qëllim që t'i zgjeronte kufijtë e Serbisë së Madhe të Ilia Garashaninit, të Vuk Karaxhiqit dhe të Jovan Stratimiroviqit. Manipulimi me togfjalëshin politik "Shqipëria e Madhe" është arma më e rrezikshme politiko-propagandistike e Serbisë së Madhe për zhbërjen dhe për mohimin e identitetit kombëtar, territorial dhe shtetëror të SHQIPËRISË ETNIKE, të cilën serbomëdhenjtë e quajnë "Velika Albanija"(Shqipëria e Madhe), term ky që kur të "përkthehet" në fjalorin gjeopolitik do të thotë "pushtimin dhe copëtimin" e territoreve serbosllave nga Shqipëria dhe nga shqiptarët. Mirëpo, këtë tezë me përmbajtje eufemiste serbomadhe nuk e pranojmë për jetë të jetëve, sepse është në funksion të mbrojtjes së projektit gjeostrategjik dhe gjeopolitik të Serbisë së Madhe, që veç Preshevës, Bujanocit, Medvegjës dhe Pazarit të Ri, pretendon edhe rikthimin e Kosovës së pavarur në sundimin e dikurshëm kolonial të Serbisë (1878-2018). Ky është edhe një argument më shumë i justifikimit të kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, që urgjentisht FSK-në ta transformojnë në Ushtri të rregullt të Kosovës. Çdo minutë e humbur dhe çdo konfuzion në shtyrjen për më vonë (në një kohë të pacaktuar) të kësaj kërkese të domosdoshme, të ligjshme dhe kushtetuese për formimin e Ushtrisë së Kosovës, do të jetë në favorin e politikës së Serbisë, që edhe më tej të ndërhyjë në çështje të brendshme të Kosovës.

 

(Kosova Sot)