Xhaketat e verdha e mposhtën presidentin Macron

Xhaketat e verdha e mposhtën presidentin Macron
  • 13 December 2018 - 08:09

Shkruan: John Lichfield

Ato tërheqin vërejtjen ndaj brishtësisë së institucioneve demokratike në epokën tonë

Përkundër faktit që u janë bërë lëshime të mëdha nga presidenti, rebelët francezë tani kanë një kauzë më të madhe - rrëzimin e qeverisë 

Francezët e kanë një shprehje të veçantë për ushtrimin e një presioni maksimal, pa marrë parasysh pasojat: jusqu'au-boutisme (kur shkon deri në fund). Ky është refuzim për ta pranuar humbjen, por është edhe një refuzim për ta pranuar se ke fituar. Lëvizja "gilets jaunes" (xhaketat e verdha), e cila ka trandur demokracinë franceze në themelet e saj gjatë javëve të fundit, ka korrë një fitore të konsiderueshme. Presidenti Emmanuel Macron i tha popullit me anë të një fjalimi solemn, të hënën mbrëma, se ka vërejtur gabimet e veprimeve të tij. Ai ofroi 15 miliardë euro lehtësime financiare për popullin e zemëruar nga 'Franca periferike', i cili kishte bllokuar rrethrrotullimet dhe kishte protestuar në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera, që nga 17 nëntori. Oferta e tij përfshinte një rritje, de facto prej 6% të rrogës minimale, një bonus Kërshëndellash të pa tatuar për ata që kanë rrogë të vogël, si dhe një heqje të pjesërishme të taksës së re, të urryer, në pensione. Deklarata e tij shkoi më larg sesa që priste shumica. Një sondazh i bërë aty për aty, tregoi se më shumë se gjysma e francezëve, të cilët deri atëherë kishin qenë mbështetës të zjarrtë të xhaketave të verdha, tani mendonin se rebelimi duhej të mbaronte. Por, ai nuk do të mbarojë, të paktën jo menjëherë.

Xhaketat e verdha besojnë se mund ta rrëzojnë qeverinë

Francën e presin edhe shumë javë, në mos edhe muaj, të vështirësive ekonomike dhe dhunës. Një pjesë e madhe e xhaketave të verdha tani janë të vendosur që të shkojnë "jusqu'au-bout". Më nuk kemi të bëjmë me një protestë sociale me kërkesa praktike. Ajo ka marrë zjarr nga retorika e vet absolutiste, nga përhapja e lajmeve të rreme në mediet sociale dhe nga miqësia e krijuar në rrugë dhe sheshe. Xhaketat e verdha besojnë se mund ta rrëzojnë qeverinë reprezentative të Francës dhe ta zëvendësojnë atë me një qeveri të mbrapshtë të popullit. Ambiciet e tilla apokaliptike janë mjaft normale për bandat e të rinjve të ultra së majtës dhe ultra së djathtës, të cilët kanë shkaktuar pjesën më të madhe të dëmeve në fundjavën e tretë të trazirave në Paris dhe në qytete të tjera të Francës. Këto janë qëllime bizare dhe të rrezikshme për revolucionarët tradicionalë - mekanikët e garazheve, kontraktuesit e pensionuar të ndërtimtarisë, shtëpiakët, sipërmarrësit e vegjël - të cilët përbëjnë esencën e lëvizjes, zyrtarisht pa liderë, të xhaketave të verdha. Sipas asaj që kam parë vet, një kategori e ndryshme e xhaketave të verdha invaduan Parisin fundjavën e kaluar. Ata ishin më pak të dhunshëm sesa burrat dhe gratë që kishin vërshuar kryeqytetin, duke ardhur nga qytetet me probleme në Francën veriore dhe perëndimore, një javë më parë. Ata ngjanin me njerëzit me sjellje të mirë që kishin rrethuar rrethrrotullimet dhe rrugët në tërë Francën, për tri javë me radhë. Ata mund ta paraqesin një shenjë të qetësimit të situatës, por dyshoj në këtë. Xhaketat e verdha iu kanë dhënë pronarëve të tyre, dikur të padukshëm, një dukshmëri dhe një ndjenjë të fuqisë, të cilën ata hezitojnë që ta dorëzojnë. 

Xhaketat e verdha thonë se rebelimi nuk ka të bëjë vetëm me Macronin

Javën e kaluar qarkulloi një manifest me 25 pikë i xhaketave të verdha. Manifesti nuk është zyrtar, por pasqyron një grumbull të ideve shtetërore dhe jo shtetërore të cilat kishin fituar mbështetjen e grupeve të xhaketave të verdha në internet. Përgjysmimi i të gjitha taksave; shpenzime të mëdha, të reja në zonat rurale dhe në periferi; një rritje prej 40% të rrogës minimale dhe pagesave sociale; refuzimin e borxhit kombëtar; daljen nga BE-ja dhe NATO; referendumin popullor për të gjitha ligjet dhe restrikcionet e ashpra të migrimit. Xhaketat e verdha thonë se rebelimi nuk ka të bëjë vetëm me Macronin. Kjo ka të bëjë me rreth 40 vjet të neglizhencës së Francës periferike. Rebelimi ka të bëjë me mosbesimin ndaj të gjitha partive, duke përfshirë partitë e ekstremit të djathtë dhe të atij të majtë; ka të bëjë me mosbesimin ndaj medieve 'zyrtare'. Kjo ka bëjë me një papunësi të vazhdueshme; zvogëlimin e ndihmës sociale; rrogat e vogla; çmimet e larta dhe taksat e larta. Natyrisht, Macron paraqet një pjesë të madhe të problemit. Diçka rreth qëndrimit të tij zemëron njerëzit jashtë zonave metropolitane të Francës. Kur ai u zgjodh vitin e kaluar, presidenti i ri premtoi krijimin e mundësive të reja për pjesët e harruara të Francës. Reformat e tij kanë, apo kishin filluar që të funksiononin. Hapja e vendeve të reja të punës është duke u ngritur; papunësia e të të rinjve është në rënie; rrogat mesatare janë duke u rritur. Gabimi esencial i Macronit, gjë që e pranoi në fjalimin e tij TV edhe vet ai, ishte tentimi për të rritur investimet duke përkushtuar mandatin e tij pesëvjeçar me lehtësime tatimore për të pasurit. Lehtësimet tatimore për të varfrit dhe qytetarët me rroga të vogla ishte planifikuar për vitin tjetër, të vitit 2020. Tani ky ritëm është përshpejtuar. Interneti nuk ka krijuar xhaketat e verdha. Zemërimi dhe vuajtjet janë reale. Zmadhimi dhe izolimi i fuqisë së medieve sociale transformoi një ndjenjë të vjetër të padrejtësisë regjionale dhe klasore në një revolucion me marrjen e drejtësisë në duart e veta, një revolucion jo praktik, pa udhëheqje, i cili nuk ka të ngjarë që të sjell lehtësim të vërtetë për Francën periferike. "Grupet e zemërimit" midis xhaketave të verdha, tani janë duke u sulmuar nga propaganda e krijuar nga 'botët' amerikanë dhe rusë. Atyre iu thuhet se Franca duhet t'i dorëzohet OKB-së. Kushtetuta e Francës nuk është e vlefshme. Macron është një president ilegjitim. Me qindra pamje false të gjoja dhunës policore franceze, janë në qarkullim. Një pjesë e lëvizjes mund të jetë e përgatitur që të reagojë pozitivisht ndaj kthesës së Macronit. Por, me mijëra xhaketa të tjera të verdha kanë vendosur, apo iu është thënë që të shkojnë "jusqu'au bout" me revolucionin e tyre të çuditshëm. Në Britani ekziston tendenca, sidomos në të djathtën euroskeptike, që të përqeshen xhaketat e verdha. Por, leksionet shqetësuese të revoltës tejkalojnë shumë Francën. Ato tërheqin vërejtjen ndaj brishtësisë së institucioneve demokratike në epokën tonë. 

 

(Kosova Sot)