Ngritja në protestë është shenjë qytetarie

Ngritja në protestë është shenjë qytetarie
  • 13 December 2018 - 08:58

SHKRUAN: DR.ISLAM LAUKA

Në përfundim të ligjëratës në UBT, një student kërkoi të dijë mendimin tim rreth lëvizjes studentore në Shqipëri.

Më poshtë, shkurtimisht, mendimi im për këtë çështje:

1. Lëvizja studentore në Shqipëri është e drejtë.

Në një vend, ku nuk mund të shkollohesh për shkak të tarifave të larta; në një vend, ku nuk mund të punësohesh pa ryshfet, për shkak të korrupsionit të shfrenuar; në një vend, ku nuk mund të jetohet, ngritja në protestë është shenjë qytetarie, që dëshmon se, jo të gjithë, janë pajtuar me të keqen dhe se ende ka shpresë për një të nesërme më të mirë.

2. Duke qenë e drejtë, lëvizja e studentëve duhet mbështetur, pa rezervë, nga gjithë shoqëria, në radhë të parë, nga kolegët e tyre në Shqipëri, por edhe nga ata në Prishtinë dhe në Tetovë, ku problemet e korrupsionit, të ndërhyrjeve politike, etj janë shqetësuese.

3. Dakord me qëndrimin e lëvizjes për të mbajtur larg vetes politikën aktuale, krejtësisht të diskredituar, por studentët duhet të jenë të vetëdijshëm se pa mendim dhe veprim politik nuk mund të ketë transformim të shoqërisë. Ëndrra e studentëve të dhjetorit të parë, 1990, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, mbeti përgjysmë. Atë mund ta realizojnë studentët e dhjetorit të dytë, 2018, me kusht që të organizohen në subjektin e tyre politik, me koncept dhe vizion të ri, të ndryshëm nga ai i kastave të sotme politike.

 

(Kosova Sot)