Shtesat e reja prokurorëve pasivë, garë politike për të ndikuar në sistemin e drejtësisë

Shtesat e reja prokurorëve pasivë, garë politike për të ndikuar në sistemin e drejtësisë
  • 14 December 2018 - 08:14

SHKRUAN: RAMIZ BOJAJ

Hapi i fundit i qeverisë për aprovimin e shtesave për prokurorët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ( pikërisht në Javën Kundër Korrupsionit), për prokurorët e Prokurorisë Speciale 400 euro dhe për kryeprokurorin 500 euro në muaj, nuk është sinjal i rritjes së kredibilitetit të këtij segmenti. Përkundrazi, është tendencë për përvetësimin dhe kontrollin e këtij sistemi.

Kjo mund të cilësohet si garë apo fushatë për të rritë monopolin. Pikërisht për shkak të ndërhyrjeve politike, sistemi i drejtësisë ka dështuar në luftimin e korrupsionit e nepotizmit në nivele të larta. Kjo për faktin se Drejtësia e inkriminuar ka lënë të lirë mundësinë e pasurimit marramendës të politikanëve të korruptuar. Pikërisht, politikanët e korruptuar janë shkatërruesit më të mëdhenj të kësaj shoqërie dhe të shtetit. Terrenin për gjithë këtë e kanë të 'garantuar' nga sistemi korruptiv e i politizuar i drejtësisë.

Andaj ne kemi politikanë më të pasur në rajon, por shoqëria jonë është më e varfra. Kemi gjyqtarë e prokurorë më të paguar në rajon, por vendi ynë është penalizuar si më i korruptuari, ku mungon drejtësia kredibile, ku oligarkët shkelin ligjin çdo ditë e pasurohen në mënyrë marramendëse pa asnjë përgjegjësi publike e ligjore. Ndikimi politik në sistemin e drejtësisë Ne kemi politikanët e gjykatësit bashkë me prokurorët më të paguar në rajon, por vendi është më i izoluari më i varfëri, me papunësinë më të madhe, ku sistemi i drejtësisë është selektiv dhe i ndikuar. Ndikimi politik në sistemin e drejtësisë, (sistemin gjyqësor dhe prokurorial), është vlerësuar pothuajse në të gjitha raportet më relevante vendore dhe ndërkombëtare me theks të veçantë Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, 'Freedomhouse' etj. Këto janë nota reale, e që do duhej të shqetësonte Qeverinë, e jo vetëm rritja e pagave pa kriter. Këto veprime nuk rrisin as standardin jetësor e as efikasitetin-besueshmërinë në institucionet relevante. Ndikimet politike në punën e prokurorëve dhe sistemit prokurorial janë pasqyruar edhe në rastin e prokurorit special Elez Blakajt, i cili është dashur ta lëshojë vendin për shkak të kërcënimeve, shantazheve....

Shumë ministra të Qeverisë 'Haradinaj' janë apostrofuar si të korruptuar Sistemi i drejtësisë ka nevojë për një pastrim total, për një VETTING, i cili rikthen besueshmërinë dhe rrit efikasitetin e punës. Ashtu siç e kemi pushtetin, e kemi edhe drejtësinë, të gjitha këto segmente janë mbështetëse të njëra-tjetrës. Nuk janë të rralla raportimet për nepotizëm, keqpërdorim të pozitës zyrtare edhe në sistemin e drejtësisë, ndërsa si kundër reagim nga qeveritarët kemi 'shkepjen' e parave. Më duhet të përend edhe vlerësimin e deputetit në Parlamentit Evropian, Markus Ferber, i cili ka nënvizuar "se asnjëherë nuk mund të luftohet korrupsioni nga të korruptuarit. Elita politike e Kosovës është duke përdorur standarde të dyfishta me popullin e tyre, duke i punësuar familjarët, kurse popullin janë duke e lënë në rrugë". Këto raporte janë plotësisht të bazuara në fakte, ngase proceset e ndjeshme janë të monitoruara nga të gjitha anët nga BE-ja. Shumë ministra të Qeverisë 'Haradinaj' janë apostrofuar si të korruptuar e me dosje nëpër gjykata. Pa spastrimin e korrupsionit në instancat e larta politike, është idealiste të mendohet për një sistem të mirëfilltë të drejtësisë, efikas e të paanshëm. 

(Kosova Sot)