Kosova ime-urime Ushtrinë!

Kosova ime-urime Ushtrinë!
  • 16 December 2018 - 08:42

SHKRUAN: GANI QARRI

Ëndrra shekullore për arritjen e lirisë, ushtrinë dhe sovranitet tonë shtetëror u bë realitet. Votimi historik dhe vendimi sovran i Parlamentit të Kosovës për formimin e Ushtrisë ka domethënie të madhe dhe simbolikë të veçantë për Dardaninë e vjetër sa vetë toka dhe të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë. Dita kur Kuvendi i Kosovës miratojë 3 projektligjet e fundit që i hapën rrugën krijimit të Ushtrisë së shtetit, deri tek e cila kemi arritur duke kaluar nëpër shumë sfida dhe peripeci të mëdha u bë histori.

Ndaj, 14 dhjetori i vitit 2018, do të hyjë në kronikat e lavdisë si datë e veçantë për Kosovën dhe popullin e saj, shtetndërtimin dhe epokën më të re të Republikës së Kosovës. Votimi unanim në seancën plenare në Kuvend, nga të gjithë deputetët e vendit për formimin e Ushtrisë së Kosovës u shndërrua në mision të arritjes kombëtare të realizuar me shumë sukses. Ma gëzofsh Ushtrinë, lirinë dhe shtetin e ëndërruar për shekuj e shekuj me radhë-Kosova ime! Një ditë si kjo është një nga ditët më të veçanta në historinë tënde më të re, tanimë shtet sovran e i pavarur dhe me ushtri të formuar. Mërgimtarët kudo, rrallëherë mund të kenë qenë më të lumtur se në këtë ditë të bekuar për Kosovën dhe popullin e saj. Nuk guxojmë t'i zhgënjejmë aleatët Nëse kjo masë e domosdoshme për çfarëdo arsyetimi shtyhet a zvarritet, atëherë kjo do të shihet dhe trajtohet me dyshim si tradhti pikësëpari ndaj SHBA-së,NATO-s dhe vendeve të tjera mike që na përkrahën dhe ndihmuan në formimin e Ushtrisë tonë, sepse "gjeneralët" të cilët u graduan me shitjen e tokave të Kosovës nga Hashim Thaçi & C0, nuk mund t'u besohet mbrojtja e shteteve të huaja, ku NATO-ja mund t'i dërgojë me mision ushtarak. Ndaj kjo duhet të ndodhë edhe për faktin që ne, nga sot dhe në të ardhmen me të drejtë të ndjehemi shumë krenarë dhe me plot fat, të adhuruar deri në qiell edhe nga vetë Zoti, kur dihet se në rrugëtimin tonë historik, në vijimësi kemi gëzuar dhe gëzojmë mbështetjen e vendosur dhe të pareshtur të shteteve dhe fuqive më të mëdha e më progresive në botë, si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtar, të cilët nuk guxojmë ti zhgënjejmë as pas formimit të Ushtrisë së shtetit tonë të lirë. Në këtë mënyrë edhe 14 dhjetori i vitit 2018, jo vetëm se do të na gëzojë më shumë, bëjë më të sigurt dhe pafundësisht krenar, por për të gjithë qytetarët do të jetë një datë e paharruar, e cila do të shënohet me germa të arta në piedestalin më të lartë të historisë më të re të shtetit tonë Kosovës. Ushtrinë e Kosovës, askush më nuk mund ta ndalë as e konsiderojë të rrezikshme, përveç Serbisë fashiste që ende ëndërron ta shkelë dhe pushtojë vendin tonë me zjarr e hekur, siç veproi disa herë për më tepër se 80 vite me radhë, por kjo ëndërr e trishtë, nuk do të përsëritet më kurrë dhe me datën e 14 dhjetorit 2018 përgjithmonë do të fundoset dhe perëndojë edhe për këtë shtet okupator. Formimi i ushtrisë nuk ka asgjë negative dhe as destabilizuese, madje një gjë e tillë nuk ka arsye as të diskutohet, tha edhe shkëlqesia e tij, Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në vendin tonë. Përkundrazi pas kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë se do të intervenojë sot, do të ndërhyjë nesër ,se në çdo moment mund të sulmojë vendin tonë me forcat e saj etj, e bëri të domosdoshme që Kosova përfundimisht të krijoj ushtrinë e vet dhe forcat e nevojshme për vetëmbrojtje nga ky shtet tipik pushtues.

Pra, për shumë arsye dita e 14 dhjetorit po hyn në histori si datë e veçantë për Kosovën dhe pas pritjes shekullore për liri,çlirim e shtet të pavarur, Kosova përfundimisht, e zgjodhi edhe problemin e mbetur pezull tash e sa kohë për krijimin e Ushtrisë së saj. Ndaj, me të drejtë edhe u prit me kaq ngazëllim seanca plenare në Kuvend për votimin e ligjeve të parapara si dhe jetësimin e agjendës shtetërore të shndërrimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës. Fushata e pareshtur agresive kundër shtetësisë së Kosovës Fatmirësisht, ne nga SHBA-ja, siç kemi marrë përkrahjen e plotë për formimin e Ushtrisë,po ashtu na u tha vëllazërisht se do marrim në vijimësi edhe ndihma të tjera konkrete për ngritjen e kapaciteteve tona të nevojshme ushtarake. Ngase, Ushtria, si njëra nga komponentët më të qenësishme për garantimin e mëvetësisë së shtetit tonë të pavarur, ka për detyrë ta ruaj sovranitetin dhe integritetin cep me cep të territorit,si dhe të parandalojë fushëveprimin e armikut në vendin tonë. NATO, në përfundim të ndërhyrjes së saj ajrore kundër Serbisë në vitin 1999 u vendos këtu për t'u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Por, fushata e pareshtur agresive kundër shtetësisë së Kosovës dhe qasja kërcënuese në vazhdimësi e Serbisë ndaj nesh edhe tash, njëjtë si në të kaluarën, e cila asnjëherë nuk pushoi, e bëri të domosdoshme që Kosova me në fund, ta formojë ushtrinë e vet! Madje duke parë nevojën që kemi për vetëmbrojtje nga ky shtet okupator, komandanti i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo, nga Shkupi deklaroi se "transformimi i Forcës së Sigurisë në Ushtri, është një vendim sovran, që duhet ta ndërmarrin deputetët e Kosovës". Të mërkurën edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O'Connell, gjithashtu theksoi se Kosova ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet, ndaj edhe vendi i tij mbështetë pa asnjë rezervë krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Për aq më tepër ambasadori i sapoardhur amerikan në vendin tonë, z.Philip Kosnett, transformimin e Forcës së Sigurisë e konsideroi hap historik për Kosovën,si vend sovran dhe i pavarur, duke shtuar se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë mbështetë dhe do ta mbështesin plotësisht zhvillimin profesional dhe ndryshimin organizativ të Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës! Kosova, përkundër sjelljeve agresive të Serbisë, edhe në vigjilje të krijimit të ushtrisë së saj,u tregua e kujdesshme dhe siguroi serbët në vendin tonë, se ushtria nuk është e drejtuar kundër asnjë qytetari të saj, ndërsa pohimet agresive të qeveritarëve serb, janë thjeshtë "propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë". Megjithatë, në orët e mbrëmjes së të enjtes, Policia u njoftua edhe për një mjet të dyshuar në afërsi të rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, konkretisht në rrugicën e hyrjes së Gazimestanit ku u gjetën 15 kilogram eksploziv. Ky ishte vetëm njëri nga tentimet për ta destabilizuar brenda për brenda vendin tonë nga armiqtë, pak para votimit të ushtrisë së shtetit të Kosovës. Përkundër të gjithave Ushtria e Kosovës u formua dhe shndërrua në realitet dhe atë jo vetëm Serbia, por nuk ka forcë më që do të mund ta ndalojë.

Ushtria e Kosovës, u tha se do ti ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë të armatosur lehtë, fakt që nuk paraqet asnjë kërcënim për Serbinë, ndaj shteti okupator serb jo vetëm habit, por edhe bëhet pafundësisht qesharak me reagimet kaq agresive kundër Ushtrisë së Kosovës, e cila me përkrahjen e fuqishme të SHBA-së, dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtar, pas formimit mëton të bëhet pjesë e NATO-s, ku shihet edhe e ardhmja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran. Urime dhe mbarësi të pafund; Ushtrisë, Shtetit dhe gjithë Popullit të Republikës së Kosovës!

(Kosova Sot)