Frederica Mogherini, komunistja që pretendon ta asgjësojë Kosovën

Frederica Mogherini, komunistja që pretendon ta asgjësojë Kosovën
  • 19 December 2018 - 08:07

SHKRUAN: GANI QARRI

Kësulëkuqja italiane, së cilës iu premtua çmimi "Nobel për Paqe", për shkatërrimin e shtetit të Kosovës, ende vazhdon me avazin e saj të vjetër! Joshja me këtë çmim, nga shtetet që nuk ia duan të mirën Kosovës, përveç Mogherinit e Aleksandar Vuçiqit, iu bë edhe kryekuislingut Hashim Thaçi, nëse ai eventualisht do të arrinte që ta ndante dhe asgjësonte shtetin e Kosovës.

Hirushja e njohur për simpatinë e veçantë ndaj Rusisë dhe Serbisë u lind më 1973 në Romë, studioi shkencat politike në Universitetin "La Spienza" të këtij qyteti (kryeqytetit italian) dhe diplomoi me temën "Marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe politikës në Islam". Frederica Mogherini qysh në moshën 15-vjeçare (më 1988) u anëtarësua në "Lidhjen e të rinjve të Partisë Komuniste italiane, (Partito Comunista Italiano) dhe për 8 vjet me radhë ishte pjesëtare e saj, ndërsa në vitin 1996, nga Partia Komuniste, kaloi në organizatën e të rinjve të partisë "Demokracia e Majtë" (Democratici di Sinistra), simotër e Partisë Komuniste. Nga viti 1999 deri më 2001, ishte zëvendëse e udhëheqësit të Organizatës së Komunitetit Evropian të Rinisë Socialiste,(ECOSY). Ndërsa prej vitit 2001 anëtare e kryesisë së partisë të Demokratëve të Majtë, nga e cila u emërua përgjegjëse për çështje të jashtme. Në vitin 2008, si e deleguar e Partisë Demokratike, Mogherini kaloi në parlamentin italian,ndërsa më 2009 në kryesinë e kësaj partie, (pasardhëse e Demokratëve të Majtë), përgjegjëse për barazinë gjinore etj, kurse nga dhjetori i vitit 2013, u emërua përgjegjëse për politikën evropiane.

Politika e konfrontimit Nga fundi i shkurtit deri në fillim të gushtit 2014, për pak më tepër se 5 muaj, ishte ministre e Jashtme e Italisë, ndërsa më 2 gusht të atij viti u përzgjodh kandidate nga Italia për pozitën e përfaqësueses së lartë të BE-së, për politikë të jashtme dhe siguri. Më 30 gusht 2014 u konfirmua emërimi i saj, si pasuese e zonjës, Catherine Ashton dhe nga atëherë bashkë me komisarin Johannes Hahn, punojnë në sektorin për politikë të jashtme dhe zgjerim në BE, me seli në Bruksel, të cilët jo çdoherë, e veçanërisht zonja Mogherini, nuk e përfaqësojnë drejtë dhe denjësisht. Në vitin 2015, si simpatizuese e pandreqshme e Rusisë së Putinit, Frederica Mogherini para ministrave të jashtëm evropianë, paraqiti një letër me kërkesën për reduktimin e sanksioneve të BE-së, kundër Rusisë.

Për aq më tepër, ajo personalisht kërkoi edhe shqyrtimin e afrimit të BE-së me Rusinë, pikërisht në kohën kur luftimet ndërmjet Ukrainës dhe forcave separatiste ruse të mbështetura nga Rusia, sa vinin e ashpërsoheshin në terren. Për këtë arsye zonja Mogherini mori kritika të rrepta dhe kundërshtime të forta, sidomos nga Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe, Polonia dhe vende tjera të rajonit e më gjerë, deri në Amerikë. Madje, në mars të vitit 2017, dhjetëra analistë, politikanë dhe gazetarë, i dërguan një letër të ashpër proteste, iniciuar nga organizata "European Values Think-Tank" me të cilën e kritikonin rëndë Frederica Mogherinin, se përveç shmangies së emrit të shtetit rus, si shkaktari kryesore i ndërhyrjeve kibernetike dhe shpërndarjes së "Dezinformatave armiqësore" vet zonja Mogherini përpiqej vazhdimisht, që ta fshihte edhe agresionin ushtarak të Rusisë ndaj vendeve fqinje të saj. Për aq më tepër, më 24 prill të vitit 2017, Frederica Mogherini do të udhëtonte personalisht në Moskë, për tu takuar me ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov dhe përkundër aneksimit të Krimesë nga Rusia, luftimeve që ajo nxiste në Ukrainë, mosimplementimit të marrëveshjes së Minskut, diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave njerëzore në Çeçeni etj.,për të cilat kishte vërejtje të mëdha BE-ja, zonja Mogherini sikur të udhëhiqte një kompani private dhe jo BE-në, shefja e diplomacisë së BE-së, deklaronte kinse ajo vetë mbështeste politikën e "kooperimit" dhe jo atë të konfrontimit me Rusinë. Mogherini si duket ende nuk dëshiron ta pranojë për të vërtetë shtetndërtimin e deritanishëm Frederica Mogherini, përveç idealeve komuniste me të cilat duket se është gatuar e rritur, ajo jo vetëm se shpreh publikisht dashurinë e saj të veçantë për Rusinë, por tregon hapur simpati të zgjeruar edhe për Serbinë dhe Aleksandar Vuçiqin, e cila me tendenca të rrejshme afruese deri në mashtrim, ka arritur ta bindë e përvetësojë edhe neokomunistin e Kosovës, Hashim Thaçin, duke u munduar që në vend të bisedimeve për pajtim dhe njohjen reciproke me Serbinë, ata të tre bashkë, "de facto" dhe "de jure",ta ndanin përfundimisht Kosovën sikur mos të ndërhynte në minutat e fundit vetë SHBA.

Madje, megjithëse Amerika formoi ushtrinë dhe ngriti shtetndërtimin tonë në një shkallë edhe më të lartë se deri më tani, për ti treguar Botës se Kosova është shtet i pavarur, me territor e kufij unik, e pandashme dhe e njohur ndërkombëtarisht në kufijtë e saj aktualë, komunistja Mogherini si duket ende nuk dëshiron t'i pranojë për të vërteta shtetndërtimin e deritanishëm mese dy dekadësh, as zhvillimet e sapondodhura në Kosovë. Ndaj e joshur nga vendet kundërshtare të shtetit tonë të brishtë, se nëse arrin përfundimisht, ta ndajë Kosovën dhe asgjësojë shtetësinë e saj, do të shpërblehet me çmimin "Nobel për Paqe", ajo jo vetëm që joshi presidentin e Serbisë me këtë premtim, por bindi edhe kryekuislingun Hashim Thaçi, që kinse ai nuk do të ndiqej nga Gjykata Speciale dhe do të shpërblehej me të njëjtin çmim, nëse i prin sulmit për shkatërrimin e shtetit të vet - Kosovës, gjë që ky edhe e bëri deri më tani, pa asnjë hezitim. Kështu që vetëm dy ditë pas mbledhjes së caktuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për Kosovën, edhe zonja Mogherini përveç mospërmbushjes së premtimeve të dhëna publikisht edhe nga vetë ajo në emër të Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave për Kosovën, shefja e diplomacisë së BE-së më 19 dhjetor ka ftuar të gjashtë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, në një takim urgjent, jo për të përkrahur Kosovën, por për ta kërkuar "heqjen e taksës" dhe " zhbërjen e ushtrisë", duke shpresuar se me ndihmën e kryekuislingut Hashim Thaçi, ajo do ta çojë përpara edhe ndarjen e Kosovës, të kënaqë Aleksandar Vuçiqin dhe Serbinë, si dhe t'ia sigurojë vetes përfundimisht çmimin "Nobel për Paqe".

(Kosova Sot)