Vetëm shkuarja e Thaçit & CO e shpëton Kosovën

Vetëm shkuarja e Thaçit & CO e shpëton Kosovën
  • 21 December 2018 - 08:35

SHKRUAN: GANI QARRI

Të gjitha prapësitë që fatkeqësisht gjatë këtyre dy dekadave i ndodhën Kosovës, që të gjitha filluan qysh kur Thaçi & CO u ngritën dhe qëndrojnë me të dy këmbët mbi Kushtetutën, ligjet dhe çdo segment shtetëror të vendit, ndërsa ky realisht ishte viti më i zi i Hashim Thaçit, i cili duket se ndërmori aktin e fundit të marrëzisë së tij për ndarjen e Kosovës, para se të shkojë dhe regjistrohet përfundimisht edhe ai vetë, si njëri prej të azilantëve më VIP, në dhomat e Gjykatës Speciale në Hagë. Madje, sipas të gjitha gjasave, pas enigmës së trishtë për korrigjim të kufijve dhe tendencës për ndarje të Kosovës sipas skenarit serb, të cilën në Kosovë po e implementon me shumë besnikëri Hashim Thaçi me mikun e tij, spiunin e Ivica Stanishiqit e bashkëpunëtorin e Milosheviqit, Baton Haxhiun si dhe klikën e tyre brenda dhe jashtë vendit , të paktën nga Thaçi vetë, nuk bëhet vetëm "zhurmë-për asgjë", por është edhe një përpjekje e madhe banditeske e kryekuislingut Thaçi për ndarjen përfundimtare të Kosovës, para se edhe ai vet të përfundoj në dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale. Ndërsa, sidomos pas hedhjes poshtë të kërkesës së tij absurde nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që ai të ketë të drejtën t'i nënshkruajë marrëveshjet me Serbinë pa e pyetur Parlamentin, Thaçi tani me ndihmën eventuale të ndonjërës apo të disa nga shtetet ndërkombëtare, duke keqpërdorur me dinakëri të pafund, sidomos konfliktin ndërmjet Ramush Haradinajt dhe Frederica Mogherinit,si dhe ndonjë shkresë të porositur nga vetë Thaçi përmes lidhjeve të tij, tek presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ai po përpiqet që t'i vërë para aktit të kryer si Kuvendin, ashtu edhe deputetët e Parlamentit të Kosovës,në mënyrë që ata medoemos të detyrohen ta votojnë-bile "Zajednicën" me kompetenca ekzekutive, ashtu siç është marrë vesh ai privatisht me Aleksandër Vuçiqin dhe sipas marrëveshjes së nënshkruar nga vet Hashim Thaçi me Ivica Daçiqin në Bruksel.

I zënë ngushtë prej të bëmave të veta konspirative

Ndaj, pas shitjes së 2500 hektarëve tokë të Kosovës FYROM-it, dhe 8300 hektarëve të tjerë Malit të Zi, duke mbuluar këtë akt tradhtie me një deklaratë kamufluese me homologun e tij malazez, se kinse pas ratifikimit të demarkacionit me këtë vend fqinj ,në Kuvendin e Kosovës, të dy shtetet do të formojnë një "Trup të Përbashkët Punues" i cili gjoja do të rishikojë kufirin, ashtu siç e parashihte edhe neni 7 i marrëveshjes së demarkacionit, që Thaçi e pati nënshkruar qysh në gusht të vitit 2015 si zv.kryeministër, marrëveshjes së "re" i janë bashkangjitur vetëm emri i Çakorrit dhe Kullës, që në fakt mund të shërbejë vetëm si dekor dhe të mos rregullojë asgjë në kufirin Kosovë-Mali i Zi, por të jetë parapërgatitje strategjike e Thaçit, për ti falur tanimë edhe 1/3 tën e territorit të Kosovës Serbisë fashiste. Duke parë se Gjykata Speciale pas thirrjes së shokëve në procedim, së shpejti mund të trokas fort edhe në derën e tij, ende të pa trazuar nga drejtësia, për bëmat e mbuluara kriminale, të paktën deri më tani, Hashim Thaçi me shpresën se do t'i shpëtojë në minutat e fundit kësaj Gjykate, e ka marrë me kaq nguti të madhe edhe hapin e mbrëmë për kompromis me Serbinë për t'i dhënë asaj edhe 1/3-n e territorit të Kosovë në këmbim të faljes së tij nga Specialja. Mjerisht kohët e fundit Hashim Thaçi i zënë ngushtë prej bëmave të veta konspirative, për ne jo të gjitha të njohura, president i vendit është shndërruar në zëdhënësin më besnik të Aleksandër Vuçiqit, i cili në vend se t'i mbrojë interesat e shtetit të vet, ka vite që lufton hapur për t'i implementuar axhendat e Serbisë në Kosovë, përfshirë ndarjen dhe faljen e 1/3-s së territorit të saj, shtetit okupator të Serbisë. Serbia, ndër shekuj dhe dekada ka marrë dhe ka përvetësuar padrejtësisht, shumë më tepër territore, pasuri, asete dhe të mira materiale se sa që në realitet mund ti kenë takuar asaj ndonjëherë ligjërisht dhe me cilën do normë juridike ndërkombëtare , ndaj edhe nëse Hashim Thaçit,sërish mund t'i ngutet, që të bëjë kompromise të reja edhe më të dhembshme se deri më tani me Serbinë, për arsye të tij personale, apo çfarëdo shkaku tjetër, ne duhet që aventurat e tij,përfundimisht ti ndalojmë. Sepse sot as nesër dhe në asnjë mënyrë më, nuk guxojmë dhe as nuk do të na lejohet, përsëri t'i japim Serbisë pasuritë më të mëdha e më të çmuara që ende ka Kosova jonë edhe ashtu mjaft e vogël, qoftë edhe në këmbim të një ulëseje në OKB, anëtarësim në NATO e BE, apo çfarëdo oferte tjetër, për të cilat Kosova do të rrezikonte ekzistencën dhe shkatërrimin e tërësishëm të shtetësisë së saj. Turri marramendës i Hashim Thaçit,i dalë jashtë çdo kontrolli, në vrapimin e tij të çmendur për implementimin e agjendave të Aleksandër Vuçiqit dhe interesave serbo-ruse në Kosovë, përfundimisht duhet të ndalet dhe marrë fund një herë e përgjithmonë, sepse as vet karrigia në OKB, nuk mund të jetë më e vlefshme sesa pasuritë dhe territori i çmuar i Kosovës. 

Këmbëngulja për ndarje

Hashim Thaçi është dhe mbetet përgjegjësi kryesor, për të gjitha devijimet e deritanishme në shoqërinë dhe politikën e Kosovës, që nga pavarësia e vendit e deri në bisedimet aktuale, tërësisht të pa qarta me Serbinë, si dhe fajtori numër një, për të gjitha prapësitë e ndodhura, që nga falsifikimi i votimeve, manipulimi i të gjitha zgjedhjeve të lira, nepotizmi, lidhjet kriminale, korrupsioni, krimi i organizuar dhe politizimi i skajshëm i çdo gjëje në gjithë shoqërinë e Kosovës. Këmbëngulja me kaq kokëfortësi e presidentit aktual Hashim Thaçi për t'ia falur pjesët më vitale të vendit tonë Serbisë flet më së miri për çmimin e lartë, të cilin ai sërish përpiqet me këmbëngulje t`ia imponojë vendit tonë të vogël,që ta paguaj me tokë e territoret më të vlefshme, si dhe pasurit më të çmuara kombëtare edhe ashtu të rrudhura në maksimum, pa përjashtuar këtu as ndarjen e vendit, si kompensim për shpëtimin e tij, nga ndjekja e Gjykatës Speciale. Kohët e fundit, Hashim Thaçi po përpiqet që ta sensibilizojë opinionin, sidomos me kurthin e tij më të ri, tanimë gjoja për "të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore" duke u shitur edhe si "patriot" i përbetuar e me nam, në mënyrë që me tradhtinë e tij aktuale, ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës të fshehë kompromisin siç e ka quajtur disa herë ai vetë, më të dhimbshëm, që sërish tenton ta bëjë me Serbinë, në kurriz të Kosovës, për të shpëtuar veten e tij. Madje siç raportoi gjatë muajit dhjetor edhe gazeta prestigjioze austriake 'Der Standard', ka vite që edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, jo vetëm se është shndërruar në njërin nga përkrahësit më të mëdhenj të tentativës së sëmurë për ndryshimin e kufirit në dëm të Kosovës, por ai është bërë edhe partneri më besnik i Serbisë në idenë tashmë të njohur malinje serbe për të ndarë Kosovën. Për aq më keq, po sipas gazetës prestigjioze austriake 'Der Standard', kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qysh gjatë vizitës së tij të para dy viteve në Nish, kishte elaboruar deri në detaje me Aleksandër Vuçiqin këtë fatkeqësi për Kosovën, ndaj jo rastësisht dhe me plot arsye gazeta austriake në fjalë, e krahason përfshirjen e Edi Ramës në pazaret me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës, si përpjekjet e ish-presidentëve të Kroacisë dhe Serbisë, Franjo Tuxhman e Slobodan Milosheviq, të cilët atëbotë, edhe ata kishin tentuar ta ndanin Bosnjën në dy pjesë. Ide, virusi i së cilës shumë lehtë dhe shpejtë mund ta infektojë dhe përfshij gjithë rajonin, megjithatë Hashim Thaçi me klikën e bashkëpunëtorëve të Milosheviqit, sistematikisht përpiqet ta fsheh faktin e ndarjes së vendit,dhe kamuflojë këtë fatkeqësi të rëndë, me arsyetimet e rrejshme se kinse "nuk do të ketë humbje territoresh" përderisa njëkohësisht u lutet ndërkombëtarëve t'i lejojnë atij dhe Vuçiqit, që kokë më vete, të marrin vendime edhe në emër të së ardhmes së të dy vendeve". Hashim Thaçi qysh në fillim të vitit që e lamë pas, foli hapur për kompromis të dhimbshëm me humbje territoresh, por duke hasur në reagimin e ashpër të opinionit, ai e ndryshoi terminologjinë, si këmbim territoresh, kurse së fundmi po flet për korrigjim kufijsh e demarkim, fakt që Hashim Thaçi me klikën e tij, në një mënyrë apo tjetrën, pa marrë parasysh manovrimet me fjalë dhe terminologji, ai gjithsesi ka për qëllim të cenojë integritetin territorial të Kosovës dhe me vetë iniciativë po hedh në treg territoret shqiptare, duke bërë, herë hapur, e herë fshehur, pazaret më të pista me Serbinë. Nga e gjithë ajo që u tha dhe dëshmua deri më tani, dëshmohet qartë se në krejt lojërat politike të Hashim Thaçit, qëllimi i vetëm i tij është dhe mbetet, falja edhe e një pjesë të konsiderueshme të tokës së Kosovës Serbisë, pasi duket hapur se ai i trembet tmerrësisht shumë Gjykatës Speciale, ndaj pa marrë parasysh çmimin, ai është në gjendje të jap edhe territore të mëdha të Kosovës, e pasuri të vlefshme kombëtare dhe bëjë gjithçka tjetër, deri tek implementimi edhe i interesave serboruse në vend, për të marrë garanci nga Serbia se të paktën ai vetë, përfundimisht do të amnistohet nga Gjykata Speciale. Kështu që pas tendencave të çmendura për kompromise të reja dhe këmbënguljeve për ndarjen e shtetit, si dhe të gjitha dëmeve të tjera të panumërta që ai me shokë, nga paslufta e këtej i shkaktuan vendit tonë, vetëm shkuarja përfundimtare e Hashim Thaçit me klikën e tij nga politika dhe qeverisja shtetërore, mund ta shpëtojë përfundimisht Kosovën.

 

(Kosova Sot)