Pse tërhiqen njohjet e shtetit të Kosovës dhe ku gjendet Republika?

Pse tërhiqen njohjet e shtetit të Kosovës dhe ku gjendet Republika?
  • 21 December 2018 - 08:37

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Lidhur me tërheqjet e njohjeve është shkruar dhe është bërë shumë analiza. Ato janë të duarduarshme dhe shumë kuptimplotë në politikë. Disa analiza për tërheqje të njohjeve vijnë dhe japin mendime së kjo rrjedh nga dështimet e Qeverisë së Kosovës, kryesisht të Ministrit të Punëve të Jashtme. Dhe, mendimi tjetër rrjedh nga një kënd tjetër, ai i punës së madhe të Qeverisë serbe në vendet që kanë tërhequr njohjet për shtetin e Kosovës. Natyrisht së këto dy të dhëna janë reale. Në njërën anë, kemi një Ministër tipik oligark, pa përgatitje për punët e jashtme; një ministër me ideologji tipike tregtare, që ka bërë punë shumë të dëmshme, tamam si tregtar, por që është dështuese.

Pacolli është treguar tërësisht i paftë

Në anën tjetër, kemi një politikë të përgatitur të Qeverisë serbe, e cila me mençuri po i shfrytëzon faktorët e ndryshëm dhe po arrin t'i shtyjë shtetet për të tërhequr njohjet e shtetit të Kosovës. Këtë po e mbron politika në Kosovë. Mirëpo, përveç këtyre dy fakteve, ka disa fakte të tjera që janë më të ashpra, e të cilat kanë ndikuar në tërheqje. Këtu mendoj: 1. Në politikën e BE-së, kryesisht ndaj Serbisë, duke e nënshtruar Kosovën kundruall shtetit serb, vetëm e vetëm që Serbia të mbahet afër dhe të integrohet në BE. 2. Në politikën nënshtruese të shtetit të Kosovës, sidomos të z.Thaçi dhe të z.Mustafa, për vite të tëra, duke nënshkruar marrëveshje shumë të dëmshme, nënshtruese dhe shkatërrimtare, si dhe 3. Në politikën e z.Thaçi për korrigjimin e kufijve të Kosovës si fakte gjoja për të arritur te një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këto fakte janë themelore në fushën e tërheqjeve dhe natyrisht edhe në fushën e mosliberalizimit të vizave për Kosovën. Fakti që propagandohet për çdo ditë nga BE-ja, nga z.Mogherini, nga z.Hahn etj., për marrëveshje gjithëpërfshirëse, ka krijuar mundësi për tërheqje të njohjeve dhe për mos sukseset në njohje. Këtu nuk po amnistoj farë z.Pacolli. Përkundrazi. Z. Pacolli është treguar tërësisht i paftë, pa vijëzime politike ndërkombëtarë dhe tejet i brishtë. Ai nuk ka farë njohuri mbi funksionimin ë shteteve dhe mbi të drejtën ndërkombëtarë. I mbështetur në idenë së "paraja është fakt i suksesit",kemi vazhdimisht mossuksese të mëdha.

Priten vendime shumë të dhimbshme

Por, këtu nuk duhet kurrsesi të mos përmenden faktorët më themelor në mossuksese. Ato duhet lypur në BE dhe në atë politikë si dhe të plani për marrëveshje me shtetin serb mbi bazën e korrigjimit të kufijve, që vazhdimisht e ka bërë z. Thaçi. Nuk ka shtet që kur shikon diskutimet e tilla që nuk mendon dhe që nuk tërhiqet nga pikëpamjet e veta. Z. Thaçi thotë: "Me arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të Kosovës me Serbi do të na njohin edhe 5 shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën si dhe do të pranohemi në OKB". Kjo tregon se e ardhmja e Kosovës kalon nëpër Serbi. Ndryshe nuk ka se si kuptohet thënia e tillë. Dhe, z.Veseli tha: "Në rrugën integruese të Kosovës drejt BE-së nuk kalohet kurrë nëpërmjet shtetit serb". Janë këto dy deklarata të kundërta dhe tipike manipuluese, por që për qëllim kanë bisedimet me shtetin serb. Ndryshe nuk kuptohen këto deklarata tipike fëmijërore dhe pa asnjë sens politik dhe natyrisht këtë e tregon edhe grupi punues për bisedime, nën udhëheqjen e këtyre bisedimeve nga z.Thaçi. Madje, me këtë edhe më shumë u forcua dhe pritën edhe vendime shumë të dhimbshme. Nuk mendoj së është aq thjesht të ecet në bisedime dhe të arrihet në marrëveshje më korrigjim të kufijve. Natyrisht se duhet thënë se marrëveshja pa Ujman, pa Mitrovicë unikë, pa "Trepçën" dhe pa pjesët themelore të Luginës së Preshevës, nëse bëhen korrigjimet, marrëveshja nuk është e drejtë. Ajo lë vend për konflikte. E tërë kjo veprimtari ka dërguar rreth zbehjes së pozitës së Kosovës, tërheqjes së njohjeve dhe të hapjes së mundësisë shumë të paqartë për korrigjim të kufijve. Në këtë anë po punohet nga forcat të shumta, të dëmshme dhe në emër të marrëveshjes gjoja historikë po futën në bisedime me shtetin serb. Kosova është shtet sovran dhe për këtë nuk ka bisedime.

 

(Kosova Sot)