Politika të jetë në shërbim të çështjes kombëtare

Politika të jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • 22 December 2018 - 08:23

SHKRUAN: AGIM JAKUPI

Historia është mësuese për gjithçka. Ata që nuk e marrin në konsideratë këtë faktor, ka përsëritje. Qeverisja dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës është më shumë se partitë politike. Është e domosdoshme krijimi i institucioneve të qëndrueshme demokratike, ngase partitë për momentin janë vetëm alternativa… Kosova është shteti i ri evropian, edhe pse ka histori të lashtë dhe kjo çështje të vë në mendime.

Duhet të mendojmë ku qëndron problemi, të studiojmë për gjithë defektet që në të ardhmen pa humbur kohë të ecim bashkë me të tjerët. Edhe pse roli i ushtrisë ka ndryshuar, prapë ajo përfaqëson dinjitetin dhe vendosmërinë për të mbrojtur të ardhmen e vet. Ushtria e Kosovës e ka këtë rol. Llomotitjet e kota Historikisht është e dëshmuar se rreziku nga jashtë na ka bashkuar, kurse rrugët paqësore na kanë përçarë dhe këtë mangësi të tjerët e kanë shfrytëzuar. Kjo nuk duhet harruar nga politikanët. Fatkeqësia jonë është se akoma nuk kemi elitën e politikanëve që problemeve politike të filluara pas luftës t'u japin fund.

Të gjitha partitë politike mbledhin në gjirin e tyre njerëzit që për nga natyra janë grindavecë. Këtë e vërteton aktualiteti, llomotitjet e kota janë bërë pjesë e shfaqjeve të shumta që mundohen të na bindin se gjithë kjo ka të bëjë me konceptin e demokracisë. Në fakt, koncepti i demokracisë në politikën kosovare kuptohet në bazë të sharjeve dhe ofendimeve të një kulture dhe qytetërimi, pjesë e të cilës është shumica absolute e shoqërisë. Këta praktika të skaduara vijnë në kohën kur shteti i ri është në sulm e sipër nga politikat dashakeqe e shtetit serb, i cili po tregon aftësi në arenën ndërkombëtare. Si duket, mosaftësia e atyre që dje gazetat dhe ekranet televizive i mbushnin me gënjeshtra, tani në politikë po bëjnë hapa mbrapa duke izoluar shoqërinë dhe shtetin falë filozofisë boshe. Dhe, kjo qasje po bëhet e frikësuar. Faktori i historisë po anashkalohet, shoqërisë po i ndalet fryma. Thjesht, kemi të bëjmë me performacën dhe sasinë dhe jo me pikëpamjen e cilësisë udhëheqëse. Lufta e shtrigave filloi pas luftës nga refugjatët e Beogradit që për synim kanë mbjelljen e farës së urrejtjes… që për një kohë të gjatë të mungojë siguria dhe mirëqenia në shoqëri. Zvarritjet politike gjithashtu po thellojnë hendekun ndërmjet asaj pjese që përbën shumicën e shoqërisë dhe që sillen me dashuri ndaj të tjerëve dhe atij numri të vogël që përbëjnë pjesën e egërsuar të shoqërisë.

Energji të madhe po harxhojmë në luftën e problemeve të improvizuara nga vetë politikanët, që populli të fokusohet te mjekrat, kurse politikanët bëhen "berberët që e qethin" popullin. Etiketimet e shumta, kërcënimet publike nga njëra anë dhe mosreagimi i prokurorisë nga ana tjetër, paraqet boshllëk. Sa më parë te psikologu Kjo mospërputhje, ky boshllëk, midis mendimit të shëndoshë dhe atij me paragjykime, shkakton një këputje të plotë. Sigurisht, humbës jemi gjithë ne. Themi shteti nuk funksionon. Gjithçka është sikur t'i kishim kaluar pengesat e mbledhura nëpër histori… si mund të shpjegoheshin veprat që pasuruan historinë kombëtare, nga mjekra e Ymer Prizrenit, Ismail Qemalit, vëllezërve Frashëri, deri te familja Jashari… Ti japim vetes mjetet përmes fakteve dhe diversitetit shoqëror për të qenë mbrojtës e qenies sonë kombëtare, duke respektuar të tjerët, kulturat, besimet dhe çdo objekt fetar, si dhe në të njëjtën kohë duke urdhëruar t'i përshtatemi qasjes për të qëndruar besnik ndaj traditave fetare duke hapur një dialog për vlerat dhe qëllimet, të veçanta dhe gjithëpërfshirëse. Ajo që ka rëndësi për momentin është se duhet të mësojmë përsëri si duhet të lexojmë…që t'u mbetemi besnikë parimeve të dëshmuara në histori, të jetuarit në pluralizmin fetar larg çdo mendësie përçarëse, kurse atyre që kërkojnë 72 orë për luftë kundër dukurive joekzistente dhe që kanë halucinacione iu japim një këshillë: sa më parë te psikologu.

(Kosova Sot)