Koha vendimtare për Evropën

Koha vendimtare për Evropën
  • 24 December 2018 - 08:22

Shkruan: CARL BILDT 

BE-ja do të vlerësohet në bazë të rezultateve, e jo rezolutave 

Liderët evropianë duhet të ballafaqohen me realitetet brutale të një bote që ndryshon. Vetëm atëherë votuesit do t'u besojnë atyre që ta trasojnë një rrugë të re kah një e ardhme me paqe dhe prosperit

Mund të thoni çka të doni rreth Bashkimit Evropian, por të paktën, atij nuk i mungojnë ambiciet apo planet për realizimin e tyre. Pothuajse menjëherë pas referendumit të Brexit të qershorit të vitit 2016, 27 shtetet e tjera anëtare të BE-së ranë dakord për "Udhërrëfyesin e Bratislavës", që planifikon të ardhmen pa Mbretërinë e Bashkuar. Një vit më vonë, krerët e BE-së u mblodhën në Talin dhe miratuan "Agjendën e Liderëve" për të udhëhequr BE-në deri në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj të vitit 2019." Dhe tani, BE-ja po përgatitet për një samit në Sibiu të Rumanisë, të njëjtin muaj kur do të finalizohen këto projekte. Megjithatë, në fund të fundit, BE-ja do të vlerësohet në bazë të rezultateve, e jo rezolutave. Gjatë dekadës së fundit, blloku është përballur me dy sfida të thella dhe tani është në procesin e përballjes me të tretën. E para ishte kriza e euros, e cila mund të kishte përfunduar me dështimin e monedhës së përbashkët. Në vend të kësaj, një sërë samitesh u mbajtën dhe Evropa arriti ta kapërcente atë. Me kohë, ekonomitë e shteteve anëtare filluan të rimëkëmbeshin dhe u miratuan instrumente të reja për koordinimin e politikës ekonomike në eurozonë. 

Kriza e refugjatëve

Por, sapo BE-ja filloi ta rifitonte besimin e publikut, u godit nga kriza e refugjatëve e vitit 2015, e cila prekte disa vende shumë më tepër se të tjerat, duke ekspozuar një mospërputhje të dukshme në zbatimin e rregullave të përbashkëta në lidhje me lëvizjen e njerëzve. Numri i azilkërkuesve që shkojnë në Evropë tanimë është zvogëluar dukshëm, por votuesit vazhdojnë që të kenë frikë nga një përsëritje e vitit 2015. Dhe, më gjerësisht, ekziston një vetëdijesim rreth asaj sesi konfliktet në Lindjen e Mesme dhe trendët demografikë në Afrikë, mund ta rrezikojnë stabilitetin evropian. Tani vjen sfida e tretë: largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Me kryeministren Theresa May që ka dështuar deri më tani ta sigurojë një mbështetje parlamentare për marrëveshjen e saj të daljes, Britania gjendet në mes të një krize të plotë politike dhe liderët e BE-së nuk kanë zgjidhje tjetër, pos të bëjnë sehire nga anash derisa të zhvillohet drama. Një vend që dikur drejtonte botën tani nuk mund të drejtojë as veten. Me afrimin e shpejtë të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, nuk ka kohë për vetëkënaqësi. Pas tmerreve të referendumit të Brexit dhe zgjedhjes së Donald Trump në 2016, shpresa u rikthye me zgjedhjen e presidentit francez Emmanuel Macron në vitin 2017. Por në vitin 2018, perspektivat e Evropës nuk janë aspak të sigurta, askund më shumë sesa në Francë. Nuk mund të thuhet se çfarë do të sjellë viti 2019. Ajo që ne dimë është se qeverisja në të gjithë BE-në është duke u bërë më sfiduese, pasi partitë politike të mëdha kryesore po humbasin mbështetjen, në dobi të partive të reja, si në të majtë, po ashtu edhe në të djathtë. Në këtë peizazh gjithnjë e më të përçarë politik, procesi i formimit të qeverive kombëtare është bërë i gjatë dhe i vështirë; bile edhe Suedia është duke ndjekur këtë shembull të ri, të pafat. 

Konflikti në Lindje të Mesme

Gjithashtu, nuk mund të harrojmë sfidat në rritje gjeopolitike dhe humanitare jashtë BE-së. I nxitur nga një obsesion me Iranin, Trump duket se synon të përkeqësojë konfliktet në Lindjen e Mesme. Dhe, do të ishte absurde të mendosh se presidenti rus Putin do të përmbahet nga përzierja në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në Ukrainë. Bllokada e Ngushticës së Kerçit nga ana e Rusisë, e cila është pika hyrëse në Detin e rëndësishëm strategjik Azov, si dhe militarizimi gjithnjë e më i madh i Krimesë, tregon se Evropa nuk duhet ta ulë shikimin. Për të menaxhuar këto dhe sfidat e ardhshme, BE-ja do të duhet ta redefinojë veten, duke filluar nga viti 2019. Në një mjedis gjithnjë e më të rrezikshëm gjeopolitik, BE-ja nuk mund të mbështetet vetëm te fuqia e butë. Dhe, sikur edhe me të gjitha qeveritë e tjera në botë, ajo duhet të fillojë përgatitjet për revolucionin digjital. Udhërrëfyesi i Bratislavës, Agjenda e Liderëve dhe samiti i ardhshëm i Sibiut janë të gjitha të mira, madje edhe të domosdoshme. Por, ndërsa viti 2018 ishte viti i konfuzionit, viti 2019 do të jetë viti i vendimmarrjeve. Liderët evropianë duhet të ballafaqohen me realitetet brutale të një bote që ndryshon. Vetëm atëherë votuesit do t'iu besojnë atyre që ta trasojnë një rrugë të re kah një e ardhme me paqe dhe prosperitet. 

 

(Kosova Sot)