"Lëvizja për Universitetin "- refuzim i demagogjisë

  • 25 December 2018 - 08:01

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI

Edhe njëherë për "Lëvizjen për Universitetin". Duhet një sqarim dhe një mirëkuptim edhe për ata të cilët mendojnë dhe thonë se përse studentët refuzojnë dialogun me kryeministrin e Shqipërisë. Ata refuzojnë dialogun me kryeministrin dhe ky refuzim i tyre është i justifikuar dhe i motivuar moralisht, si: Refuzim kundër hipokrizisë, mashtrimit dhe demagogjisë së politikës antiuniversitare dhe antipublike të tranzicionit. Që rrënjët e protestës janë socioekonomike, kjo të bind për faktin se shumica e studentëve që protestojnë vijnë nga familje të cilat mezi sigurojnë mbijetesën, vijnë nga shumë nga ato familja prindërit e të cilëve edhe po qe janë të punësuar, ata janë të punësuar të varfër si shumica e të punësuarve dhe e të vetëpunësuarve në Shqipëri me paga dhe me të ardhura të ulëta, madje ata studentë janë nga ata të cilët edhe nuk besojnë te universitetet private për seriozitetin dhe për cilësinë e marrjes së dijeve, si dhe tjetra se për këta studentë janë të papërballueshme tarifat e larta universitare. Studentët që studiojnë në Universitetet shtetërore kanë bindjen se aty ka një përkushtim dhe interesim të duhur edhe shteti, i cili duhet të ketë prioritet kombëtar mirëarsimimin dhe mirë-edukimin e të rinjve, pasi e ardhmja u përket atyre. "Lëvizja për Universitetin" është në antitezë politike me të gjithë klasën politike, pa përjashtuar asnjë parti politike, është në antitezë me elitën apo me këtë kastë e klikë politike shqiptare, e cila në realitet nuk është e interesuar për arsimin e bijve dhe bijave të popullit shqiptar, pasi politika dhe politikanët shqiptarë nuk e kanë aspak problem financiar shkollimin e fëmijëve të tyre në universitetet jashtë Shqipërisë dhe sigurinë e punësimit të fëmijëve të tyre në administratë, pushtet dhe në politikën shqiptare. Prandaj kjo elitë e keqe politike është edhe antistudentore dhe antiuniversitare, pasi kjo elitë mbi gjithçka ka interesin e ngushtë politik, personal, familjar e korruptiv. 

Protestë politike

Kjo lëvizje ka marrë karakter kombëtar, sepse edukimi dhe arsimimi është gjithëpërfshirës dhe përfshin çdo familje shqiptare, fëmijët e së cilave kërkojnë arsimimin dhe studimin universitar në Universitetet e Shtetit. Konkretisht sot kjo lëvizje e studentëve është në kundërshtim me qeverisjen e Edi Ramës, e cila është qeveri partnere me të pasurit, me oligarkët dhe e koncesionarëve, të cilëve pothuajse gjithçka dhe gati edhe shtetin ua ka dhënë atyre me koncesion. Kjo protestë i ka rrënjët arsimore sepse është ngritur edhe kundër korrupsionit universitar, kundër manipulimeve dhe spekulimeve dhe kundër stafit akademik të paaftë, duke kërkuar edhe VETTING për ta. Është protestë politike, sepse në kohët e sotme të modernitetit e të globalizmit, ashtu sikurse ligji dhe demokracia e lufta kundër korrupsionit, problematikat kryesore me të cilat merret politika dhe pushteti, janë ashtu si ekonomia dhe shëndetësia, prioritare është edhe edukimi dhe arsimimi, dhe përderisa studentët ngrihen për arsimin, ata ngrihen dhe zgjidhjen e plotësimin e kërkesave të tyre tarifore, strehimore, të ushqimit dhe për mirë-arsimimin atëherë ato pashmangshmërisht janë kërkesa politike. Dhe vazhdojmë të pyesim, pra se përse rinia studentore nuk pranon dialog me kryeministrin Rama? Mospranimi i protestuesve apo refuzimi që ata bëjnë prej më shumë se dy javësh proteste që të mos dialogojnë me kryeministrin Rama ka shumë arsye. Ata nuk dialogojnë me të, sepse kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre, të cilat janë minimumi që ata kërkojnë. Por, realisht shkaku kryesor apo rrënjët e kësaj proteste janë social-ekonomike dhe patjetër edhe arsimore dhe detyrimisht e pashmangshmërisht edhe politike. Kjo gjendje ka precipituar e tillë edhe sot si rezultat i akumulimeve dhe të dështimit politik, demokratik dhe ekonomik e arsimor i të gjitha politikave të gabuara antipublike të elitës politike të tranzicionit në Shqipëri. Studentët nuk pranojnë dialog, sepse Ligji për Universitetin dhe kushtet e studentëve janë në gjendje mizerabël. Por më kryesorja se përse studentët nuk e pranojnë kryeministrin në bisedime është fakti se ata nuk kanë asnjë fije besimi më te ky kryeministër, pasi tashmë është publikisht tepër i konsumuar dhe diskredituar si arrogant, i pabesë, keqbërës, i papërgjegjshëm dhe si mashtrues publik. 

Tetë kërkesat janë të vështira për t'u realizuar nga një pushtet i kapur

Veprimin e dëshpëruar që bën aktualisht kryeministri Edi Rama, duke u futur i paftuar nëpër salla të universiteteve në përpjekje për të biseduar me studentët që protestojnë sot të sjellin ndërmend edhe Sali Berishën e viteve 1996-97, i cili mundohej të bindte qytetarët shqiptarë gjithandej Shqipërisë për të justifikuar piramidat financiare në Shqipëri, por që pati efekt të kundërt: pati rritjen e protestave popullore dhe si rezultat i mashtrimeve dhe të kokëfortësisë së Berishës, president i asaj kohe, Shqipëria rrëshqiti në anarkinë me pasoja katastrofike të viteve 1997. A mos duhet të ndodhë edhe tani kjo me protestat e studentëve, nëse nuk ka marrë mësim kryeministri Rama se populli, shoqëria dhe rinia studentore nuk mund të tolerojnë pushtetin antipublik dhe mashtrimet e tij. Pra, gjendja politike ngjason me vitet 1996- 1997, ku edhe atëherë u manipuluan dhe u vodhën zgjedhjet dhe arriti kulmin edhe pakënaqësia gjithëpopullore, por edhe aktualisht problemi kryesor demokratik janë zgjedhjet me vota të blera dhe ku pakënaqësia jo vetëm e studenteve por e gjithë vegjëlisë, e shtresës së mesme dhe pjesëve të tjera të saj ka arritur kulmin. Atëherë, në vitin 1997, protestat fillimisht dukeshin si jo politike dhe thirrja ishte "duam paratë tona", por që protestat shpejt kaluan thellësisht në politike e që prej tyre erdhën edhe zgjedhjet e parakohshme. Edhe sot protestuesit kërkojnë plotësimin e 8 kushteve të tyre dhe duken si kërkesa jopolitike, por që ato 8 kërkesa janë të vështira për t'u realizuar nga një pushtet i kapur nga pjelljet e shumë "vështirësive", hajnive dhe të korrupsioneve të tij, pasi ato 8 kërkesa janë të ndërlidhura me plagët e rënda që i janë shkaktuar shoqërisë shqiptare edhe sot prej papunësinë, varfërinë, krimit, korrupsionit, drogës dhe me koncensionet korruptive që e kanë rrënuar buxhetin dhe falimentuar shtetin. Pra, rrënjët e kësaj lëvizje studentore janë edhe shoqërore, edhe ekonomike, edhe pashmangshëm politike. Mjaft më, nuk ecet më me justifikimin se për të gjitha të këqijat të akuzohen paraardhësit, komunizmi e enverizmi vetëm sa për të mashtruar. Ja, ka afro 30 vite që komunizmi ka rënë, por nuk shpëtoi Shqipëria edhe pse komunizmi iku, pasi erdhën dhe u vendosën korrupsioni dhe anarkia. Ishte atëherë një tirani, por pas shembjes se tij dolën dhe vegjetuan shumë tiranë dhe shumë intrigantë, tradhtarë, mashtrues, hajdutë e zullumqarë; erdhën dhe e kapën shtetin shumë aventurierë egoistë, injorantë, halabakë dhe lakmitarë të pashpirt dhe të pangopur për pasuri, për para dhe për pushtet, të cilët nuk njohin as kod moral, as kod fetar, as kod kombëtar dhe as nuk kanë asnjë fije ndjesi dhe as skrupull. Fatkeqësisht, shumica prej të këtillëve edhe në Kosovë i volën dhe i korrën frytet e sakrificave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe për shtet kombëtar edhe atje. Prandaj, rinia e sotme studentore, e pjekur moralisht, intelektualisht, demokratikisht dhe patriotikisht nuk pranon të dialogojë as me pushtetin dhe as me opozitën, por proteston në emër të drejtësisë, proteston me tolerancë, paqësisht dhe në mënyrë të denjë e të kulturuar dhe me guxim, duke sfiduar korrupsionin universitar, papërgjegjshmërinë dhe padrejtësinë politike të pushtetit qeverisës. Është më se e motivuar moralisht, politikisht, demokratikisht e kombëtarisht që kjo "Lëvizja për Universitetin" të marrë përsipër edhe misionin politik: atë të konkurrimit politik për të marrë pushtetin me votë të lirë duke sfiduar elitën politike dështake të derisotme, e cila ka marrë peng shtetin, shoqërinë, arsimin, zhvillimin dhe integrimin e vendit. Një lëvizje e tillë politike, me po një mision dhe vizion të tillë, duhet të lindë edhe në Kosovë si sfidë edhe atje kundër establishmentit politik dështak të derisotëm. 

 

(Kosova Sot)