Ndarja e ardhshme franko-gjermane

Ndarja e ardhshme franko-gjermane
  • 25 December 2018 - 08:08

Shkruan: MARK LEONARD

Franca dhe Gjermania janë duke u ndarë pikërisht në momentin kur forcat anti-evropiane janë duke u bashkuar

Rreziku tani është se Macron dhe Merkel do të joshen për të kënduar së bashku sipas recetës së Salvinit dhe Orbanit. Detyra e tyre është të shmangin atë kurth dhe të gjejnë një mënyrë për të rishpikur qendrën politike, përpara se të jetë tepër vonë

Politika e Brexitit po kalon në kaos.Bashkimi Evropian është duke u copëtuar në fiset veriore, jugore, lindore dhe perëndimore. Dhe tani martesa franko-gjermane në qendër të projektit evropian është në rrezik të copëtimit. Në maj të vitit 2017, kur kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez i sapozgjedhur Emmanuel Macron u takuan për herë të parë, shumë shpresuan për një rinovim të përkushtimeve. Turmat e dashamirësve pro-evropianë i nxitën liderët në këtë drejtim. Macron, reformatori i freskët, dukej se kishte një prekje politike të ngjashme me atë të Midas. Dhe, Merkel ishte në kulmin e fuqisë së saj në skenën ndërkombëtare, duke u konsideruar si "udhëheqës i botës së lirë", duke zëvendësuar "gjeniun shumë të qëndrueshëm" në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump. Duke cituar autorin gjerman Hermann Hesse, Merkel vërejti se "Ka magji në çdo fillim", por shtoi një paralajmërim: "Magjia zgjat vetëm kur ka rezultate." Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, magjia sigurisht nuk ka zgjatur. Merkel tani ka dorëzuar udhëheqjen e Unionit Kristian Demokratik (CDU) dhe nuk do të kërkojë një mandat tjetër si kancelar. Dhe Macron, larg ecjes mbi ujë, po përpiqet të mos mbytet në një det të protestuesve të xhaketave të verdha. Ndërkohë që yjet politikë të të dy liderëve kanë rënë, gjithashtu kanë rënë edhe perspektivat për një marrëdhënie të rinovuar franko-gjermane. 

Macron ka kërkuar të bëjë rinovimin francez sinonim me rinovimin evropian

Pikërisht kur Macron po i vendoste shpresat e tij në fuqinë e Merkelit për të udhëhequr në nivel evropian, pozita e saj ndaj pushtetit vendas po rrëshqiste. Pas zgjedhjeve federale gjermane në shtator të vitit 2017, Merkel luftoi për gjashtë muaj për të formuar një qeveri. Ajo nuk donte të formonte një qeveri të pakicës, dhe partitë e mbetura të opozitës nuk dëshironin veçanërisht të qeverisnin me të. Por dëmi i vërtetë për fuqinë e Merkelit erdhi nga brenda. Politikanët kryesorë në partinë simotër bavareze të CDU-së, Unionit Kristian-Social (CSU), kanë sulmuar vendimin e Merkelit për mirëpritjen e refugjatëve sirianë në vitin 2015 dhe madje janë bashkuar me disa prej armiqve të saj të betuar, si psh me kryeministrin hungarez Viktor Orban, kancelarin austriak Sebastian Kurz dhe Matteo Salvinin, zëvendëskryeministrin italian dhe ministrin e brendshëm. Këta populistë dhe simpatizuesit e tyre të CSU-së kanë përdorur imigracionin si një çështje për ta sulmuar Merkelin. Ndërkohë, Macron ka kërkuar të bëjë rinovimin francez sinonim me rinovimin evropian. Që nga ardhja në pushtet, ai ka ndjekur një ujdi të re të madhe me Gjermaninë. Në këmbim të asaj që Franca përfundimisht të marrë kontrollin mbi financat e saj dhe ta reformojë sektorin e saj publik dhe tregun e punës, Gjermania do të mbështeste propozimet e Macronit për të thelluar integrimin e BE-së dhe eurozonës, duke përfshirë një buxhet të përbashkët të eurozonës, një ministër të financave të BE-së dhe politika më të unifikuara të jashtme dhe të mbrojtjes . Megjithëse Merkel kohët e fundit ka rënë dakord për një buxhet të përbashkët në parim, shumë në Francë tani dyshojnë se Macron është mashtruar. Në fillim të presidencës së tij, ai paraqiti një seri masash jopopullore, duke ulur taksën e pasurisë dhe duke ulur përfitimet sociale. Kohët e fundit, ai ngriti një rritje të taksës së karburantit për të mbajtur deficitin e këtij viti nën 3% të GDP-së, ku me këtë rast ai shkaktoi valën e protestave të xhaketave të verdha. Në reagim të kësaj, Gjermania nuk i ka ofruar Macronit asgjë. Ajo ka zvarritur këmbët e saj në përfundimin e një bashkimi bankar dhe futjen e obligacioneve të investimeve në eurozonë, dhe ka ofruar vetëm mbështetje verbale ndaj idesë së një buxheti të përbashkët. Edhe në politikën e mbrojtjes, e cila mund të shërbejë si një zëvendësim për reforma kuptimplote ekonomike, Gjermania ka ushtruar rezistencë, duke hedhur poshtë propozimet e BE-së për një grupim "avangardë" dhe Iniciativën e propozuar evropiane për ndërhyrje (EI2) të Macronit.

Kundërshtarët kryesorë të euroskeptikëve nuk janë politikanët në vendet e tyre

Muajt e ardhshëm pothuajse me siguri do të ofrojnë më shumë zhgënjime për Macronin, dhe ndoshta edhe një grindje franko-gjermane. Në fund të fundit, në një takim të fundit të ministrave të financave të BE-së, Gjermania dha një goditje tjetër kundër Macronit duke hedhur poshtë propozimin e tij për një taksë të re digjitale për gjigantët e teknologjisë, si "Google" dhe "Facebook". Megjithëse propozimi kishte mbështetje të gjerë, gjermanët shqetësoheshin mos SHBA-ja do të hakmerrej kundër industrisë së tyre automobilistike. Për më tepër, ka spekulime se Bundesveri do të zëvendësojë aeroplanët e saj të vjetër të luftës "Tornado" me avionë amerikanë F-35 në vend të një ekuivalenti të bërë në Evropë. Me Forcat ajrore gjermane që tashmë tregojnë se F-35 është zgjedhja e saj e preferuar, drejtori i kompanisë "Airbus", Dirk Hoke kohët e fundit paralajmëroi se "Sapo Gjermania të bëhet një komb F-35, i gjithë bashkëpunimi me Francën për çështjet e luftimeve do të vdes". Franca dhe Gjermania janë duke u ndarë pikërisht në momentin kur forcat anti-evropiane janë duke u bashkuar. Me një sy drejt zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në maj, Orbán dhe Salvini po punojnë në mënyrë aktive për të krijuar një federatë populiste që përfshin të dyja anët, të majtën kundër kursimit dhe të djathtën anti-imigrante. Qëllimi i tyre është të fitojnë të paktën një të tretën e vendeve parlamentare, si dhe një pakicë bllokuese në Këshillin Evropian. Kundërshtarët kryesorë të euroskeptikëve nuk janë politikanët në vendet e tyre, por më tepër Macron dhe Merkel. Dhe, problemi për Macronin dhe Merkelin është se ata nuk mund të llogarisin në votuesit francezë e gjermanë për t'i mbështetur ata në udhëheqjen e reformave të BE-së. Në fakt, larg nga pamja e Merkelit \gesë për një integrim më të thellë, shumë gjermanë e konsiderojnë atë si tepër pro-evropiane. Sa i përket Macronit, ai mund të jetë presidenti francez më proevropian në dekada, por ai mund të gjejë veten në pozicionin e duhur për të kandiduar kundër rregullave të buxhetit të BE-së që po pengojnë reformat të tij të brendshme. Rreziku tani është se Macron dhe Merkel do të joshen për të kënduar së bashku sipas recetës së Salvinit dhe Orbanit. Detyra e tyre është të shmangin atë kurth dhe të gjejnë një mënyrë për të rishpikur qendrën politike, përpara se të jetë tepër vonë.

 

(Kosova Sot)